Hayden Panettiere vuajti nga probleme “shumë të rënda” shëndetësore në muajt para vdekjes së saj tragjike, sipas një personi të afërt me aktoren. Miku dhe parukieri i saj, Erick Orellana, ka treguar se Panettiere kishte përjetuar dhimbje të forta në shpinë, të cilat në një moment ndikuan edhe në aftësinë e saj për të lëvizur.
“E di që në fillim të këtij viti vuajti me shpinën”, tha Orellana për Page Six, duke e përshkruar gjendjen e aktores si “shumë të rëndë”. Sipas tij, dhimbja ishte aq e fortë sa në një moment Hayden e kishte të vështirë edhe të lëvizte këmbët.
Në muajin mars, Panettiere u fotografua në aeroportin LAX së bashku me të dashurin e saj, Brian Hickerson, ndërsa përdorte paterica për të lëvizur. Megjithatë, miku i saj tha se në atë periudhë dukej se aktorja po fillonte të merrte veten dhe gjendja e saj shëndetësore po përmirësohej.


Një burim tjetër tha se Panettiere kishte përjetuar edhe vështirësi të tjera gjatë muajve të fundit. “Në fillim të këtij viti, dukej pak e lodhur ndonjëherë. Por ajo ishte një person që qëndronte zgjuar deri vonë dhe kishte shumë gjëra mbi supe”, tha burimi.
Sipas të njëjtit person, aktorja përjetonte herë pas here ankth dhe merrte ilaçe për ta përballuar atë. Burimi pretendon se në disa raste kjo ndikonte edhe në të folurën e saj.

Babai i Hayden, Skip Panettiere, konfirmoi të dielën lajmin e dhimbshëm për vdekjen e vajzës së tij.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Hayden, vajzës sonë të dashur. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë e natyrës, që u dha dashuri dhe gëzim të pafund të gjithë atyre që e njihnin, si edhe miliona njerëzve që e ndoqën në ekran”, tha ai, duke kërkuar privatësi për familjen gjatë kësaj periudhe.
Shërbimet e urgjencës u thirrën pas një telefonate në numrin 911 për një “grua të paidentifikuar” që kishte pësuar arrest kardiak në një apartament të marrë me qira në Greenville të Karolinës së Jugut, të dielën pasdite.
Sipas të dhënave të telefonatës së urgjencës, autoritetet raportuan një “mbidozë” dhe thanë se reanimimi kardiopulmonar ishte duke u kryer. Mjekët tentuan ta rikthenin në jetë Panettiere duke përdorur procedura të avancuara të mbështetjes së zemrës dhe kompresione në kraharor, por ajo u shpall e vdekur në orën 14:32. Aktorja ishte vetëm 36 vjeçe.

Pas lajmit për vdekjen e saj, një burim tjetër i tha TMZ se Panettiere kishte pasur kohët e fundit probleme me dhimbjet e shpinës. Ndërkohë, burime nga autoritetet i thanë të njëjtit publikim se në vendngjarje u gjet edhe Narcan, një ilaç që përdoret zakonisht për të rikthyer shpejt efektin e mbidozës nga opioidet.

Policia tha se nuk kishte shenja të ndonjë veprimi kriminal dhe as shenja traume në trupin e aktores. Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut Greenville konfirmoi se autopsia ishte kryer, por shkaku përfundimtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar.

