
Ardhja e Kanye West në Tiranë u prezantua fillimisht si një nga eventet muzikore më të mëdha të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Një prej artistëve më të njohur në botë, një stadium i përkohshëm i ngritur posaçërisht për koncertin dhe dhjetëra mijëra spektatorë të pritshëm krijuan idenë se Tirana, për një natë, do të bëhej pjesë e hartës së koncerteve të mëdha ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar për eventin, koncerti organizohet nga Streetlife, një kompani produksioni me bazë në Berlin, në bashkëpunim me RedCloud në Tiranë. Në të njëjtin njoftim thuhet se partnerët organizues do të mbulojnë kostot që lidhen me ndërtimin e infrastrukturës së përkohshme, produksionin artistik dhe realizimin teknik të koncertit.
Por zhvillimet e ditëve të fundit e kanë nxjerrë koncertin nga korniza e një aktiviteti privat. Me miratimin e rreth 4 milionë eurove nga buxheti i shtetit, ai është kthyer në një çështje me interes publik, ku debati nuk lidhet më vetëm me eventin, figurën e Kanye West apo ndikimin kulturor të koncertit, por edhe me mënyrën se si përdoren fondet publike.
Në fillim, qëndrimi zyrtar ishte i qartë: koncerti nuk do të financohej nga shteti. Në një përgjigje të datës 10 qershor, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit deklaroi për Citizens.al se për aktivitetin “nuk është parashikuar asnjë fond publik, grant, subvencion apo mbulim shpenzimesh nga buxheti i shtetit” dhe se organizimi financohej tërësisht nga organizatorët privatë.
Më 6 korrik, kjo situatë ndryshoi.
Si hyri buxheti i shtetit në koncert
Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3, me të cilin autorizohen 400 milionë lekë, rreth 4.2 milionë euro, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare. Akti lidhet me koncertin e Kanye West, i planifikuar të mbahet në Tiranë më 11 korrik 2026.
Me fjalë të thjeshta, ky akt i jep Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit fondin prej 400 milionë lekësh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe e autorizon ministrinë të lidhë marrëveshje me kompaninë organizatore për disbursimin e shumës. Akti hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Një akt normativ me fuqinë e ligjit nuk është një procedurë e zakonshme buxhetore. Ai përdoret nga qeveria në raste nevoje dhe urgjence, përpara se të kalojë në procedurë parlamentare. Prandaj pikëpyetja nuk është vetëm nëse shteti mund të mbështesë financiarisht një aktivitet kulturor apo turistik, por nëse ky rast plotësonte kriterin e nevojës dhe urgjencës që justifikon përdorimin e një akti normativ.
Në këtë pikë, diskutimi kalon nga polemikat e rrjeteve sociale te ligji, procedura dhe transparenca në përdorimin e financave publike.
Pse nuk mjafton të thuash “interes publik”
Ndryshe nga sa perceptohet shpesh në diskutimet publike, fondi rezervë nuk është domosdoshmërisht i njëjtë me fondet për emergjencat civile; ai është krijuar për të mbuluar shpenzime jo të përhershme dhe të paparashikuara në momentin e hartimit të buxhetit. Për këtë arsye, çështja nuk është vetëm nëse koncerti përbënte apo jo një “emergjencë”, por nëse financimi i tij plotësonte kriteret ligjore për t’u mbuluar nga ky fond dhe nëse kjo është argumentuar mjaftueshëm për publikun.
Pikërisht këtë dallim shpjegon ekspertja ligjore Dea Nini për Citizens.al. Sipas saj, ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, e koncepton fondin rezervë si një instrument të jashtëzakonshëm të administrimit të financave publike, i destinuar për situata të paparashikuara.
Nini argumenton se fondi rezervë mund të përdoret vetëm për shpenzime që nuk janë të përhershme dhe nuk kanë mundur të parashikohen objektivisht gjatë përgatitjes së buxhetit. Sipas saj, standardi ligjor “nuk lidhet thjesht me faktin që një shpenzim nuk është planifikuar, por me pamundësinë objektive për ta planifikuar atë”.
Nga ky këndvështrim, fakti që një aktivitet mund të prodhojë përfitime ekonomike, turistike apo kulturore nuk mjafton, në vetvete, për të justifikuar përdorimin e fondit rezervë. Për ta justifikuar juridikisht, argumenton Nini, duhet të provohet se shpenzimi ishte objektivisht i paparashikueshëm dhe nuk mund të financohej përmes procedurave të zakonshme buxhetore.
