
Aurela Gaçe, Rozana Radi, Julia Ilirjani dhe Fifi kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale ndaj aludimeve që kanë përfshirë emrat e tyre ditët e fund. Në deklarata të veçanta, ato kanë mohuar se janë pjesë e videove intime të shpërndara gjerësisht në rrjet apo kanale të ndryshme komunikimi mes qytetarëve, ndërsa kanë paralajmëruar edhe hapa ligjorë ndaj personave që përhapin pretendime të pavërteta për to.
Në reagimin e saj, Aurela Gaçe ka theksuar se bashkëpunimet muzikore janë marrëdhënie profesionale dhe nuk mund të përdoren si arsye për të sajuar histori për jetën e saj private.
“Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë”, ka shkruar ajo.
Në të njëjtin reagim, këngëtarja është shprehur se nuk merr përsipër të gjykojë jetën private të të tjerëve, ndërsa ka shprehur mbështetje për vajzat dhe gratë që pretendohet se shfaqen në të tilla materiale.
“Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë”, ka shtuar Gaçe, duke e mbyllur deklaratën me fjalët: “Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur.”
Edhe Rozana Radi ka mohuar publikisht pretendimet që e lidhin me videot.
“Theksoj qartë: unë nuk jam në asnjë prej videove të publikuara dhe nuk kam asnjë lidhje me videon që pretendohet”, ka shkruar ajo.
Ajo ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kujtdo që përpiqet t’i dëmtojë emrin, imazhin apo reputacionin përmes atyre që ajo i cilëson si shpifje dhe të pavërteta. Gjithashtu, u ka kërkuar ndjekësve të mos shpërndajnë përmbajtje që cenojnë dinjitetin e personave të përmendur.
“Ju lutem, mos e përdorni dhe mos e njollosni emrin tim pa asnjë bazë”, është shprehur ajo.

Ndër të parat që reagoi ishte aktorja Julia Iliriani, duke mohuar përfshirjen e saj.
“Pashë që po qarkullojnë ca video me ‘demek’, edhe jam e sigurt që do fillojë opinioni publik bla bla. Tani a ka mundësi t’i lini artistët në hallin e tyre dhe merruni me këta që po ju vjedhin, po ju vrasin, po ju drogojnë fëmijët nëpër shkolla?”, shprehet ajo.
Më tej, aktorja sqaron edhe aludimet konkrete që kanë nisur në rrjet, duke mohuar se është ajo personi që shfaqet në videot për të cilat po flitet.
“Po shoh që po aludohet, po flitet, po merren në telefon njerëzit e mi, po shkruhet në Instagram, që unë jam në një nga ato video. E para, nuk kam lidhje fare dhe me asnjë video që mund të qarkullojë. Mos mi shqetësoni familjarët dhe, nëse do isha unë, do isha drejtuar në rrugë ligjore. Dhe këtë ua them edhe atyre kolegeve të mia.”
Nga ana tjetër, Fifi ka reaguar gjatë një videoje live në rrjetet e saj sociale, po ashtu, duke sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me videot intime.
“Nuk po më pëlqen pse po qarkullon emri im, por për të gjithë ju që jeni shqetësuar, unë nuk jam në ato video. Nuk kam asnjë lloj lidhje me kompozitorin në fjalë, nuk kam bërë asnjë këngë me të, nuk e di ku e ka studion”, ka deklaruar ndër të tjera këngëtarja.
Madje, këngëtarja ironizoi zërat se një ndër personat e shfaqur në video ka ngjashmëri fizike me të, duke thënë se “nuk ka faj që vajzat të tjera ikin te doktori me fotot e saj”.
Reagimet e artisteve vijnë pas qarkullimit në internet të materialeve intime që, sipas raportimeve mediatike, lidhen me kompozitorin Adrian Hila. Krahas lajmeve për këtë çështje, në rrjet kanë qarkulluar edhe aludime të paverifikuara për identitetin e personave që shfaqen në video.
Çfarë është raportuar deri tani?
Elton Tozaj e bëri çështjen publike, duke pretenduar se filmimet ishin kryer pa dijeninë e personave të tjerë. Ky është një pretendim i tij dhe jo një përfundim i vërtetuar nga hetimet.
Ndërkohë, Hila pretendohet se u ka thënë policëve se kamerat ishin hakeruar. Sipas raportimeve mediatike, por edhe versionit zyrtar policor, ai ka shpjeguar se i kishte vendosur kamerat për shkak të incidenteve në studio dhe është shprehur i tronditur nga publikimi i materialeve.
Sot, më 1 tetor, është raportuar se policia e ka thirrur Adrian Hilën për t’u marrë në pyetje. Sipas raportimeve, Krimi Kibernetik po heton burimin e materialeve, si edhe personat që i kanë publikuar dhe shpërndarë ato. Çështja i është referuar edhe Prokurorisë.
Deri në këtë fazë, aludimet që kanë qarkulluar në rrjet për identitetin e personave në videot intime nuk janë të verifikuara nga institucionet. Për këtë arsye, deklaratat e personave të përmendur në to mbeten reagime të drejtpërdrejta ndaj pretendimeve që janë bërë në rrjet, ndërsa hetimi institucional pritet të sqarojë rrethanat e publikimit dhe shpërndarjes së materialeve.
Shënim: Në përputhje me parimet e etikës gazetareske dhe respektimin e privatësisë, Anabel po pasqyron deklaratat publike të personave të përfolur, pa i trajtuar aludimet si fakte dhe pa publikuar apo shpërndarë materiale intime.