
Ka disa prerje flokësh që nuk dalin kurrë nga moda dhe bob-i është padyshim një prej tyre. Megjithatë, këtë verë versioni klasik po lë paksa vend për një variant më të lehtë, më të kënfshëm dhe më modern: butterfly bob. Prerja e re po dominon kërkimet në Google dhe po shfaqet gjithnjë e më shpesh në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga tendencat më të ndjekura të sezonit.

Ndryshe nga bob-i tradicional, i cili karakterizohet nga vijat e drejta dhe prerja uniforme, butterfly bob sjell më shumë lëvizje dhe volum. I frymëzuar nga prerja e njohur "butterfly cut", ai krijohet përmes shtresave që i japin flokëve formë, lehtësi dhe një efekt natyral.
Sekreti i kësaj prerjeje qëndron te shtresëzimi. Fijet më të shkurtra rreth fytyrës theksojnë mollëzat dhe zbusin tiparet, ndërsa gjatësia zakonisht varion nga nofulla deri te shpatullat. Rezultati është një model flokësh që ruan elegancën e bob-it, por duket shumë më i freskët dhe më pak formal.

Një nga arsyet pse butterfly bob po fiton kaq shumë popullaritet është fakti se kërkon pak mirëmbajtje. Ai funksionon shumë mirë me teksturën natyrale të flokëve, valët e lehta dhe stilimin minimal, duke e bërë ideal për muajt e nxehtë të verës.

Mjaftojnë disa kalime me krëhër për të rikthyer volumin dhe për të nxjerrë në pah efektin e çrregullt, por elegant, që e karakterizon. Nuk ka nevojë për tharëse apo pjaster flokësh çdo ditë, pasi vetë struktura e prerjes krijon formën dhe lëvizjen e dëshiruar.

Butterfly bob është gjithashtu një nga prerjet më të gjithanshme të momentit. Ai duket po aq mirë në një darkë elegante sa edhe pas një dite në plazh, duke ruajtur gjithmonë një pamje të kuruar dhe moderne.
Me kombinimin e volumit, lehtësisë dhe stilit pa shumë përpjekje, butterfly bob po shndërrohet në prerjen e preferuar të verës 2026. Për këdo që dëshiron një ndryshim të freskët, modern dhe praktik, kjo është prerja që ia vlen të ruhet për vizitën e radhës në parukeri.



