
Jennifer Lopez e nisi festimin e ditëlindjes së saj pak më herët këtë vit dhe, siç pritej, gjithçka ishte në përmasa spektakolare. Gjatë Javës së Modës në Paris, këngëtarja organizoi një mbrëmje luksoze me miq të ngushtë dhe motrën e saj, Lynda Lopez, duke e kthyer festën në një paradë të vërtetë mode.
Ylli, që mbush 57 vjeç më 24 korrik, bëri plot tre ndërrime veshjesh brenda një nate, duke dëshmuar edhe një herë se di si të jetë në qendër të vëmendjes.
Mbrëmjen e hapi me një fustan transparent me kristale nga Zuhair Murad, të kombinuar me një pelerinë me pupla. Pamjen e plotësuan vathë luksozë nga Chopard, të zbukuruar me diamante dhe perla të bardha. Në Instagram, Lopez ndau disa momente nga festa me mbishkrimin:
"Kjo ndjesi... Festimet e ditëlindjes në Paris!"

Më pas, Jennifer ndryshoi sërish pamje për darkën me miqtë, këtë herë me një fustan korse të zi nga Tamara Ralph, të dekoruar me thekë me rruaza. Look-u u shoqërua me një gjerdan spektakolar Chopard me 209 karatë diamante, vathë 19-karatësh, një unazë me diamant dhe një byzylyk të mbuluar me më shumë se 73 karatë diamante. Me këtë veshje, J.Lo kërceu mbi tavolina dhe preu tortën e ditëlindjes.
Si veshje të tretë, ajo zgjodhi një krijim voluminoz të bardhë Stéphane Rolland Haute Couture, me detaje transparente dhe shkëlqyese. Pamja u kompletua me një set bizhuterish Chopard, ku spikasnin mbi 42 karatë rubinë dhe më shumë se 112 karatë diamante.
Nëse kishte ndonjë dyshim se Jennifer Lopez di si të festojë ditëlindjen, festa e saj në Paris e hoqi përfundimisht. Tre fustane, qindra karatë diamante dhe një natë që dukej si një sfilatë mode ishin receta perfekte për një festim që vetëm J.Lo mund ta realizojë.



