
Rusia paralajmëron sulme masive ndaj Ukrainës

Rusia ka paralajmëruar për një fushatë të re sulmesh në shkallë të gjerë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdon pa shenja të një zgjidhjeje diplomatike. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmet po përgatiten si përgjigje ndaj goditjeve që, sipas Moskës, Ukraina ka kryer ndaj territorit dhe infrastrukturës energjetike ruse.
Paralajmërimi vjen në një moment dramatik për Ukrainën, pasi numri i viktimave nga një sulm rus pranë Kievit ka shkuar në 38. Sulmet ndaj sistemit energjetik rikthejnë frikën e një skenari të ngjashëm me dimrin e kaluar, kur bombardimet lanë miliona ukrainas pa energji elektrike dhe ngrohje në temperatura shumë të ulëta.
SHBA dhe Venezuela arrijnë marrëveshje gjigante për naftën

Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë rënë dakord për një marrëveshje të madhe nafte, e cila mund t'i japë Uashingtonit kontroll mbi më shumë se 65 miliardë fuçi nga rezervat e naftës së Venezuelës. Presidenti Donald Trump e ka cilësuar marrëveshjen si “marrëveshjen më të madhe të naftës në historinë e botës”.
Sipas Trump, marrëveshja do të rrisë ndjeshëm rezervat dhe furnizimin amerikan me naftë, duke ndikuar edhe në uljen e çmimeve të karburantit. Ndërkohë, presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka konfirmuar marrëveshjen, e cila parashikon zhvillimin e 17 fushave strategjike dhe investime që mund të kalojnë 100 miliardë dollarë.
Rreth 1,000 persona notuan në Danub, ndërsa lumi "u bllokua" për katër orë

Rreth një mijë persona u hodhën në ujërat e Danubit në Budapest, në një nga zonat më të frekuentuara zakonisht nga anijet. Për zhvillimin e aktivitetit “Generali OWT Danube Swim”, trafiku lumor u ndërpre për katër orë, duke krijuar një mundësi të rrallë për notarët.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ngjarja kërkoi masa të mëdha sigurie, me dhjetëra mjekë dhe ekipe shpëtimi në gatishmëri, si edhe 12 motobarka që kujdeseshin për pjesëmarrësit. Aktiviteti u zhvillua për herë të parë pas gjashtë vitesh dhe u dha notarëve mundësinë ta shihnin Budapestin nga një këndvështrim krejt ndryshe.
50 anije nisen drejt Ceutës mes krizës së emigrantëve

Rreth 50 anije nga Costa del Sol dhe porte të tjera spanjolle janë nisur drejt Ceutës për të shprehur solidaritetin me qytetin, pas krizës së emigracionit që është përshkallëzuar që nga fundi i korrikut. Iniciativa, e quajtur “Flotilja e Solidaritetit me Ceutën”, ka mbledhur rreth 120 pjesëmarrës.
Nisma vjen pas mbërritjes masive të emigrantëve në qytetin autonom spanjoll, kur dhjetëra mijëra persona kaluan në mënyrë të parregullt nga Maroku drejt Ceutës. Anijet nuk janë nisur si një kolonë e vetme, por secila nga porti i saj, ndërsa pjesëmarrësit pritet të zhvillojnë aktivitete të ndryshme gjatë fundjavës dhe të përcjellin një mesazh uniteti.