Horoscope

Karakteristikat e Peshores sipas Linda Goodman

Edhe ata njerëz që nuk janë të fiksuar me horoskopin, me siguri që janë kuriozë dhe kanë lexuar për karakteristikat e shenjave. Linda Goodman, një ndër astrologet më të shitura sipas New York Times, ka bërë një përshkrim të detajuar të karakteristikave të çdo shenje të zodiakut.

Personat e shenjës së Peshores i duan njerëzit shumë, por ndërkohë urrejnë turmat e mëdha me shumë njerëz. Si pëllumba të paqes, ata bëjnë ndërmjetësin kur të tjerët grinden, e megjithatë u pëlqen te jenë pjesë e një debati të fortë. Ata janë natyra të dashura dhe të këndshme, por gjithashtu mund të bëhen të zymtë dhe të refuzojnë të marrin urdhra.

Njerëzit e shenjës së Peshores janë jashtëzakonisht inteligjentë. Në të njëjtën kohë, ata janë tepër naivë dhe të pafajshëm. Ata do t'ju lodhin veshët me fjalët e tyre, por sërish janë dëgjues të mrekullueshëm. Peshoret janë njerëz të paduruar, por rrallë veprojnë me nxitim. Ka një paqëndrueshmëri frustruese në këtë shenjë Dielli, që intrigon vetë Peshoren më shumë se njerëzit e tjerë.

Shumë njerëz do t'ju thonë se te një njeri i shenjës së Peshores ka plot dashuri, bukuri dhe ëmbëlsi, si brenda ashtu edhe jashtë tij. Ky fakt qëndron për një farë kohe, por jo për shumë gjatë apo përgjithmonë. Nuk duhet të mendoni se këta njerëz janë gjithmonë të ekuilibruar, meqë shenja e tyre simbolizohet nga peshorja e artë e drejtësisë. Në fund të fundit, qëllimi i peshores është të balancojë, pra të peshojë.

A e keni parë ndonjëherë procesin e peshimit te një peshore e modës së vjetër? Qëllimi përfundimtar është që të dyja anët e peshores të jenë në një nivel, por çfarë ndodh? Së pari njëra anë është më e ulët, ndërsa tjetra është më lart. Ato lëvizin lart e poshtë, deri sa arrijnë të balancohen dhe të arrijnë një ekuilibër të përsosur. Shkoni dhe kërkoni një peshore të tillë dhe shikoni se si funksionon ajo. Do t'ju ndihmojë shumë të kuptoni edhe njerëzit e shenjës së Peshores.

Pas kësaj, nuk do ta keni më imazhin e një personi të shenjës së Peshores si një njeri të qetë, të ëmbël, të këndshëm, të hijshëm dhe me një ekuilibër të përkryer. I tillë ai do jetë vetëm gjysmën e kohës, sepse gjysmën tjetër ai mund të jetë i bezdisshëm, grindavec, kokëfortë, i shqetësuar, i stresuar dhe i hutuar. Peshorja është një herë lart dhe pastaj poshtë. Papritmas, anët e peshores arrijnë të balancohen dhe arrihet ekuilibër i përsosur. Ky është një moment hyjnor! 

Paraqitja fizike e këtyre njerëzve mund të kërkojë pothuajse po aq përqëndrim sa nevojitet për personalitetin e tyre. Nuk ka një tipar tipik të Peshores, përveç nëse është “gropëza në faqe” e Afërditës. Tiparet e Peshores janë pothuajse gjithmonë të rregullta dhe të mirëvendosura. Këto tipare janë të këndshme, por jo shumë të dukshme, kështu që është më e lehtë për të filluar me gropëzat. Zakonisht do të jetë një çift gropëzash në faqe ose vetëm një në mjekër. Nëse ato nuk ndodhen në fytyrë, mund të kontrolloni për të parë nëse janë në gjunjë. Por bëjeni këtë me kujdes, sepse vajzat e shenjës së Peshores nuk do t'ju besojnë kur t'u kërkoni t'u shihni gjunjët “sepse do të shohshë nëse kanë lindur në tetor”.

Për meshkujt e Peshores prisni t'ua shihni në plazh ose duke luajtur tenis. Mos u dekurajoni nëse i shikoni gropëzat, por zbuloni se personi nuk ka lindur në tetor. Ato gropëza kanë arsye pse janë aty, sepse ashedenti duhet të jetë Peshore, prandaj hamendimi juaj është ende e saktë.  

Pasi të keni studiuar gropëzat e Afërditës në fytyrë dhe jashtë saj, vini re pamjen e gjithë fytyrës. Njerëzit e shenjës së Peshores gjithmonë do të kenë një shprehi në dukje të këndshme. Edhe kur Peshorja është e zemëruar, ai ose ajo do të arrijë të duket i qetë, ose të paktën neutral. Zëri i udhëhequr nga planeti i Afërditës, është zakonisht i ëmbël dhe i qartë si një zile dhe këta njerëz shumë rrallë mund ta ngrenë zërin apo të bërtasin. Një Peshore është personi i vetëm në tokë që mund të thotë, "Unë të urrej dhe tani do të të fus një grusht turinjve” dhe të tingëllojë sikur është duke lexuar disa vargje nga poezitë e dashurisë së shkrimtarit tuaj të preferuar.  

