
Përshëndetje! Përmes kësaj letre dua të ndaj historinë time te ju, në mënyrë që edhe njeriu im i zemrës ta shikojë sepse nuk kam guxim ta dërgoj direkt tek ai. Anonim ju lutem. Letra është kjo:
Që ditën e parë kur folëm, ndjeva sikur kisha kohë që të njihja. Nuk e di për ty, por unë e kuptova që ne do kemi një histori. Pra, nuk do mbaronte vetëm me atë natë, as me muaj. Unë e ndjeva se çfarë do krijohej.
Kur çdo gjë u thellua, e mendoja shpesh se si do ishte jeta ime nëse nuk do të të kisha njohur ty. Po tani që më le, si do të jetë jeta ime pa ty? Eh, s'e kam një pergjigje, sepse kurrë nuk e mendova veten të ndarë nga ti. E pyesja veten "po nëse vjen kjo ditë?". Ama s'i jepja përgjigje sepse mendoja që nuk do vinte kurrë, aq më tepër në këtë periudhë të jetës time. Por, pavarësisht çdo gjëje, unë dua të të shpreh falenderimin për çdo sekondë tonën.
E di, nisi rastësisht, por ishte një rastësi që më nxorri nga një pus i thellë me ujë, në një vend të sigurt dhe të ngrohtë. M'u kushtëzua liria dhe nuk kisha asgjë veç teje, por pse u ndjeva plot vetëm me ty? Më thonë që kam bërë gabim, por pse se pashë kurrë si gabim?
Në 5 vite e gjysmë tonat, 3 vite ishin çdo sekondë me ty, por pa asgjë tjetër veç teje. Dhe unë e ndiej të të shpreh falenderimin për ato vite, por të tjerët pse me shikojnë si të çmendur? Më thonë "të mori lirinë dhe të flaku tutje", por unë them se u ndikove nga familjarët dhe arritëm këtu ku jemi tani.
Mua nuk më mungoi asgjë sa të kisha ty. Edhe tani nuk më mungon asgjë tjetër veç teje. Të tjerët më thonë "urreje, sepse të humbi shumë nga jeta, të bëri antisociale, të bëri me ankth, të humbi mundësitë që çdo i ri i do në jetën e tij, të bëri me depresion të thellë, të ndikoi shumë seriozisht në shëndet", kurse unë të shpreh mirënjohje sepse më dhe dashurinë që nuk e kisha marrë kurrë nga asnjë njeri.
Ata më thonë "ai as nuk të deshi", ashtu siç më the ti ditën e fundit, që "nuk më deshe kurrë", por unë e di çfarë ndërtuam ne dhe sa më deshe ti. Unë e di edhe sa më durove ti, prandaj të shpreh falenderimin sepse në 25 vite jetë, unë jetova 3 vite me dashuri pa kushte.
Ata më thonë "të vuri kushte, të mori çdo gjë, të mbylli brenda 4 mureve", por unë u them "jo, ai vetëm më mbrojti. Më mbrojti nga një botë e egër dhe i jam falenderuese." Më thonë që më përdore, por unë e kam parë shikimin tënd drejt meje dhe e di që më deshe shumë, por më urreu familja jote.
Më thonë që "po të donte nuk ndikohej nga familja", u thashë që më doje, por rrethoheshe nga njerëz të ligë që ndoshta të manipuluan me mënyra të dëmshme. Më thonë "ti tentove të privoje jetën tënde, ndërsa ai u bind kundër teje". Më thonë "të përdori, se ndalesën nga familja e kishte gjithmonë, por zgjodhi të tallej me ty, të të bënte ta besoje për 3 vite dhe më pas hoqi dorë" e unë u thashë "s'e besoj kurrë këtë që po më thoni". Më thonë "po pse e bëri?". Unë nuk dhashë përgjigje sepse dua të të besoj ty me çdo gjë që më ke thënë.
Më the "të kam hënë dhe fëmijët tanë do jenë yjet", të thashë "të lutem, mos më premto nëse nuk e mban fjalën". Më pe në sy dhe nuk dyshova fare, unë e di se nuk më genjeve, por nuk e di se çfarë ndodhi 2 vitet e fundit.
