
Kanye West ka rikthyer vëmendjen te marrëdhënia e tij me ish-bashkëshorten, Kim Kardashian, këtë herë përmes kritikave mbi mënyrën se si ajo po rrit fëmijët e tyre. Gjatë një transmetimi live në Instagram, reperi tha se ishte “lodhur duke pretenduar se gjithçka është në rregull” dhe se donte t’i drejtohej Kardashian jo si ish-partner,e por si nëna e fëmijë të tij.
West e akuzoi Kim se është tepër e përfshirë në punë, xhirime dhe projekte të ndryshme, duke pretenduar se fëmijët kanë nevojë për më shumë stabilitet në jetën e përditshme. Ai kritikoi gjithashtu punësimin e dadove, duke thënë se ato, sipas tij, po marrin përsipër një pjesë të madhe të rolit prindëror.
“Fëmijët kanë nevojë për një shtëpi që të ndihet si shtëpi, jo një tjetër set”, u shpreh ai.

Një pjesë e veçantë e kritikave të tij ishte e drejtuar ndaj vajzës së tyre, North West. Kanye komentoi mënyrën se si ajo vishet, duke pretenduar se stili i saj është “si i vajzave të rritura"dhe se shpesh duket si një version i vogël i markës së familjes Kardashian-Jenner.
Sipas tij, North duhet të ketë mundësinë të sillet dhe të vishet si një fëmijë, pa u përfshirë kaq herët në imazhin dhe botën e modës së familjes. Komentet e reperit vijnë në një kohë kur edhe në rrjetet sociale Kim Kardashian është kritikuar për mënyrën se si vendos kufij për vajzën e saj.

North, e cila tashmë është 13 vjeç, ka tërhequr vëmendjen kohët e fundit për disa ndryshime në pamjen e saj, përfshirë piercing dhe një tatuazh të përkohshëm në fytyrë. Këto zgjedhje kanë nxitur debate online rreth asaj se sa të përshtatshme janë për moshën e saj.
Në diskutim janë përfshirë edhe profesionistë të fushës së shëndetit, të cilët kanë paralajmëruar për rreziqet e disa llojeve të piercing-ut, veçanërisht kur bëhen në zona delikate si gishtat. Mes shqetësimeve të përmendura janë infeksionet, irritimi, shenjat e përhershme dhe dëmtimi i indeve.
Ndërkohë, kritikat e Kanye West vijnë në një periudhë kur marrëdhënia e tij me Kim Kardashian dhe mënyra se si ata bashkëprindërojnë fëmijët e tyre ka qenë prej kohësh objekt diskutimesh publike. Deklaratat e tij të fundit kanë rikthyer sërish vëmendjen te mënyra se si dy prindërit e njohur po përpiqen të menaxhojnë rritjen e fëmijëve nën vëmendjen e vazhdueshme të publikut.