Goja është zakonisht në formë harku dhe buzët do të ishin përshkruar nga ndonjë poet si “buzë qershie”. Në fakt, fytyra tipike e Peshores ju kujton një kuti me bonbone. Ose me biskota të sheqerosura. Disa prej tyre duken si ëmbëlsira në formë njeriu, apo si një krem karamel i mbushur me krem pastiçerie në krye. Njerëzit e kësaj shenje i pelqejnë shumë të gjitha këto ëmbëlsira dhe nëse ndonjë Peshore është duke e lexuar këtë tani, duhet të ndihet i uritur në këto momente.

Gratë janë pothuajse gjithmonë tërheqëse dhe meshkujt janë zakonisht të pashëm. Megjithatë, jo të gjithë njerëzit e bukur në botë janë të shenjës së Peshores; bukuria e Afërditës është një kategori në vetvete dhe nuk është e lehtë për ta ndarë atë nga pamjet e bukura të jashtme të shenjave të tjera të Diellit. Edhe Peshoret e rralla që mund të quhen të shëmtuara (dhe do të jetë e pazakontë të gjesh një të tillë), kanë një shprehje të tillë simpatike, që mjafton për t'u bindur se ka diçka vërtet të këndshme në fytyrën e tij/saj.

Asnjëherë nuk do të shihni një person të shenjës së Peshores që nuk do të ketë një buzëqeshje të butë, si një re të bardhë. Kjo buzëqeshje e Afërditës, mund të shkrijë edhe një copë çokollatë me shpejtësi të madhe. 

Shumica e Peshoreve janë me forma të lakuara. Flokët e tyre shpesh janë me onde ose kaçurrela. Nuk janë domosdoshmërisht të shëndoshë (edhe pse një ashedent te Demi mund të bëjë që disa prej tyre të jenë mjaft të shëndoshë). Megjithatë, mund t'ju habisin kur pas një diete të fortë të arrijnë një formë të shkëlqyer fizike. Por edhe pas kësaj, format e rrumbullakosura do të jenë të dukshme. 

Kur anët e peshores të njerëzve të kësaj shenje janë të balancuara, takimi me këtë person do jetë si me një engjëll nga parajsa. Problemi është që njeriu i shenjës së Peshores lëkundet sa lart poshtë. Në fillim ata flasin shmë dhe monopolizojnë bisedën. Pastaj dëgjojnë me vëmendjen dhe me interesin që u ka hije. Kur të tjerët janë duke bërë debat me një njëri-tjetrin, ata luajnë rolin e paqebërësit dhe ulin gjakrat. Pastaj kalojnë në anën tjetër të diskutimit dhe fillojnë një debat, thjesht për kënaqësinë e tyre.

Peshoret kërkojnë harmoni. Megjithatë, shumë njerëz të kësaj shenje përfshihen në situata aspak harmonike, si për shembull kequshqyerja, alkooli apo dashuria tronditëse dhe fatale. Kjo shenjë në vetvete është e njohur si Peshorja përtace, por dhe kjo është një tjetër mospërputhje. Për ditë, javë apo muaj të tërë, njerëzit e Peshores do të djegin tonelata me energji gjatë gjithë ditës dhe të zgjohen sërish që herët në mëngjes. Papritmas, ata do të lëshohen në një karrige duke thënë "Jam i rraskapitur" dhe të japin shfaqjen më të mirë që keni parë ndonjëherë (sidomos pas gjithë atij aktiviteti marramendës). Pasi ata të lëshojnë këtë deklaratë, nuk do ti shihni më të lëvizin asnjë muskul, edhe sikur të munden. Do jetë stëmundim për ta të lëvizin një lugë apo të ngrenë një gotë. Nëse dikush rrotull tyre mund t'i ndihmojë, njerëzit e Peshores, do të presin prej tyre, duke qëndruar këmba mbi këmbë.  

Kur njëra anë e peshores zbret në drejtim të letargjisë, ju nuk mund ta nxirrni Peshoren me lehtësi nga kjo situatë. Ata do të flasin, lexojnë, do të mërziten, do të ndihen të përgjumur, do të shohin televizor apo thjesht do ngulin sytë nga dritarja dhe do të duket sikur mezi do të shkojnë deri në dhomën e gjumit (edhe pse munden). Gjithë zhurmat dhe bërtitjet në botë nuk do t'u bëjnë asnjë përshtypje.

Pas një periudhe, kur rikuperojnë forcat, do të ndiejnë sikur një rrymë energjie ndizet dhe fillon të lëvizë nga poshtë lart. Duart dhe këmbët e tyre do të fluturojnë. Edhe një herë tjetër, do të fillojnë të punojnë si një kalë i fuqishëm, duke mbajtur një ekuilibër të mrekullueshëm, të qëndrueshëm dhe me ritëm, ndërkohë që planifikojnë me harmoni dhe efikasitet punët e tyre.

Edhe pse Peshorja nuk është një shenjë e dyfishtë, shumica e miqve të tyre mendojnë se njohin dy njerëz të ndryshëm. Provoni t'i thoni dikujt që e ka parë mikun e tij të shenjës së Peshores kur njëra anë e peshores anonte drejt përtacisë se ai është si një makineri energjike pune dhe do t'ju thotë: “Ai kokrra e dembelit? Mos u tall tani!” – dhe anasjelltas.

Njerëzit e shenjës së Peshores e dinë instinktivisht se për të rivendosur harmoninë në trupin e tyre, duhet të alternojnë aktivitetin e tyre fizik me pushim të plotë. Megjithatë, harmonia e mendjes dhe emocioneve nuk është gjithmonë aq e lehtë me ta. Ata mund të qajnë me ngashërima, pastaj të bëhen sarkastikë, para se të lëshojnë një buzëqeshje ndriçuese dhe të gëzuar si rrezet e para të pranverës.

