
Një film tronditës për një vajzë pesë-vjeçare të vrarë nga forcat izraelite në Gaza vitin e kaluar mori një ovacion rekord në këmbë prej 23 minutash pas premierës së tij në Festivalin e Filmit në Venecia të mërkurën.
“The Voice of Hind Rajab” ("Zëri i Hind Rajab"), me regji të kineastes tuniziane Kaouther Ben Hania, është përshkruar nga kritikët si “materiali më i fuqishëm dhe më urgjent i këtij edicioni”. Filmi la të përlotur pjesën më të madhe të audiencës dhe shumë gazetarë gjatë shfaqjes së parë.
Historia e Hind Rajab

Filmi rindërton telefonatën e fundit dhe të dëshpëruar të vogëlushes Hind Rajab, e cila në janar 2024 mbeti e bllokuar në rrënojat e një makine në veri të Gazës, e rrethuar nga trupat e pajetë të xhaxhallarëve dhe katër kushërinjve të saj të vegjël.
E fshehur poshtë një sediljeje dhe e vetmja e mbijetuar, Hind arriti të kontaktonte Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze me telefon. Megjithatë, vajza dhe mjekët që po përpiqeshin ta shpëtonin u vranë nga forcat izraelite.
Raportet konfirmuan se një tank izraelit kishte qëlluar 335 herë mbi automjetin. Ushtria izraelite megjithatë, nuk ka shpallur ende një hetim zyrtar për rastin.
Regjisorja Kaouther Ben Hania u shpreh:
“Kur e dëgjova për herë të parë zërin e Hind Rajab, ndjeva diçka përtej fjalëve të saj. Ishte vetë zëri i Gazës që kërkonte ndihmë dhe askush nuk arriti ta dëgjonte.”

Filmi përdor regjistrimet e vërteta të telefonatës së Hind-it, por rrëfen historinë përmes një ekipi të Gjysmëhënës së Kuqe që përpiqet të koordinojë shpëtimin e saj.
Aktorët dhe ekipi
Në një deklaratë në emër të gjithë ekipit të filmit, aktorja Saja Kilani tha:
“Zëri i Hind Rajab nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë. Ky film nuk është opinion dhe as fantazi. Është i rrënjosur në të vërtetën. Historia e Hindit mbart peshën e një populli të tërë, nuk është vetëm e saj. Zëri i saj është një nga 19 mijë fëmijët që humbën jetën në Gaza vetëm në dy vitet e fundit.”

Aktorët dhe ekipi theksuan se pas çdo numri fshihet një histori që nuk u tregua kurrë.
Aktori palestinez Motaz Malhees tha:
“Kur isha 10 vjeç, e jetova këtë realitet. Ta dëgjoja zërin e Hind-it më ktheu menjëherë në fëmijërinë time. Ndjeva sikur vdisja një mijë herë. Nuk ishte aktrim. Ishte jeta ime.”

Nëna e Hindit, Wissam Hamada, shprehu shpresën se filmi do të ndihmojë në përfundimin e luftës: “E gjithë bota na ka lënë të vdesim, të vuajmë urinë, të jetojmë në frikë dhe të zhvendosemi me forcë, pa bërë asgjë,” tha ajo për AFP nga Qyteti i Gazës, ku jeton me djalin e saj pesë-vjeçar.
Mbështetja e yjeve të Hollywood-it
Joaquin Phoenix, Rooney Mara dhe Brad Pitt, të gjithë producentë ekzekutivë të filmit, morën pjesë në premierë dhe pozuan në tapetin e kuq me fotografinë e Hind Rajab në duar.
Pritja dhe vlerësimet
Filmi aktualisht ka një vlerësim 9.4 në IMDb dhe është shndërruar në një nga veprat më të përfolura të festivalit, duke zënë vend si në historinë e kinemasë, ashtu edhe në atë politike.