Gjatë ditëve të nxehta të gushtit, kondicioneri punon për shumë orë në ditë. Por një veprim i thjeshtë mirëmbajtjeje mund të ndikojë ndjeshëm në performancën e tij dhe në konsumin e energjisë, pastrimi i filtrave.
Me kalimin e kohës, në filtra grumbullohen pluhur, qime kafshësh dhe grimca të tjera. Kjo pengon qarkullimin e ajrit dhe bën që kondicioneri të punojë më gjatë për të arritur temperaturën e dëshiruar. Si rezultat, pajisja mund të ftohë më ngadalë dhe të konsumojë më shumë energji.
Gjatë përdorimit intensiv, filtrat këshillohet të kontrollohen çdo 15 deri në 30 ditë. Nëse në shtëpi ka kafshë shtëpiake, shumë pluhur ose kondicioneri qëndron ndezur pothuajse gjatë gjithë ditës, kontrolli mund të bëhet edhe çdo javë.
Për t’i pastruar, fillimisht fikni dhe shkëputni kondicionerin nga energjia. Hiqni filtrat dhe pastroni pluhurin me kujdes, ndërsa nëse udhëzimet e prodhuesit e lejojnë, mund t’i shpëlani edhe me ujë. Në rast papastërtish të forta mund të përdorni pak detergjent. Mos përdorni produkte agresive dhe mos i vendosni filtrat sërish në pajisje pa u tharë plotësisht.
Ftohja e ngadaltë, aroma e pakëndshme, zhurmat e pazakonta ose ndryshimi i papritur i konsumit të energjisë mund të jenë shenja se filtrat kanë nevojë për pastrim. Megjithatë, nëse pas pastrimit kondicioneri vazhdon të mos ftohë siç duhet, rrjedh ujë ose nxjerr aroma të vazhdueshme, problemi mund të jetë më i ndërlikuar dhe duhet kontrolluar nga një teknik.