Kjo nuk ka të bëjë me dualitetin e Binjakëve. Njerëzit e Peshores janë vazhdimisht të zhytur thellë në një emocion dhe pastaj një tjetër që kthehet, që nuk është e njëjta gjë si me ndryshimin e plotë të karakterit të njerëzve të shenjës së Binjakëve. Ka një bollëk emocionesh te Peshorja, pa marrë parasysh se cili emocion është i lartë apo i ulët në një moment të caktuar; si dhe një qasje filozofike si për dhimbjen dhe gëzimin.

Instikti për të patur një shëndet të mirë, bën që shumica e njerëzve të Peshores të jenë mendërisht të shëndetshëm dhe me fizik shumë të mirë. Zakonisht, ata i shmangen goditjeve serioze të trupit dhe mendjes. Kërcënimi më i madh për shëndetin e tyre është teprimi me disa lloj kënaqësish. Kështu, ngrënia e tepërt e ëmbëlsirave mund të sjellë mbipeshë, çrregullime të stomakut dhe lëkurë të rrudhosur. Përdorimi i tepruar i alkoolit mund të shkaktojë shqetësime në veshka dhe në fshikëzën e urinës, të cilat si pasojë mund të kthehen në dhimbje koke të mëdha dhe migrenë intensive. Rënia në depresion mund të shkaktojë ndjesi irrituese në lëkurë, madje edhe djegie. Zona e gjoksit është një pjesë e ndjeshme e trupit dhe ndonjëherë ka probleme me këmbët dhe çrregullime të zorrëve, edhe pse këto nuk janë aq të zakonshme. Ulcerat janë të shpeshta te shumë Peshore, për shkak të luhatjeve te mëdha të ndjenjave dhe nga abuzimi me sistemin e tretjes.

Në përgjithësi, njerëzit e shenjës së Peshores, janë më të shëndetshëm se shumica e njerëzve, përveç rasteve kur harrojnë të pushojnë mjaftueshëm apo kur përfshihen në situata të papërshtatshme. Efekti i paqes dhe harmonisë në shëndetin e Afërditës është i mrekullueshëm. Kur ata janë të sëmurë, ata kanë nevojë për pushim të gjatë dhe të qëndrojnë larg situatave shqetësuese, gjithashtu duhet të jenë në shoqërinë e librave të këndshëm, muzikës së lehtë dhe fjalëve qetësuese. Një atmosferë e tillë rrallë nuk arrin ta bëjë personin tipik të Peshores të ngrihet në këmbët e veta përsëri, më i fortë se më parë.

Karakteri i Peshores tipike është i përbërë nga pjesë të barabarta të mirësisë, butësisë, drejtësisë, aftësisë për të argumentuar, refuzimit kokëfortë, logjikës filozofike dhe pavendosmërisë. Është e nevojshme që t'i shqyrtojmë këta përbërës në mënyrë të detajuar.

Një Peshore do të hyjë në një diskutim të gjatë me ju nëse ju thoni një fjali përgjithësuese si: “Adoleshentët po rrënojnë të ardhmen e këtij vendi". Pas kësaj ju do të dëgjoni një shpjegim të gjatë, logjik, të kujdesshëm në lidhje me temën. Ju pret një diskutim shumë i gjatë nëse rastësisht thoni “Është qesharake të jetosh në qytet, kur ke mundësi të jetosh në fshat. Nuk ka të krahasuar". Fraza e fundit sidomos është një gabim i madh. Vetëm të përmendësh fjalën “krahasim” dhe Peshorja e zakonshme fillon të flasë pa pushim. Peshorja mund të t'i krahasojë gjithë natën, duke pirë ndonjë pije. Për të nuk ka rëndësi se në cilën anë të debatit qëndron, mjafton që të jetë në anën tjetër. Ndonjëherë, në qoftë se mërzitet, mund të ndryshojë pozicionin. Gjatë gjithë këtyre supozimeve të vazhdueshme dhe konkluzioneve llogjike, njeriu i shenjës së Peshores do të përpiqet të mbetet i drejtë. Peshorja urren shfaqjen e padrejtësisë dhe akuzave të paarsyeshme. Ajo që kërkon është e vërteta e plotë, bilanci i saktë që i jep përgjigjen e drejtë, pasi të ketë peshuar të gjitha mundësitë.

Ky është një tipar i admirueshëm, natyrisht, por të gjitha këto analiza që peshonjë mund ta bëjnë një person pozitiv thjesht të largohet. Kjo situatë mund ta bëjë vetë Peshoren të kalojë në një gjendje pavendosmërie të vazhdueshme. Këta meshkuj dhe femra të udhëhequr nga planeti i Afërditës, nuk pëlqejnë të marrin vendime të menjëhershme, pa marrë në konsideratë të gjitha mundësitë. Drejtësia mund të jetë një fiksim apo mani për ta. 

Antipatia për të marrë vendime të menjëhershme mund të kthehet në një bllokim frustrues. Ka disa që nuk mund të vendosin se cilën anë të këpucës do të veshin të parën në mëngjes, apo nga cila anë e krevatit të zbresin. Edhe një Peshore e zakonshme, të cilën e takoni në zyrë apo në një festë, gjithmonë do ta reflektojë tendencën për të peshuar gjërat me njëfarë ankthi dhe do t'i duhet kohë për të marrë një vendim. Ata do të thonë, "Në qoftë se unë bëj këtë, kjo dhe kjo do të ndodhë. Në anën tjetër" (e cila është një nga frazat e tyre më të preferuara) "në qoftë se unë bëj këtë, atëherë kjo dhe kjo mund të ndodhë." Anët e peshores mund të ulen e ngrihen lart e poshtë si të “çmendura” gjatë kësaj kohe.  

