
Mes protestave që kanë hyrë në javën e dytë dhe debatit gjithnjë e më të gjerë për zhvillimin e resorteve turistike luksoze në zonat e mbrojtura, janë publikuar dy dokumente teknike që hedhin më shumë dritë mbi përmasat e zhvillimit të planifikuar.
Dokumentet u publikuan nga gazetari dhe analisti Eric Czuleger në platformën e tij The Under Report. Ai thekson se nuk po pretendon se dokumentet provojnë shkelje ligjore apo keqbërje, por se publiku ka të drejtë t'i shohë vetë materialet.

Dokumenti i parë, “Sazan Development – Request for Proposal”, i datës 6 nëntor 2025, kërkon shërbime arkitekturore, inxhinierike dhe teknike për projektin. Në praktikën e zhvillimeve të projekteve të përmasave të tilla, një dokument i tillë zakonisht nuk i përket fazës së një ideje të përgjithshme, por një momenti kur projekti kërkon të kalojë drejt projektimit më të strukturuar.

Dokumenti i dytë, “Vision Masterplan – Book 2”, i datës 14 nëntor 2025, është hartuar nga studioja ndërkombëtare LAVA. Ai e ndan territorin në 11 zona zhvillimi dhe parashikon 254.8 hektarë tokë, 727,527 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar, hotele, vila, marina, fusha golfi, kazino dhe zona të dedikuara për turizëm elitar.

Sipas Czuleger, dokumentet nuk përmendin Jared Kushner, Affinity Partners apo investitorë të tjerë të raportuar në media. Ato përmendin kompani dhe studio profesionale të përfshira në planifikimin e projektit.
Megjithatë, bie në sy është se ndonëse në masterplan titulli lidhet me Sazanin, dokumentet përshkruajnë një zhvillim në zonën Vjosë-Nartë. Me fjalë të tjera: emri në kopertinë është “Sazan”, por territori që shfaqet në hartë duket se është Zvërneci.

Sipas materialeve të publikuara, masterplani parashikon mbi 727 mijë metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar, të organizuara në 11 zona të ndryshme. Në dokument përmenden hotele luksoze të markave ndërkombëtare, vila rezidenciale, marina, klub jahtesh, kazino, fushë golfi dhe një park ujor me sipërfaqe deri në 90 mijë metra katrorë.


Vetë dokumentet identifikojnë zonën si pjesë të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe listojnë vlerat ekologjike të saj, përfshirë flamingot, breshkat e detit, fokën mesdhetare dhe habitatet e mbrojtura.

Një tjetër detaj është se Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk rezulton të ketë qenë i përfunduar në momentin kur është hartuar dokumentacioni. Sipas dokumentit, përgatitja dhe miratimi i VNM-së ishte pjesë e punës që do të kryente konsulenti i përzgjedhur.
Dokumentet përshkruajnë gjithashtu ndërhyrje të konsiderueshme në territor, përfshirë gërmime, zhvendosje masive dheu, krijimin e kanaleve, marinave dhe liqeneve artificiale. Në analizën e vet, masterplani paralajmëron se ndërhyrje të tilla mund të ndikojnë në hidrologjinë dhe biodiversitetin e zonës.
Czuleger argumenton se arsyeja pse po publikon dokumentet është pikërisht diferenca mes mënyrës si projekti është diskutuar publikisht dhe asaj që përshkruhet në dokumentet teknike.
“Dua që njerëzit të lexojnë vetë planet dhe të nxjerrin vetë përfundimet e tyre,” shkruan ai.

Studioja LAVA, e pyetur nga Citizens.al, ka konfirmuar autorësinë e dokumentit, por e ka cilësuar atë si një studim paraprak dhe jo si plan final apo të miratuar. Sipas studios, angazhimi i saj nuk ka vazhduar përtej kësaj faze. Por edhe kjo përgjigje lë disa pyetje të hapura: kush e porositi studimin, kush e hartoi përmbledhjen fillestare të projektit dhe kush e mori më pas stafetën?
Publikimi vjen në një moment kur protestat kundër projektit vazhdojnë në Shqipëri dhe diasporë, ndërsa institucione europiane dhe SPAK kanë konfirmuar se po ndjekin zhvillimet që lidhen me zonën e Vjosë-Nartës dhe kanë nisur hetimet.

Dokumentet nuk provojnë se projekti është miratuar nga institucionet shqiptare dhe as se punimet në terren janë autorizuar mbi bazën e këtij masterplani. Por ato tregojnë se Zvërneci është përmendur prej muajsh në materiale teknike si një projekt zhvillimi i strukturuar, me arkitektë, inxhinierë, zona, sipërfaqe dhe afate.
Kjo është arsyeja pse debati publik nuk lidhet më vetëm me resortin dhe dëmin e tij në mjedis, por edhe me transparencën: çfarë është planifikuar, kush e ka planifikuar, për cilin territor bëhet fjalë dhe pse qytetarët po i mësojnë këto detaje vetëm tani.
Dokumentet e plota të publikuara nga The Under Report mund t’i gjeni këtu.