
Tom Hardy do të vazhdojë të jetë pjesë e serialit të suksesshëm “MobLand”, duke u rikthyer për sezonin e tretë të pritshëm në Paramount+, përkrah Helen Mirren dhe Pierce Brosnan.
Sipas Deadline, aktori ishte pranë largimit nga seriali pas përplasjeve me skenaristin, producentin ekzekutiv dhe showrunner-in Jez Butterworth gjatë xhirimeve të sezonit të dytë. Raportohet se marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar aq shumë, sa dukej se bashkëpunimi nuk mund të vazhdonte.
Megjithatë, javët e fundit janë bërë përpjekje për të zgjidhur konfliktin. Një takim i zhvilluar në Londër mes Tom Hardy-t, Jez Butterworth dhe producentit ekzekutiv David Glasser ka rezultuar pozitiv, ndërsa në procesin e pajtimit ka ndihmuar edhe producenti ekzekutiv Guy Ritchie. Burimet thonë se palët kanë arritur një mirëkuptim për të vazhduar bashkëpunimin.
Si rezultat, sezoni i tretë po shkruhet duke u fokusuar sërish te tre personazhet kryesorë: Harry (Tom Hardy), Maeve (Helen Mirren) dhe Conrad (Pierce Brosnan), dinamika e të cilëve është konsideruar si një nga arsyet kryesore të suksesit të serialit.
Edhe pse Paramount+ nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht sezonin e tretë, rinovimi pritet të jetë vetëm çështje kohe. “MobLand” u bë një nga debutimet më të suksesshme të platformës, duke u renditur si seriali i dytë origjinal me nisjen më të madhe pas “Landman”.
Sipas raportimeve, Hardy kishte nënshkruar që në fillim një kontratë trevjeçare me produksionin, gjë që e bën rikthimin e tij edhe më të natyrshëm. Muajin e kaluar u raportua se tensionet në prapaskenë lidhej edhe me vonesa të vazhdueshme të aktorit gjatë xhirimeve.
“MobLand”, krijuar nga Ronan Bennett dhe prodhuar nga 101 Studios dhe Paramount TV Studios, ndjek përplasjen mes dy familjeve mafioze, një luftë që rrezikon të rrëzojë perandori kriminale dhe të shkatërrojë jetë. Në kast bëjnë pjesë edhe Paddy Considine, Joanne Froggatt, Lara Pulver, Anson Boon, Mandeep Dhillon, Jasmine Jobson, Geoff Bell, Daniel Betts, Lisa Dwan dhe Emily Barber.