Asgjë nuk është më e dhimbshme sesa të shohësh një njeri të Peshores duke u përpjekur për të mbledhur mendjen, nëse është duke marrë vendimin e duhur për të. Ata nuk duan që të nxiten apo të shtyhen, ndërsa janë duke vendosur se çfarë do të bëjnë. Një person i paduruar mund ta kthejë si me magji njeriun e shenjës së Peshores (shenjë ajri) në një person aq kokëfortë, sa do ta bënte Demin, shenjën e Tokës, të duket si dele para tij. Padurimi është një cilësi që Peshoret nuk mund ta tolerojnë. Njerëzit impulsivë që nuk marrin parasysh pasojat, u shkaktojnë atyre shumë ankth.

Është zbavitëse që njerëzit e Peshores gjithmonë do ta mohojnë pavendosmërinë e tyre. Gjëja e parë që ata do të thonë, kur ju do t'u përshkruani shenjën e tyre të zodiakut do të jetë, "Unë nuk jam i pavendosur në të gjitha gjërat. Kjo nuk është e saktë. Kjo nuk më përshkruan mua." Po ta përkthesh, mohimi i tyre do të thotë se, edhe pse u duhet një kohë e gjatë për të vendosur, pasi kanë arritur në një përfundim, ata janë mjaft të bindur në lidhje me të. Nëse u jepet koha e mjaftueshme, vendimi i tyre përfundimtar do të prezantohet me një bindje të tillë, saqë edhe ata vetë do të mendojnë se është vendimi përfundimtar. Por ju mos jini të sigurt. 

Shumë pak njerëz të shenjës së Peshores mund të jenë të çuditshëm apo mendjemëdhenj. Shumica e tyre janë shumë pozitivë dhe të mirëbalancuar si një arë e mbjellë me grurë, të cilat valëzojnë sipas ritmit të erës. Ata janë zakonisht tmerrësisht të ndershëm në çështjet e biznesit dhe ka shumë pak pakujdesi rreth tyre. Një njeri i shenjës së Peshores e urren ekzagjerimin dhe i ka shumë problem shfaqjet e tepërta të zemërimit dhe pasionit, edhe pse ata vetë mund të jenë fajtorë për të dyja këto ekstreme në qoftë se luhet me durimin e tyre.

Shumica e Peshoreve kanë një aftësi fantastike për t'u përqendruar dhe për të menduar për tema të thella. Ata janë të lindur me një dashuri të madhe për librat dhe gëzojnë një respekt të thellë për fjalën e shkruar. Duhet të jeni pothuajse të sigurt që do të gjeni një bibliotekë të madhe në shtëpinë e çdo Peshoreje.

Ata e duan harmoninë e tingujve, ngjyrave, poezinë dhe përdorimin e duhur të fjalëve, si në të shkruar ashtu dhe në të folur. Ata rrallë mund të largohen nga ndikimi i arteve. Një njeri i Peshores pëlqen çdo gjë që është e mirë, e pastër dhe e bukur, nën çfarëdo imazhi që ai mund ta projektojë. Ai është artist në zemër dhe në shpirt, i cili i gëzohet përhapjes së hijeve të buta blu dhe pastel të Afërditës gjatë festave dhe eventeve kulturore. Gjërat që e ndezin janë muzika e lehtë, dritat e zbehta, biseda interesante, ushqimi i mirë dhe vera cilësore. Mendja e tyre ka madhështinë e diamantit dhe butësinë e opalit. Lëvizin me elementin e ajrit dhe pasqyrojnë dobinë e bakrit, metali i tyre i harmonisë. Arsyetimi i tyre i vëmëndshëm ka prekjen e ftohtë të mentes dhe ndjenjën e mprehtë e nderit, së bashku me gjashtë dimensionet e paqes, që ndriçojnë nën rrezet e Afërditës.

Për të kuptuar me të vërtetë personin e shenjës së Peshores, ju duhet të kuptoni enigmën e peshores (objektit); njëra anë e saj është e mbushur me gjethet e arta të Tetorit, që tregon vjeshtën e afërt dhe të ftohtë - ana tjetër ka manushaqet e sapoçelura me aromën e freskët të prillit. Kur anët e peshores fillojnë të lëvizin, optimizmi kthehet në panik të heshtur dhe në zbritje shkon drejt depresionit. Kur anët e peshores balancohen, ato sjellin një harmoni të përsosur midis intelektit të tyre të pasur dhe zemrës së tyre të dashur. Stinët mbajnë sekretin e shenjës së Peshores. Dimri është shumë i ftohtë për të. Vera është shumë e nxehtë. Ata duhet të përziejnë këto dy stinë që të kenë një pranverë dhe vjeshtë të përsosur.

Mashkulli i shenjës së Peshores

Do të merrni shumë këshilla falas nga një mashkull i shenjës së Peshores. Ai do të ketë zgjidhjet e përsosura për të gjitha problemet tuaja dhe një përgjigje për çdo pyetje që ju keni. Por nuk ia vlen të prisni që ai të bëhet përgjigjja për ëndrrat tuaja vajzërore. Ai do të ndryshojë disa prej tyre dhe do të debatojë me pjesën tjetër. Një mashkull i shenjës së Peshores mund të këtë ndonjëherë një temperament shumë të vështirë dhe zakoni i tij për të racionalizuar çdo gjë, duke përfshirë edhe dashurinë, do t'ju acarojë - ose do ta pranoni humbjen më lehtë dhe të largoheni.

