Në modë nuk ndryshojnë vetëm trendet, por edhe mënyra se si kombinohen rrobat. Një stilim që për disa vite u la disi në harresë duket se po rikthehet këtë sezon, falë paraqitjeve të Katie Holmes dhe Claire Foy.
Të dyja u panë të veshura me një kombinim klasik: këmishë me kopsa, xhinse dhe këpucë të sheshta. Por detaji që tërhoqi vëmendjen nuk ishte as modeli i xhinseve dhe as ngjyra e këmishës, por mënyra si ishte futur këmisha.
Në vend që ta fusnin të gjithën brenda pantallonave ose ta linin krejtësisht jashtë, ato zgjodhën të fusnin vetëm njërën anë të këmishës, ndërsa tjetra mbet e lirë. Ky stilim krijon një pamje më të relaksuar, por njëkohësisht të kuruar dhe i jep veshjes një ndjesi moderne pa shumë përpjekje.


Katie Holmes e kombinoi këtë stil me një këmishë blu të çelët, xhinse me prerje të drejtë, balerina të zeza dhe një çantë të madhe udhëtimi. Ndërkohë, Claire Foy zgjodhi pothuajse të njëjtën formulë, por e plotësoi me shapka të sheshta dhe një çantë të kuqe të thurur.




Ky detaj i vogël mund të jetë një nga mënyrat më të thjeshta për t'i dhënë një pamje më interesante kombinimit klasik të këmishës me xhinse, pa pasur nevojë të blini asgjë të re. Nëse ky rikthim vazhdon, ka shumë mundësi që ta shohim gjithnjë e më shpesh gjatë muajve të ardhshëm.













