Njëherë, për një darkë pune që isha përgatitur prej javësh, kalova më shumë kohë duke zgjedhur fustanin sesa kolegu duke zgjedhur restorantin. Ishte takimi i parë me një klient nga Milano. Zgjodha një fustan të zi e të thjeshtë, një nga ato që i blen një herë dhe që i mban me vite të tëra, sepse doja që Tirana të dukej po aq serioze sa prezantimi im. Restoranti kishte lule plastike në tavolinë, një mbishkrim neoni “Love” në mur dhe një playlist që kalonte nga reggaeton-i te një remiks që e kishim dëgjuar tri herë atë ditë. Të flasësh për buxhete dhe afate ulur nën një “Love” fosforeshente ishte disi komike. Fustani im dhe restoranti flisnin dy gjuhë të ndryshme dhe nuk kishin pikë ngjashmërie. Milanezi e kuptoi menjëherë sikletin tim, por, si njeri i edukuar, bëri sikur s’e vuri re.
Atë mbrëmje kuptova diçka që më vonë u bë pothuajse fiksim: në Tiranë vishemi për të dalë, por rralë shkojmë në vende që kanë të njëjtin kujdes si ne për veshjen. Disa lokale ngjajnë si motra binjake: e njëjta burrata, e njëjta dritë rozë për fotografinë e radhës në “Instagram”, e njëjta menu që të premton “fusion” dhe të shkakton konfuzion. E kështu nisi maratona ime për të gjetur vende që të jepnin më shumë se një karrige dhe një menu. Doja që hapësira, pjata, gota dhe muzika të ishin zgjedhur nga i njëjti sy që zgjedh edhe veshjen.
Herën e parë që e ndjeva këtë harmoni ishte në Milano, te 10 Corso Como, koncept-dyqani i Carla Sozzani-t, ku moda, librat, fotografia dhe një kafene në oborr qenë shkrirë aq bukur me njëra-tjetrën. Hyra për një palë këpucë dhe dola pas katër orësh, me një libër që s’e kisha pasur në plan ta blija, me një shije kafeje që ende e mbaj mend edhe sot dhe pa këpucë. Aty e kuptova se koncepti i stilit ishte krejtësisht ndryshe nga ai që jemi mësuar.
Kur mësova se ZABÒ, emër që deri atëherë e lidhja me koleksione veshjesh me karakter, kishte hapur një restorant, shkova me pak skepticizëm. Kemi parë mjaft marka mode që vendosin një makinë ekspresi pranë arkës dhe e quajnë “lifestyle” apo diçka “ndryshe” nga turma. Por ZABÒ Garden nuk bën pjesë në këtë kategori. “Te ZABÒ nuk shkon me idenë për t’u veshur, për të shijuar apo për të vizituar ambientin. Atje shkon dhe i përjeton të gjitha së bashku”, e përkufizojnë.
Garden-i ka ritmin e qytetit në ditë pushimi. Mëngjesi nis qetë, me kafe dhe brunch, në ato orë kur Tirana ende s’ka vendosur si do ta vazhdojë ditën. Për një qytet ku kafeja nuk pihet, por “bëhet”, e ku një “hajde për një kafe” mund të zgjasë deri në drekë, një vend që e respekton këtë ngadalësi është pothuajse një gjest dashurie. Në drekë, vendi nis të mbushet dhe tavolinat nisin të shtrohen dalëngadalë; pjatat janë menduar për t’u ndarë, vera hapet dhe biseda merr tjetër ritëm. Më pëlqejnë tavolinat ku ushqimi kalon nga njëri te tjetri, ku fraza si “provoje pak këtë” ndërhyjnë mes dy fjalive dhe askush nuk e ka problem. Në mbrëmje ndizen dritat, muzika ngre zërin dhe koktejet nisin të dalin nga banaku. Darka të fton, pa ta thënë hapur, të qëndrosh edhe pak. Pastaj edhe pak.
Vetëm disa hapa më tej, atmosfera ndërron pamje. H?N by ZABÒ është kapitulli i brendshëm i kësaj shtëpie: më i qetë, më elegant, më i përmbajtur, ku sushi, darka dhe kujdesi për çdo detaj të shërbimit marrin gjithë vëmendjen. Është hapësira që të vjen në mendje për një mbrëmje më intime, kur ke dëshirë t’i kushtosh kohë personit përballë. “Garden dhe H?N janë dy energji të ndryshme të së njëjtës shtëpi”, thotë Ajris Leka, themeluese e ZABÒ.
Nuk do t’ju rendis menunë. Të përshkruash një pjatë duke numëruar përbërësit është po aq e kotë sa të përshkruash një fustan duke numëruar qepjet. Ajo që ka rëndësi këtu është logjika pas saj, e njëjta që ndjek dyqani i tyre i modës. “Ashtu si në ZABÒ Designer sjellim veshje me karakter, edhe në kuzhinë nisemi nga përzgjedhjet”, tregon Ajris.
Produkti dhe origjina e tij, vera, një koktej i ndërtuar me teknikë apo një ritual i vogël në tavolinë i binden të njëjtit rregull: çdo detaj duhet të ketë një arsye pse është aty. Në një kohë kur shumë kuzhina ndërtohen për kamerën e telefonit, kjo tingëllon pothuajse si rebelim. Virginia Woolf ka shkruar se nuk mund të mendosh, të duash e të flesh mirë, nëse nuk ke ngrënë mirë. ZABÒ duket se i shton kësaj liste edhe një të vërtetë: stilin nuk mjafton ta veshësh, duhet edhe ta çosh diku.
Mënyra më e mirë për ta kuptuar ZABÒ-n është të mos planifikosh asgjë dhe ta lësh të të marrë me vete. Shkon për të marrë një porosi te ZABÒ Designer dhe qëndron për kafe. Shkon për brunch dhe, pa e kuptuar, vazhdon me aperitivë. Ose nis me darkë dhe e mbyll natën me muzikë e me një koktej që s’e kishe në plan. Ky është luksi i vërtetë i vendit: nuk ke nevojë të ndërrosh adresë sa herë të ndryshon humori.
Sot, kur zgjedh një fustan për një darkë, e zgjedh ende me kujdes. Vetëm se nuk pres më që fustani të bëjë gjithë punën. Më pëlqen të shkoj dhe të ndiej se edhe vendi është bërë gati për mua.
Dhe nëse klienti nga Milano kthehet ndonjëherë në Tiranë, këtë herë rezervimin do ta bëj unë. :)