Megjithatë, sapo të ngatërroheni me bukurinë e Peshores, nuk do të jetë e lehtë për ju që të qëndroni larg saj. Të përpiqesh të shpëtosh nga kurthet e ngritura për kafshët e egra në një pyll, do të jetë më e lehtë sesa të çlirohesh nga një mashkull i shenjës së Peshores. Nëse ju tentoni t'ia mbathni, ai do t'ju bindë që të qëndroni, duke përdorur logjikën dhe argumenta aq inteligjente, saqë ju nuk mund të shpresoni t'i përmbysni ato nëse nuk diplomoheni më parë në Universitetin e Harvardit. Përveçse do të përdorë pushtetin e tij të pakrahasueshëm të arsyetimit mbi ju, ai do të kthehet në mënyrë kaq të ëmbël dhe të butë, saqë ju do t'i harroni mospërputhjet frustruese të natyrës së tij që ju mërzitën më parë. Pastaj ai do të buzëqeshë dhe diçka do të ndodhë brenda jush. Zemra do të rrahë sërish fort, si më parë.

Që nga ai moment, beteja do të jetë e humbur. Ëndrrat e tij do të jetë ëndrrat tuaja dhe asgjë nuk do të jetë më e rëndësishme për ju, sesa ta bëni atë të lumtur. Ju do ta kërkoni atë buzëqeshje dhe do të keni nevojë për të që të mbijetoni, ashtu si një udhëtar i etur në shkretëtirë ka nevojë për ujë. Vetëm një fëmër me zemër të ngurtë mund t'i rezistojë buzëqeshjes së Peshores dhe ajo do të duhet të përdorë gjithë vendosmërinë e saj për të mos u magjepsur nga çiltërsia dhe pastërtia e saj. Bukuria dhe sharmi i Peshores nuk është si hipnoza bindëse e Akrepit. Tërheqja ndaj Peshores është logjike dhe e vërtetë dhe nuk ka asgjë mbinatyrore në të. Nuk ka magji të zezë, vetëm nënshtrim i arsyeshëm ndaj aureolës së tij qiellore.

Nga ana tjetër, për të përdorur frazën e tij të preferuar të “zënies në grackë”, do të ketë raste kur meshkujt e Peshores do të jenë shumë të luhatur, pasi anët e peshores do të lëvizin lart e poshtë si të çmendura. Do t'ju duhet t'i bërtisni, ose t'i qëndroni në kokë deri sa të merrni vëmendjen e tij dhe ta detyroni të bëjë lëvizjen e duhur. Mos jini aq naive sa të mendoni se dashuria do të jetë e qetë dhe e lumtur përjetësisht, edhe nëse ai është sundohet nga planeti i Afërditës. Nëse e njihni mitologjinë, e dini që edhe kjo perendeshë, kishte ditët e saj të zymta. Megjithatë, kur peshorja të arrijë të balancohet, jeta me mashkullin e shenjës së Peshores mund të jetë kaq dehëse, si të jetë një kupë floriri e mbushur me shumë të qeshura dhe me një lirshmëri, që vetëm perënditë e Olipmit e zotëronin.

Për këtë mashkull, të marrë një vendim përfundimtar është po aq e vështirë sa të zbusë një buall të egër; dhe sapo ai të arrijë ta bëjë këtë, mund ta ndryshojë sërish mendjen e tij pa asnjë paralajmërim, nëse dyshon se është bërë një gabim. Kjo vlen në të gjitha fushat, qoftë në biznes, në shoqëri apo në dashuri. Mund ta imagjinoni gjendjen tuaj shpirtërore dhe aftësinë tuaj për ta izoluar veten nëse ju qëllon që të dashuroheni më një nga këta “magjistarë” të paarritshëm? Është pothuajse e pamundur që të jeni të paprekshëm, sado të kujdesshme të tregoheni. Duhet të ktheheni në çelik, sa herë që ai ju buzëqesh. Apo të vendosni pambuk në vesh kur ai të fillojë argumentet e tij bindëse me atë zë të qetë -si prej mëndafshi - që do t'ju trondisë gjithë qenien.

Fjala “dashuri” dhe fjala “Peshore" janë praktikisht sinonime. Peshorja ka shpikur romancën dhe e ka përpunuar atë në një art edhe me më shumë finesë se Luani, Akrepi dhe Demi, për të cilët është folur shumë. Strategjitë delikate të Kupidit janë talentet natyrale të Peshores. Ai do të përdorë çdo marifet me lehtësinë me të madhe dhe rrallë do të dështojë për ta bërë të tijën cilëndo femër. Megjithatë, sapo e zotëron atë, ai nuk është gjithmonë i sigurt çfarë të bëjë me të. Duke e patur atë të magjepsur dhe të nënshtruar në mënyrë të vullnetshme, ai heziton. A duhet ai të përfitojë nga gjendja e saj e pafuqishme apo duhet t'i propozojë martesë? Apo të dyja? Apo asnjërën? Lufta mendore fillon dhe jeta në kopshtin e Edenit me këtë Adam të veçantë bëhet emocionuese deri në ekstazë.  