Debati juridik lidhet edhe me përdorimin e Aktit Normativ. Sipas saj, duhet bërë dallimi midis interesit publik dhe standardit kushtetues të “nevojës dhe urgjencës”, të parashikuar nga neni 101 i Kushtetutës. Edhe nëse pranohet se aktiviteti ndjek një interes publik, kjo nuk e përjashton detyrimin për të provuar ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme që justifikojnë shmangien e procedurës normale parlamentare.
Në këtë rast, argumenton ajo, pikëpyetja bëhet edhe më e fortë sepse koncerti nuk ishte një aktivitet i lindur papritur. Ai ishte planifikuar prej kohësh, kishte kaluar nëpër negociata, marrëveshje kontraktore dhe përgatitje organizative. Relacioni shoqërues i Aktit Normativ, sipas Ninit, nuk e lidh urgjencën me paparashikueshmërinë e vetë aktivitetit, por me pasojat që mund të sillte anulimi i tij në një fazë të avancuar të organizimit.
Përpos kësaj, një tjetër element lidhet me procedurën që duhet ndjekur për përdorimin e fondit rezervë. Sipas ekspertes, neni 45 i ligjit nr. 9936 kërkon një procedurë të detajuar, e cila përfshin një kërkesë të argumentuar, shpjegimin e arsyeve pse shpenzimi nuk ishte planifikuar, produktet që pritet të realizohen, kontributin në objektivat e institucionit dhe analizën e alternativave të tjera buxhetore.
Një shqetësim tjetër: gara, precedenti dhe interesi publik
Anabel.al u konsultua edhe me dy eksperte të tjera ligjore për çështjen. Njëra prej tyre, e cila foli në kushte anonimati, u shpreh se ishte dakord me analizën e Dea Ninit mbi përdorimin e fondit rezervë dhe Aktit Normativ në këtë rast.
Edhe avokatja Dr. Irena Dule ndan të njëjtin shqetësim dhe ngre edhe disa probleme të tjera.
“Unë do të shtoja se, së pari, interesi publik nuk është demonstruar. Kjo del qartë nga fakti që në fillim të organizimit nuk kishte financim nga buxheti i shtetit. Kur interesi publik del rrugës, pasi interesi privat po dështon, kjo është qepje e ligjit për të ndihmuar biznesin e favorizuar.
Së dyti, akti, në shmangie të të gjitha kritereve të cituara në shkrim, si emergjenca dhe interesi publik, ka shmangur edhe garën si efekt anësor, pasi ka destinuar fonde për një subjekt pa iu nënshtruar garës.
Së treti, kjo krijon një precedent që çdo organizator në të ardhmen të marrë përsipër evente të mëdha dhe, pesë ditë përpara, në rast dështimi të shitjes së biletave, pa shkak ose për shkak të keqmenaxhimit, të mbështetet nga fondi rezervë,” u shpreh Dule për Anabel.al.
Çfarë thotë qeveria për 4 milionë eurot
Nga ana tjetër, qeveria e ka mbrojtur financimin e koncertit si një investim me ndikim ekonomik dhe promovues për vendin. Në një reagim publik, kryeministri Edi Rama deklaroi se 4 milionë eurot u vunë në dispozicion “në minutën e fundit” për të shmangur, sipas tij, turpërimin e Shqipërisë përballë afro 25 mijë vizitorëve të huaj nga rreth 80 vende, të cilët kishin blerë bileta për koncertin.
Edhe relacioni shoqërues i Aktit Normativ, sipas raportimeve publike, argumenton se organizatorët iu drejtuan Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit vetëm disa ditë përpara miratimit të financimit, duke kërkuar mbështetje institucionale dhe financiare për garantimin e zhvillimit të aktivitetit. Në dokument thuhet se eventi rrezikonte të mos realizohej për shkak të rritjes së konsiderueshme të kostove gjatë fazës së organizimit dhe nevojës për të përmbushur disa detyrime kontraktore të rëndësishme.
Rama ka argumentuar gjithashtu se koncerti pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Sipas tij, Shqipëria mund të përfitojë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura nga rritja e rezervimeve, konsumit dhe aktivitetit ekonomik që pritet të shoqërojë eventin.
Anabel.al nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë parashikim ekonomik dhe as metodologjinë mbi të cilën është mbështetur kjo shifër.
