Fashion & Beauty

Duhet t'i keni: 3 trendet e atleteve që do të dominojnë vjeshtën 2026

423045046afbf7c946aaa530f66fa949.jpg

Atletet prej kohësh janë kthyer në një nga zgjedhjet më të përdorura të garderobës së përditshme. Rehatia, prakticiteti dhe mënyra e lehtë për t’i kombinuar me veshje të ndryshme i kanë bërë pjesë të pandashme të stilit modern. Por këtë vjeshtë, atletet nuk do të jenë thjesht zgjedhja komode për një ditë të gjatë.

Për sezonin vjeshtë 2026, dizajnerët po i japin atyre një pamje më të sofistikuar, duke eksperimentuar me tekstura, forma më elegante dhe detaje metalike. Modelet e reja nuk synojnë vetëm të plotësojnë një veshje, por të tërheqin vetë vëmendjen.

Atlete me tekstura të theksuara

e111afd33dd6b78009fb2727bd1beade.jpg

Pas shfaqjes së kamoshit, lëkurës me efekt krokodili dhe materialeve të ndryshme në çanta e aksesorë, ishte vetëm çështje kohe që këto tekstura të kalonin edhe te atletet. Këtë vjeshtë, modelet klasike retro marrin një pamje më të pasur dhe luksoze.

Atletet me tekstura të veçanta funksionojnë më mirë kur pjesa tjetër e veshjes mbahet më e thjeshtë. Një palë atlete me print leopardi mund të kombinohen me xhinse të lirshme dhe nuanca neutrale, ndërsa modelet prej kamoshi apo lëkure mund të vishen edhe me funde e fustane.

Atlete me taban të hollë

cd7a9dff28dad3031fe7b335dfabaea0.jpg

Nëse balerinat kanë qenë një nga zgjedhjet tuaja të preferuara, ky trend mund t’ju pëlqejë. Atletet me taban të hollë sjellin të njëjtën pamje të lehtë dhe elegante, por me komoditetin që ofron një palë atlete.

Silueta e tyre e pastër i bën tepër të lehta për t’u kombinuar. Mund t’i vishni në zyrë me pantallona lëkure dhe një këmishë, në fundjavë me xhinse të drejta dhe një bluzë të thjeshtë, ose me një fund midi për një pamje më të kuruar.

Atlete metalike

575e1310ac43b9200216b6825252f5f5.jpg

Nëse atletet klasike ju duken tashmë paksa të parashikueshme, modelet metalike janë mënyra perfekte për ta ndryshuar situatën. Sipërfaqet reflektuese i japin edhe siluetave më të zakonshme një pamje futuriste, ndërsa njëkohësisht ruajnë atë dozën retro që është bërë kaq e pëlqyer në modë.

Argjendi është një nga zgjedhjet më të lehta për t’u integruar në garderobë dhe mund të kombinohet me bizhuteri në të njëjtën nuancë. Për një pamje më të guximshme, mund të zgjidhen edhe modele në nuanca të tjera metalike, si e kuqja, duke i veshur me një kombinim minimalist në të zezë ose të bardhë.

Në vjeshtën e 2026, atletet duket se po largohen edhe më shumë nga ideja e këpucës thjesht sportive. Me tekstura të pasura, forma më të holla dhe përfundime që tërheqin vëmendjen, ato po kthehen në një nga elementët kryesorë të një look-u.