Ai nuk do të humbasë interesin për gjininë e kundërt derisa të shkojë të paktën nëntëdhjetë vjeç. Ky mund të jetë thjesht një interes akademik, nëse ai është lumturisht i martuar, por subjekti nuk do të jetë asnjëherë jashtë interesit të tij, edhe sikur ai thjesht të imagjinojë se si do të jetë të kërcejë me atë vajzë të bukur në një sallë vallëzimi.

Duke qenë se arti i dashurisë vjen kaq natyrshëm dhe shumë herët te meshkujt e shenjës së Peshores dhe meqë ai pothuajse gjithmonë merr kurorën e suksesit në ekskursionet e tij romantike në xhunglën e dashurisë, atij i ndodh që të ngatërrohet në shumë nga degët e pemëve të pyllit. Peshorja urren të lëndojë ndjenjat e dikujt, edhe pse ai nuk është në dijeni të dëmit që ka shkaktuar, nëse ndodhet në një gjendje shpirtërore argumentuese. Ai urren të thotë jo dhe rrallë e kupton se shtyrja e gjërave është më e dëmshme se t'i japë fund një situate në të cilën nuk ka mundësi për të qenë i lumtur. Në situatën e kundërt, kur ndjenjat e tij janë shumë sublime, agonia e zgjatur mund të jetë po aq torturuese. Vetëm një mashkull i shenjës së Ujorit, mund të jetë më i turpshëm se Peshorja për të bërë një lëvizje drastike në një drejtim apo në një tjetër. Nëse ai ndjen se ka qenë i padrejtë me dikë në jetën e tij, me ju ose me dikë tjetër kohët e fundit (në aspektin romantik) pavendosmëria e tij do të jetë shumë e dhimbshme. Për të, të jesh i padrejtë është sikur të kesh bërë një vrasje të shkallës së parë. Ngurrimi për të qenë mizor, mund ta shtyjë atë në një propozim të gabuar martese, i destinuar për të përfunduar në divorc - ose zvarritja e tij e pafundme mund të bëjë që ai të humbasë dashurinë e jetës. Kështu që ju mund të shihni se qëndrimi i tij është thikë me dy presa, që ose do të presë dashurinë e vërtetë, ose martesën e gabuar.

Tendenca për të ndryshuar shpesh është e pamohueshme te meshkujt e shenjës së Peshores. Ata priren të luajnë, sidomos në rininë e tyre. Impulsi natyror i Peshores është që të vlerësojë pothuajse çdo femër, për të peshuar mundësinë që ajo të jetë shpirti i tij binjak. Ata shpesh e ngatërrojnë dashurinë me miqësinë. Çuditërisht, nuk ndodh shpesh që ky mashkull të ndihet zemërthyer, pavarësisht gjithë eksperimenteve dhe eksperiencave të shumta që ka kaluar. Ai mund ta harrojë me shpejtësi ofenduese historinë e fundit të dashurisë dhe është më i priruri nga të gjithë (ndoshta përveç meshkujve të Shigjetarit dhe Binjakëve) që mos të ketë keqardhje për kujtimin e dashurisë së njëanshme ose një romancë që ishte e destinuar për të përfunduar. Ai mund të mbajë ndonjë brengë, por nuk do të ketë ndonjë dëmtim të përhershëm, përveç rasteve shumë të veçanta. Në një situatë të tillë, lëndimi mund të jetë shkatërrues përtej imagjinatës. Por kjo ndodh kaq rrallë, sa që nuk do të gjeni shembuj për ilustrim.  

Ai nuk është shumë i interesuar për të zbuluar sekretet tuaja. Në vështrim të parë, mund të duket sikur është, por po ta shihni me kujdes, atij shpesh i humbet çdo gjë që ndodh edhe 2 centimetra nën hundën e tij. Gjithkush do ta vërë re se çfarë po ndodh, përveç atij. Edhe pse ai do të argumentojë deri sa t'i mbarojë fryma, qëllimi i tij nuk është që të gërmojë motivet personale, por për të ndalur në teori abstrakte në mënyrë që të arrijë një gjykim të balancuar. Pyetjet e tij nuk kanë për qëllim zbulimin e neurozës së fshehtë të askujt. Ai vetëm dëshiron të gjejë faktet dhe ti vendosë në vendet e duhura. Ai do të diskutojë pro-të dhe të kundërtat me logjikë të shkëlqyer dhe racionalizëm të zgjuar dhe përfundimi i tij zakonisht do të jetë i drejtë, i saktë, i ndjeshëm dhe praktik. As Solomoni vetë, me gjithë diturinë e tij nuk mund t'ia kalojë vendimit përfundimtar, të balancuar të një Peshoreje.

Por ai nuk ka prirjen të gjejë nuanca personale apo tangente emocionale që shtrihen nën sipërfaqe. Faktet dhe vetëm faktet janë të mjaftueshme për të. Depërtimi i thellë i karakterit që bën një Akrep, Ujor apo Peshqit, sipas mendimit të tij, vetëm sa do të turbullojë panoramën e qartë si kristal – atë që ai kërkon. Ai instinktivisht ndien se një ekzaminim i tillë psikologjik është jashtë linjës së tij. Dhe në të vërtetë është.