Pyetjet që mbeten pas argumentit të qeverisë
Kryeministri ka kundërshtuar edhe kritikat se fondet mund të ishin përdorur për prioritete të tjera publike, duke përmendur vendimet e fundit të qeverisë për financime shtesë në sektorin e shëndetësisë. Megjithatë, këto argumente nuk i japin përgjigje disa prej pyetjeve: pse u bë e nevojshme ndërhyrja e shtetit vetëm pak ditë përpara koncertit, cilat shpenzime konkrete do të mbulohen nga fondi rezervë dhe mbi çfarë analize është bazuar vlerësimi se eventi do të prodhojë përfitime ekonomike në shkallën e deklaruar.
Kjo nuk do të thotë se koncerti, në vetvete, është i panevojshëm apo se eventet e mëdha ndërkombëtare nuk mund të sjellin përfitime për Shqipërinë. Koncerte të tilla mund të tërheqin vizitorë, të rrisin rezervimet në hotele, konsumin në bare e restorante dhe ekspozimin ndërkombëtar të vendit.
Debati është ky: kur një aktivitet privat financohet, qoftë edhe pjesërisht, me para publike, ai nuk mbetet më vetëm një çështje organizimi apo shijesh muzikore, por bëhet objekt i kontrollit publik dhe i kërkesës për transparencë.
Pikërisht për këtë arsye, qytetarët kanë të drejtë të dinë pse u mor ky vendim, pse u mor në këtë moment, cilat kosto do të mbulohen nga fondi rezervë, cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij financimi, çfarë përfiton shteti në këmbim dhe mbi çfarë baze u arrit në përfundimin se ky ishte një rast që justifikonte përdorimin e fondit rezervë.
Biletat dhe pyetja: çfarë përfiton shteti?
Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje lidhet me ecurinë e shitjes së biletave. Kompania e përfshirë në realizimin në terren të eventit në Tiranë, RedCloud, bëri të ditur për Monitor.al se deri në fund të muajit maj ishin shitur rreth 25 mijë bileta. Sipas saj, pragu që koncerti të rezultojë ekonomikisht i leverdishëm është rreth 40 mijë bileta të shitura, ose 67% e kapacitetit.
Anabel.al nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur numrin aktual të biletave të shitura. Megjithatë, në mungesë të një shpjegimi të plotë publik, edhe ky mbetet një element që shton nevojën për sqarim mbi arsyet e ndërhyrjes së shtetit dhe mënyrën se si do të përdoren fondet publike.
Vlen të shtohet edhe se nëse shitja e biletave dhe subjektet kryesore të përfshira operojnë jashtë vendit, aktualisht është e paqartë se çfarë pjese e të ardhurave nga shitja e biletave tatohet në Shqipëri dhe çfarë përfitimi fiskal të drejtpërdrejtë ka buxheti i shtetit nga ky komponent i eventit.
Pyetjet drejtuar Streetlife dhe RedCloud
Për të përfshirë edhe qëndrimin e palëve të përmendura në organizimin e eventit, Anabel.al ka kontaktuar si Streetlife ashtu edhe RedCloud. Pyetjet e dërguara lidhen me arsyet e përfshirjes financiare të shtetit, zërat konkretë ku pritet të përdoret fondi i miratuar, mënyrën e administrimit të këtij fondi, ecurinë e shitjes së biletave, strukturën e të ardhurave nga biletat dhe ndikimin e pritshëm ekonomik e turistik të eventit. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigje. Nëse Streetlife ose RedCloud do të reagojnë më vonë, artikulli do të përditësohet.
Tirana mund të synojë më shumë, por duhet të shpjegojë më mirë
Tirana ka çdo të drejtë të synojë koncerte që e vendosin në hartën kulturore ndërkombëtare, por kjo ambicie nuk e zëvendëson nevojën për llogaridhënie. Në momentin që një event i prezantuar fillimisht si privat financohet edhe me para publike, ai nuk është më vetëm një koncert, sepse bëhet një vendim publik dhe çdo vendim publik kërkon: sqarim, argumentim dhe përgjegjësi.
Një koncert i Kanye West mund të jetë spektakël, por mënyra se si shpenzohen paratë publike nuk duhet të mbetet kurrë prapa skenës.
Shënim: Anabel.al e raportoi lajmin për koncertin e Kanye West në Tiranë më 30 prill, kur ai u bë publik, si një lajm me interes kulturor/showbiz, përfshirë edhe polemikat që kanë shoqëruar artistin vitet e fundit. Më vonë, Anabel ka pasur një marrëveshje promovimi vetëm në Instagram me RedCloud, të nënshkruar përpara zhvillimeve të fundit dhe përpara përfshirjes financiare të shtetit në event. Kjo marrëveshje nuk ka përcaktuar linjën editoriale të Anabel.al apo përmbajtjen e këtij artikulli.