Jennifer Lawrence është në Instagram prej vetëm pak ditësh, por tashmë ka pasur një moment viral me një përgjigje plot humor.
Pas debutimit në rrjetin social javën e kaluar, aktorja 36-vjeçare publikoi një video ku shpjegoi rregullat që do të ndiqte në llogarinë e saj.
“Pra, po i jap një shans [Instagramit] dhe nëse dikush thotë diçka negative, do të largohem. Menjëherë”, tha ajo. “Pa pyetje. Nëse dikush mendon diçka të keqe, unë do ta kuptoj. Do ta kuptoj. Dhe do të largohem.”

Në komentet e postimit, një mikeshë e Jennifer shkroi me humor: “A e di ndokush kush është kjo grua?”
Ylli i “The Hunger Games” iu përgjigj me një batutë: “Një grua me një Oscar më pak se Emma Stone.”
Përgjigjja bëri xhiron e rrjetit dhe është një tjetër shembull i mënyrës se si Lawrence e përdor humorin për të folur për marrëdhënien e saj me Stone dhe me çmimet e mëdha të industrisë së filmit.

Lawrence ka bërë edhe më parë shaka për mënyrën se si ajo dhe Stone janë përballur në gara të ndryshme për çmime. Vitin e kaluar, kur aktorja e “Easy A” mori një nominim nga Shoqata e Aktorëve të Filmit për “Bugonia”, ndërsa Lawrence nuk u nominua për “Die My Love”, ajo foli për rivalitetin e tyre miqësor.
“Ne kemi një grup bisede dhe sot ajo u nominua për një çmim nga Shoqata e Aktorëve, ndërsa unë jo”, tha Lawrence gjatë një interviste në 92NY. “Shkrova ‘ÇFARË!’ dhe të gjithë miqtë e saj po i shkruanin ‘Urime, Emma’, ndërsa unë dërgova vetëm një fytyrë të trishtuar.”
Lawrence vazhdoi me shaka: “Sa herë që ajo përpiqet të më flasë sot, unë i them: ‘Pse nuk po kërkon falje?’ Ajo më ka mundur prej dekadash, por është një nder.”

Në një intervistë për “Vogue” në vitin 2025, Lawrence foli sërish për suksesin e Stone, e cila ka fituar dy çmime Oscar, një për “La La Land” dhe tjetrin për “Poor Things”.
Marrëdhënia mes dy aktoreve duket se mbetet një kombinim i miqësisë, humorit dhe një rivaliteti të ëmbël, ku suksesi i njërës shërben vazhdimisht si material për batutat e tjetrës.