E gjithë kjo e bën atë tmerrësisht të besueshëm, por pak të vështirë. Ju mund të besoni tek ai me sy mbyllur, por do të vuani kur t'ju mungojë ndjeshmëria e tij për nevojat tuaja më më të thella. Ai do të dojë t'ju kënaqë, por shumë rrallë mund të arrijë të kuptojë shpresën tuaj të fshehur për të kënaqur të gjitha dëshirat tuaja (nëse nuk ka një shenjë uji në ashedent). Ai ka mjaftueshëm probleme për t'u marrë me gjendjen e tij shpirtërore. Asgjë nuk mund të jetë më irrituese sesa momenti kur ju i rrëfeni me një frymë historinë sesi dikush ju ka lënduar thellë, i kërkoni empati dhe çfarë merrni? Pyetja e tij e parë do të jetë: "Çfarë i ke bërë atij (ose asaj)?" Pastaj ai do t'ju vërë në dukje se sa shumë keni gabuar, derisa ju mund të bërtisni e indinjuar dhe e pakënaqur. Ai sërish nuk do të ndryshojë mendje, në qoftë se mendon se ju keni qenë e padrejtë dhe shpërthimet tuaja emocionale do ta bindin më shumë.  

Shqetësimet dhe problemet e tij, padyshim vijnë nga kjo mungesë ndërgjegjësimi ndaj  nevojës së partnerit për ta kuptuar në thellësi. Kjo mund të duket disi e pabesueshme, duke patur parasysh intuitën e tij për abstrakten, logjikën e shkëlqyer, aftësinë për të diskutuar me sy hapur dhe me mendje të hapur dhe ndërkohë të jetë kaq i mpirë për të parë emocionet brenda partneres së vet. Por kjo është një nga ato kontradiktat me të cilat duhet të mësoheni që të jetoni, nesë jeni në një marrëdhënie me një mashkull të shenjës së Peshores. Mirësia dhe buzëqeshja e tij, natyrisht, e bëjnë më të lehtë që ta përballoni këtë.

Nëse nuk ka ndikime negative financiare në hartën e tij të lindjes, ai nuk do të jetë dorështrënguar me buxhetin. Përkundrazi, Peshorja tipike është tepër bujare me paratë. Ai beson në përdorimin e objekteve apo veprimtarive që sjellin bukurinë apo lumturinë. Përgatituni që të jeni një zonjë e mirë, sepse shtëpia e tij do të jetë një vend mikpritës i rregullt gjatë pothuajse gjithë orëve të ditës dhe të natës (përveç gjatë periudhave të pushimit, kur ai do të dojë të mos shqetësohet nga zilja e derës, e telefonit apo njerëzit). Mos e merrni në vende të mbushura me njerëz, ku ai është detyruar të ndiejë shtypjen dhe ku zhurma e madhe fyen ndjenjën e tij të harmonisë. Turmat e huaja ndikojnë në ekuilibrin e tij të brendshëm. Të gjitha Peshoret kanë një neveri instinktive për kontaktin fizik me turmat e mëdha të njerëzve. Jeta e tij sociale do të spërkatet bujarisht me njerëz inteligjentë dhe persona me humor, por kur grupi do të zgjerohet në më shumë se disa dhjetëra frymorë, ai do të luftojë për ajër. Një mashkull i shenjës së Peshores, papritmas mund t'ju lërë vetëm në një teatër të mbushur me njerëz, pa ju dhënë asnjë shpjegim. Ai nuk po largohet nga juve se nuk ju pëlqen. Ai thjesht është duke u përballur me klaustrofobinë, një problem tjetër i Peshoreve tipike.

Rruga më e shpejtë drejt humbjes së interesit që të çon në divorc, është një shtëpi e çrregullt. Mbani ulur zërin e televizorit dhe të radios, si dhe mos lejoni erën e gatimit të arrijë në hundën e ndjeshme të burrit tuaj Peshore. Nëse ju duhet të bëni supë me qepë dhe hudhra, spërkasni me aromatizues me arome pishe në gjithë shtëpinë. Të varni çorapet te vendi i peshqirit të dushit është e papranueshme. Të harroni të merrni pluhurat ose t'i lini shtretërit të parregulluar, mund të bëjë që burri juaj i dashur të jetë në një gjendje të vazhdueshme mosmarrëveshjesh emocionale. Ai do të tërhiqet nga mosmarrëveshjet duke fjetur gjithnjë e më gjatë, duke ju lënë net të tëra vetëm fare, derisa mos të keni më komunikim me njëri-tjetrin. Ai mund të jetë po aq i rrëmujshëm apo i pakujdesshëm sa gjashtë derrkucë së bashku, por do të prësë që të ngrini çorapet dhe copat e gazetës që ka hedhur në dysheme. Nëse perdet e dhomës së gjumit nuk shkojnë me qilimin e sapo blerë, ai mund të shfryjë me vite dhe ju nuk do ta dini pse-në. Më mirë ta mbani dekorimin e brendshëm me tone të lehta. Me mirësinë tipike të Peshores, ai mund të mos ankohet, por sekretarja e tij dhe shija e saj e hollë mund të duken më tërheqëse për të çdo ditë e më shumë.

