Ish-asistentja personale e David Beckham, Rebecca Loos, ka folur për përplasjet e vazhdueshme brenda familjes Beckham në dokumentarin e ri të Channel 4, “The Beckham Feud: Truth and Lies”, i cili pritet të shfaqet të dielën.

Në një klip të siguruar nga Daily Mail ajo tregoi qëndrimin e saj mbi pretendimet se Marc Anthony i kishte kërkuar Brooklyn-it të kërcente me nënën e tij.
“Nuk ka rëndësi nëse u kërkua nga ajo apo Marc Anthony, në të dyja rastet tregon mungesë ndjeshmërie ndaj ndjenjave të të tjerëve.”
“Mendoj se çdo nënë tjetër do ta kishte kuptuar sikletin e gjithë kësaj situate,” shtoi ajo, madje sugjeroi se edhe nëse ai kërcim mund t'i ishte kërkuar Victoria-s nga të tjerë, ajo duhej sërish ta refuzonte.

"Ose, nëse mamaja (Victoria) kishte pirë pak si shumë verë dhe nuk ishte në gjendje ta kuptonte situatën, ndoshta djali ose bashkëshorti mund të kishin ndërhyrë duke ftuar Nicola-n në kërcim dhe ta lejonin atë të kishte momentin e saj."

Gjithë situatën e krijuar mes Brooklyn-it dhe pjesës tjetër të familjes ajo e krahasoi me atë çfarë ndodhi me të vite më parë, kur pretendoi se kishte patur marrëdhënie me David Beckham gjatë kohës që punonte për të, por të gjitha ato çfarë ajo tha u mohuan prej David-it.
Ajo i dha të drejtë Brooklyn-it kur iu drejtua mbiemrit Beckham si një markë, madje, sipas saj, përmes kësaj deklarate ai fliste për marrëdhënie jo të sinqerta, ku promovimi i familjes vlerësohet më shumë se çdo gjë tjetër.

Kjo nuk është hera e parë që Rebecca Loos komenton mbi konfliktin në familjen Beckham. Pak ditë më parë ajo reagoi e lumtur pas rrëfimit të Brooklyn-it, duke u shprehur se e vërteta gjithmonë zbulohet.






