
Nëse ka një ngjyrë që po dominon këtë verë, ajo është pa diskutim e verdha e gjalpit, ndryshe e njohur si 'butter yellow'. Delikate, elegante dhe e lehtë për t’u kombinuar, kjo nuancë vazhdon të jetë zgjedhja e preferuar e ikonave të modës dhe duket se nuk do të largohet nga trendet së shpejti.
Mes emrave të njohur që i janë bashkuar këtij trendi janë Kendall Jenner, Kate Middleton, Selena Gomez, Margot Robbie dhe Beyoncé, duke dëshmuar se e verdha e gjalpit funksionon në çdo stil dhe për çdo rast.

Kendall Jenner e konfirmoi edhe një herë këtë gjatë një darke në Malibu, të organizuar për prezantimin e koleksionit të ri Devon Lee Carlson x Frankies Bikinis. Modelja u shfaq me një fustan mini në ngjyrën e verdhë, të zbukuruar me lule rozë dhe blu, duke bashkuar dy nga trendet më të mëdha të sezonit në një look të vetëm.
Me rripa të hollë dhe prerje që theksonte siluetën, fustani ishte një kombinim perfekt mes romantikes dhe verores. Printi me lule i shtonte freski pamjes, ndërsa nuanca e butë e të verdhës e bënte rezultatin edhe më elegant.

Besnike stilit të saj minimalist, Kendall zgjodhi ta kompletonte veshjen vetëm me një palë sandale të zeza prej lëkure, duke e lënë fustanin të ishte në qendër të vëmendjes.
Nëse ende nuk e keni provuar të verdhën e gjalpit, ky look është prova më e mirë se ia vlen t’i bëni vend në gardërobën tuaj. Qoftë në një fustan romantik, një kostum veror apo aksesorë, kjo nuancë mbetet një nga investimet më të sigurta të sezonit.