Mashkulli i Peshores e urren konfuzionin dhe ai me të vërtetë ka nevojë për harmoni që të jetë i qëndrueshëm. Shtëpia e tij duhet të jetë një oaz i bukur, i qetë nga zhurnat e botës së jashtme, ose këto Peshore mund të mbeten përgjithmonë jashtë balancës. Duke qenë se ai rrallë analizon motivet, ju do të duhet të jeni mjaft e zgjuar për të kuptuar se pse ai nuk është në shtëpi apo pse ai fle gjatë gjithë kohës kur është. Mos harroni se ai është i dobët në analizën e vetes, kështu që ju duhet të jeni analistja e tij. Ai kurrë nuk do të dyshojë se hidhërimi i tij buron nga fakti që flokët e tuaj janë lyer me krem embëlsire dhe fëmijët e vegjël janë mbuluar kokë e këmbë me muhalebi. Ai nuk mund ta kuptojë se ai e urren perden e dushit ngjyrë portokalli ose pikturën me ngjyra të ndezura që mamaja jua ka bërë dhuratë për dasmë, e cila bie ndesh me shijen e tij artistike. Ai nuk do të arrijë të kuptojë pse ai harron vazhdimisht t'ju puthë në mëngjes apo para se të flini, por logjika e mendjes së tij po i thotë se diçka është jashtë balancës dhe ai vuan nga kjo më shumë sesa po e shfaq. Mblidhini letrat dhe lodrat përtokë, rregulloni shtëpinë, hidhni parfumin tuaj më të mirë, jepini formë flokëve tuaj, ulini zërin televizorit, blini perde dushi ngjyrë blu si qielli dhe hiqeni pikturën e mamasë suaj dhe zëvendësojeni me një pikturë të natyrës së qetë. Ju do të zgjoheni një mëngjes dhe do të zbuloni se jeni martuar me një njeri komplet të ri me një qëndrim krejtësisht të ndryshuar.

Fëmijët e këtyre baballarëve gjithmonë do të përfitojnë nga ndjenja e tij e drejtësisë. Ai do të sigurohet që fëmijët më të rritur nuk duhet të përfitojnë nga më të vegjlit, ose që më të vegjlit nuk duhet të prishin lodrat e më të mëdhenjve. Baballarët e shenjës së Peshores do të ushtrojnë disiplinë me autoritet të qetë dhe ata do të përpiqen që të japin një arsye logjike për çdo dënim, i cili rrallë do të merret në zemërim e sipër. Ashtu si ju, fëmijët do të shkrihen nga sharmi i tij; dhe si ju, ata do të të acarohen nga diskutimet e tij të vazhdueshme dhe sfiduese. Çuditërisht, një mashkull i Peshores zakonisht nuk e pret me entuziazëm lindjen e fëmijëve të tij. Por kur ata mbërrijnë, ai peshon avantazhin e dashurisë së tyre kundër vetmisë dhe zhytet në detin e atësisë me një dëshirë të sinqertë për ta shijuar atë; zakonisht ai përfundon si një prind i marrosur pas fëmijëve të tij. Megjithatë, ai kurrë nuk do të lejojë që dashuria prindërore të zëvendësojë ndjenjat e tij romantike ndaj jush. Për Peshoren tipike të të dy gjinive, partneri vjen i pari, pasardhësi i dyti. Ju nuk duhet të frikësoheni se dashuria e tij për ju do të ulet ndërsa familja rritet - sigurisht, nëse supozojmë se i keni hequr qafe ato perdet që nuk shkojnë me qilimin e dhomës, apo enët e palara nuk qëndrojnë për një kohë të gjatë në lavamanin tuaj.

Një këshillë e fundit astrologjike për ju. Nëse jeni e dashuruar me një mashkull të shenjës së Peshores dhe jeni e sigurt se është është e shkruar të jeni bashkë, merrni guximin dhe propozojini çdo gjë që keni në mend, përfshirë këtu edhe martesën. Ai do të ndihet i çliruar që ju morët iniciativën. Por, kini parasysh se pas dëshirës së tij për t'ju lënë ju të vendosni, qëndron gëzimi i fshehur që ai t'ju thotë - kur gjërat nuk do të shkojnë mirë një ditë -  fjalinë: “Ti e more këtë vendim, jo unë!” Prandaj sigurohuni që ju e dini mirë se çfarë jeni duke bërë, ose nuk do të arrini të dëgjoni fundin e historisë. Ka vetëm një mënyrë për t'u barazuar me të. Thuaj: "Po, unë e vendosa. Nëse do të ta kisha lënë ty në dorë, do të ishim akoma duke pritur."

Gruaja e shenjës së Peshores

Ajo mund të jetë si një lepurushe e bardhë me gëzof të butë dhe mund të pëshpërisë me butësi të kadiftë. Mund të vishet me mëndafshe apo najlon dhe flokët e saj mund të kenë aromë të lehtë lulesh. Madje ajo mund të duket edhe si një kukull, të cilën mund ta mbash në një dorë. Por me gjithë feminilitetin e saj, mënyrat e ëmbla të sjelljes dhe hijeshinë, kjo vajzë mund të veshë një palë pantallona me lehtësi të habitshme dhe ato do t'i qëndrojnë në trup në mënyrë të përkryer.

Proceset e saj mendore do të veprojnë si të jenë me logjikën e mashkullit dhe mendimet e saj mund të përputhen me tuajat në çdo diskutim që ju do të filloni. Niveli i saj i mendimit mund edhe të jetë më i lartë se juaji (me raste), edhe pse pjesa femërore e gruas se shenjës së Peshores, është zakonisht shumë e zgjuar për t'ju lënë që ta kuptoni këtë gjë, të paktën jo para se të mbaroni muajin e mjaltit.

Gjatë periudhes së lidhjes, ajo do të jetë e kujdesshme që mos t'ju mundë në shah apo letra, por ajo nuk do ta fshehë mendjen e saj të mprehtë përgjithmonë. Pas një farë kohe, ju do njiheni me pushtetin e trurit të saj inteligjent.