
Jetojmë në një kohë kur pothuajse çdo gjë mund të ndryshohet: puna, qyteti ku jetojmë, shtëpia, stili i jetesës, madje edhe mënyra se si e shohim veten. Të jesh fleksibël dhe të ndryshosh mendje shpesh konsiderohet një formë lirie. Por bashkë me këtë fleksibilitet është shfaqur edhe një tjetër prirje: dëshira për t’i mbajtur gjithmonë të gjitha opsionet hapur.
Sociologu dhe filozofi Zygmunt Bauman e përshkroi këtë realitet përmes konceptit të “modernitetit likuid”, një botë ku ajo që dikur na jepte stabilitet, nga puna dhe komuniteti te identiteti dhe marrëdhëniet, është bërë më e përkohshme dhe e ndryshueshme. Jemi mësuar të mos investojmë plotësisht, sepse gjithmonë duket se ekziston një alternativë tjetër. Një punë më e mirë, një qytet tjetër, një shtëpi më e bukur apo një mundësi që mund të na përshtatet më shumë.
Problemi nis kur kjo mënyrë të menduari kalon nga gjërat te njerëzit.
Në një moment, marrëdhëniet fillojnë të trajtohen si produkte: i kërkojmë, i krahasojmë, i vlerësojmë dhe, nëse nuk na kënaqin më, i zëvendësojmë. Kjo nuk ndodh vetëm në dashuri. E njëjta logjikë mund të shfaqet edhe në miqësi, në grupe shoqërore dhe në mënyrën se si krijojmë lidhje me njerëzit përreth nesh.
Në vend që të lidhemi me dikë, fillojmë ta shohim si një tjetër “opsion”. A na përshtatet? A është më interesant se dikush tjetër? A mund të gjejmë një person që na ofron më shumë?
Aplikacionet e takimeve e bënë zgjedhjen të pafundme
Dating apps nuk e krijuan këtë mentalitet, por e bënë shumë më të dukshëm. Në një ekran shfaqen dhjetëra apo qindra fytyra, fotografi dhe përshkrime të shkurtra. Shikojmë, krahasojmë, zgjedhim dhe kalojmë te profili tjetër. Gjithmonë ekziston dikush tjetër vetëm një “swipe” larg.
Dhe këtu lind paradoksi: sa më shumë zgjedhje kemi, aq më e vështirë bëhet të ndihemi se kemi zgjedhur mjaftueshëm mirë.
Mund të takojmë dikë që na pëlqen, por të mendojmë se ndoshta ekziston dikush edhe më i përshtatshëm. Mund të kemi një marrëdhënie të bukur, por një debat i zakonshëm të na bëjë të pyesim nëse kemi bërë zgjedhjen e duhur. Edhe një miqësi shumëvjeçare mund të duket e lehtë për t'u braktisur sapo kërkon më shumë përpjekje.
Kështu, një marrëdhënie që duhet të jetë një proces njohjeje dhe ndërtimi shndërrohet në një vlerësim të vazhdueshëm. Personi përballë nesh nuk është më thjesht dikush me të cilin po krijojmë një lidhje, por një zgjedhje që duhet të provojë vazhdimisht se e meriton vendin që ka në jetën tonë.
Duam njerëz pa kontradikta
Kjo vihet re edhe në mënyrën se si i perceptojmë të tjerët. Mund të duam dikë interesant, por jo pasiguritë e tij. Dikë spontan, por jo paqëndrueshmërinë. Dikë të pavarur, por jo distancën. Dikë të ndjeshëm, por jo cenueshmërinë.
Në thelb, duam personalitetin, por jo gjithmonë pjesët që vijnë bashkë me të.

Por intimiteti nuk krijohet duke gjetur një person që përputhet në mënyrë perfekte me çdo nevojë tonën. Ai ndërtohet me kalimin e kohës, përmes përvojave të përbashkëta, vështirësive, dallimeve, keqkuptimeve dhe përpjekjes për t'i rregulluar gjërat kur diçka shkon keq.
Kjo, sigurisht, nuk do të thotë se duhet të qëndrojmë në marrëdhënie që na lëndojnë. Ka njerëz që duhet t'i lëmë pas dhe lidhje që duhet të përfundojnë. Por ekziston një ndryshim i madh mes largimit sepse një marrëdhënie është e dëmshme dhe largimit vetëm sepse ajo nuk është më e lehtë.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron problemi i kohës sonë: kur besojmë se çdo njeri mund të zëvendësohet, bëhet gjithnjë e më e vështirë të investojmë realisht te dikush.
Në një botë që na mëson të krahasojmë pafundësisht, angazhimi mund të jetë një formë rezistence. Lidhja e vërtetë nis atëherë kur ndalojmë së kërkuari versionin perfekt të tjetrit dhe fillojmë të njohim, me gjithë kontradiktat e tij, personin që kemi përballë.
Përshtatur nga MarieClaire.Gr