I dhuruam njëri-tjetrit dhe 2 yje ne qiell dhe u premtuam përjetësinë, por akoma nuk e di se çfarë ndodhi këto 2 vite. Më thonë që bëra gabim që t'u binda për çdo gjë, atyre nuk u kthej përgjigje, por vetes i them "e bëra, se e doja pafund një familje me ty".
A kërkova shumë? S'e di çfarë thua ti, por unë synova atë ëndërr që ndërtuam bashkë. Mos ndoshta të bezdisa se të desha më shumë se çdo gjë? Por, në fillim ti më mësove të të doja kaq fort, se unë nuk dija të doja as veten time.
Më mësove si është të flesh gjumë pranë njeriut që do më së shumti në botë, më mësove si është të ushqehesh me shpirtin e shpirtit tënd. Nuk jam e penduar që të dhashë çdo gjë sepse po më thonë që ia dhashë njeriut të gabuar e unë u them që "ishte i duhuri, por nuk e di çfarë ndodhi".
Më thonë që nuk jam mirë, por nuk më ndihmojnë e pikërisht këtu kuptoj që bëra gabim që nuk pranova ndihmën tënde. Të jam falenderuese për ndihmën që deshe të më japësh, por nuk e vlerësova.
Të jam falenderuese që zgjoheshe natën dhe më pyesje nëse isha mirë, por unë s'e kuptova dot. Të jam falenderuese për çdo herë që më shpëtove jetën edhe pse më mirë do ishte të mos isha shpëtuar.
Kam kuptuar që nuk di të dua ose që nuk e shpreh në mënyrën e duhur, por e di që ti e di sa të desha. Të them "më fal" që nuk të qëndrova pranë në momentin kur kishe më shumë nevojë, por ti e di arsyen pse.
Po më thonë që duke mos të të urryer ty, unë po shfaq mosrespekt ndaj vetes. Dhe unë mund të të urrej vetëm me fjalët e poezisë nga filmi "10 things I hate about you", por ama në versionin tonë:
E urrej mënyrën si më fole kohët e fundit, por jo mënyrën si më flet vërtet.
E urrej mënyrën si ecëm me makinë atë ditë, por jo si ecnim me makinë kur dilnim bashkë.
E urrej si më pe ditën e fundit, por jo si më pe çdo ditë të këtyre viteve.
E urrej jorganin tënd të verdhë me kukulla
dhe mënyrën si më kupton pa folur.
Të urrej aq shumë sa më bën të urrej veten time pse të urrej ty.
E urrej mënyrën si më kupton gjithmonë nga zëri.
E urrej kur më gënjen edhe kur e di që po e kuptoj se po gënjen.
E urrej kur më bën të qesh ndërkohë që po qaj, ama e urrej edhe kur më bën të qaj shumë fort, aq sa harroj nëse jam në jetë.
E urrej kur nuk je pranë meje, urrej dhe që nuk ta kam dëgjuar zërin këto 2 muaj dhe që nuk kam guxim as të dëgjoj videot e tua.
Urrej që nuk të urreva dot në asnjë të keqe që më bëre dhe më shumë urrej faktin që nuk të urrej dot kurrë.
Dhe sot më mirë se kurrë, kuptoj këtë pjesë nga Gabriel García Márquez:
"Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd. Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera. Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden, që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri…"
Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.
Të jam falenderuese për çdo çast që ishe "niqi jeme" për mua, por nuk të jam falenderuese për frikën që kam prej teje, frikën të shikoj fotot tona edhe pse më merr malli t'i shikoj çdo sekondë. Mbyll sytë nëse më del një foto e jotja pa dashje, nuk të shikoj se më shkatërrohet shpirti.
Do të kisha dashur të të isha falenderuese për gjithë jetën, që në 2019-ën më nxorre nga errësira në dritë, por të jam falenderuese vetëm për 3 vite, sepse ti më le pikërisht aty ku më more.
- Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].