
Në sport, suksesi matet zakonisht me shifra: gola të shënuar, trofe të fituar, rekorde të thyera. Mirëpo ka gjëra që nuk hyjnë në asnjë statistikë, si pesha e pritshmërive, jehona e kritikave dhe ai çasti kur një sportist nis të dyshojë te vetja. Pikërisht këtu historia e Ferran Torres bëhet më e madhe se goli që i dha Spanjës Kupën e Botës, sepse vetëm pak vite më parë, për shumë njerëz ai ishte një futbollist që dukej se nuk do të arrinte kurrë të bëhej ai që të gjithë kishin menduar se mund të ishte.
Kur iu bashkua ekipit të Barcelonës në vitin 2022, Ferran Torres mbante mbi supe pritshmëritë që shoqërojnë zakonisht një talent të ri: të shënonte, të bënte diferencën dhe të kthehej në një nga figurat e brezit të ardhshëm të klubit. Por me kalimin e muajve, rastet e humbura nisën të kujtoheshin më shumë se golat, rrjetet sociale u mbushën me video tallëse dhe çdo ndeshje dukej sikur e shtonte edhe më tej presionin. Brenda një kohe të shkurtër, Torres kaloi nga një prej emrave më premtues të futbollit spanjoll në një lojtar që gjykohej pothuajse për çdo prekje të topit.
Në raste të tilla, është e lehtë të mendosh se problemi është stërvitja, përqendrimi, forma fizike apo puna e pamjaftueshme. Por Ferran Torres tregoi se beteja e tij më e vështirë nuk po zhvillohej në fushë me kundërshtarët, por me veten. Në një intervistë të vitit 2023, ai pranoi se kishte mbërritur në një pikë ku dyshimi dhe mendimet e kishin zënë në kurth. E përshkroi atë periudhë si një “pus pa fund”, nga i cili nuk arrinte të shihte asnjë rrugëdalje. Ishte pikërisht ky moment që e shtyu të kërkonte ndihmën e një psikologu sportiv, një vendim që, sipas tij, ndryshoi jo vetëm marrëdhënien me futbollin, por edhe mënyrën se si e përjetonte jetën jashtë fushës.

Ndoshta ky është edhe detaji më domethënës i gjithë historisë së tij: jo vetëm që kërkoi ndihmë, por pati guximin të fliste publikisht për të, në një botë ku vulnerabiliteti ngatërrohet shpesh me dobësinë dhe dobësia me dështimin. Në të vërtetë, historia e tij nuk është edhe aq e pazakontë. Shumicës prej nesh na ka ndodhur që një një gabim i vetëm zë më shumë hapësirë nga sa meriton dhe, dalëngadalë, shndërrohet në dyshim. Mund të ndodhë në universitet, në punë, në një marrëdhënie apo në çdo vend ku ndihemi të vëzhguar, të vlerësuar ose të krahasuar. Fillimisht gabon; më pas e rimenton, e analizon pa fund dhe fillon të kesh frikë se mos përsëritet.
Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i Ferran Torres merr një kuptim që shkon përtej futbollit dhe rezultatit të një finaleje. Historia e tij nuk është vetëm ajo e një lojtari që shënoi golin vendimtar, por e një njeriu që pranoi se nuk mund ta përballonte gjithçka i vetëm, kërkoi ndihmë dhe punoi gjatë për të rindërtuar besimin që kishte humbur. Ai vazhdoi të dilte në fushë edhe atëherë kur çdo gabim peshohej më shumë se çdo përpjekje dhe kur shumë prej atyre që dikur kishin parë tek ai një talent të madh, nuk besonin se do ta përmbushte ndonjëherë.

Kur shënoi golin vendimtar për Spanjën në finalen për Kupën e Botës, ai çast mund të dukej si triumfi i një kampioni, por në të vërtetë ishte shpërblimi i një durimi të gjatë. Vetëbesimi nuk rikthehet brenda natës dhe as nuk ndërtohet nga një ndeshje e vetme; ai formohet ngadalë, në ditët kur njerëzit nuk e shohin se sa hapa para ke berë, kur puna vazhdon pavarësisht mungesës së rezultateve dhe kur njeriu mëson të mos e lejojë zërin kritik brenda vetes të bëhet më i fortë se arsyeja për të vazhduar.
Trajneri Luis de la Fuente dha ndoshta përkufizimin më të bukur të kësaj historie:
"Ata që bien dhe ngrihen përsëri, marrin diçka në këmbim.”
Prandaj historia e Ferran Torres prek edhe ata që nuk e ndjekin futbollin. Ajo na kujton se talenti nuk zhduket vetëm sepse kalojmë një periudhë të vështirë dhe raste kur njeriu nuk ka nevojë të bëhet më i mirë, por vetëm të gjejë përsëri besimin te vetja.
Tifozët do ta kujtojnë Ferran Torres për golin në finale. Ai vetë, me shumë gjasë, do ta kujtojë për gjithçka që iu desh të kalonte për të arritur deri aty.