News

Haga jep vendimin për ish-krerët e UÇK-së: Dënime nga 13 deri në 25 vite burgim

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në një proces që nisi rreth 6 vite më parë dhe që lidhej me akuza për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. 

Sipas vendimeve të shpallura në seancë, Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burgim, pasi u shpall fajtor për krime lufte që përfshijnë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm. Gjykata e konsideroi përgjegjës për vrasjen e 96 personave, ndalimin e paligjshëm të 385 personave, torturimin e 303 personave dhe trajtimin mizor të rreth 50 të tjerëve. 

Kadri Veseli u dënua me 18 vite burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite. Jakup Krasniqi, ashtu si Thaçi, mori një dënim prej 25 vitesh burgim, sipas vendimeve të lexuara nga trupi gjykues.

Një nga pikat më të rëndësishme të aktgjykimit ishte ndarja mes akuzave për krime lufte dhe atyre për krime kundër njerëzimit. Gjatë leximit të vendimit, trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të provonte ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile pas 20 qershorit 1999, element i nevojshëm për disa prej akuzave për krime kundër njerëzimit.

Nga ana tjetër, gjykata konstatoi përgjegjësi penale për një sërë krimesh lufte, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Aktakuza operative ndaj katër të pandehurve përmbante gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. 

Në nisje të seancës, kryetari i trupit gjykues theksoi se procesi nuk kishte për qëllim të gjykonte luftën e UÇK-së si të tillë, por përgjegjësinë penale individuale të katër të akuzuarve.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë mbajtur në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe gjatë procesit janë deklaruar të pafajshëm. Koha e kaluar në paraburgim do të merret parasysh në ekzekutimin e dënimeve.

Vendimi i shpallur sot është aktgjykim i shkallës së parë, ndaj çështja nuk mbyllet domosdoshmërisht këtu. Palët kanë të drejtë të ndjekin procedurat e apelimit.

Vendimi u prit me vëmendje të jashtëzakonshme në Kosovë dhe në Hagë, ku gjatë ditës ishin mbledhur mbështetës të katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Procesi ka qenë prej vitesh një çështje shumë e debatueshme në Kosovë, ku Thaçi dhe ish-drejtues të tjerë të UÇK-së vazhdojnë të gëzojnë mbështetje të konsiderueshme. 

Burimi: Dhomat e Specializuara të Kosovës / Euronews Albania / Reuters