
Suedia drejt zgjedhjeve, kryeministri hap derën për të djathtën ekstreme

Suedezët votojnë këtë të diel për parlamentin e ri, në një garë të ngushtë që mund të sjellë një tjetër rritje të së djathtës ekstreme dhe, për herë të parë, mundësinë që ajo të bëhet pjesë e qeverisë. Kryeministri konservator Ulf Kristersson po kërkon një mandat të dytë, por qëndrimi i tij në pushtet mund të varet nga Suedezët Demokratë, partia e së djathtës ekstreme që tashmë mbështet qeverinë e tij në minorancë.
Përballë tij është liderja e Social Demokratëve dhe ish-kryeministrja Magdalena Andersson. Sondazhet tregojnë një garë tepër të ngushtë mes dy kampeve politike. Qeveria aktuale drejtohet nga Partia e Moderuar, Demokratët Kristianë dhe Liberalët, ndërsa Suedezët Demokratë kanë fituar gjithnjë e më shumë ndikim në politikën suedeze.
Trageti zhduket në det, një viktimë, mbi 100 persona shpëtohen

Një person ka humbur jetën dhe 102 të tjerë janë shpëtuar pasi një traget me 243 persona në bord u zhduk në ujërat pranë ishullit Java në Indonezi. Anija po udhëtonte mes ishujve Java dhe Borneo kur u përball me mot të keq dhe kushte të rrezikshme në det.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u zhvilluan mes dallgëve që arrinin deri në 2.5 metra. Shefi lokal i ekipit të shpëtimit tha se kushtet ishin jashtëzakonisht të rrezikshme edhe për anijet e shpëtimit, përfshirë një mjet 40 metra të gjatë. Autoritetet vijojnë të punojnë për të përcaktuar fatin e të gjithë personave që ndodheshin në traget.
Trump thotë se do të donte një Irlandë të bashkuar

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të ishte “fantastike” nëse Irlanda do të bashkohej, duke prekur një çështje tepër të ndjeshme politikisht. Gjatë një takimi me kryeministrin irlandez Micheál Martin në Dublin, Trump tha se do të dëshironte të shihte bashkimin e Republikës së Irlandës me Irlandën e Veriut, e cila aktualisht është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Trump tha se një bashkim i tillë “do të ndodhë përfundimisht”, ndërsa shtoi se Mbretëria e Bashkuar do të ketë padyshim fjalën e saj për këtë çështje. Çështja e statusit të Irlandës së Veriut ka qenë në qendër të dekadave të konfliktit, gjatë të cilave rreth 3,600 persona humbën jetën. Presidentët e mëparshëm amerikanë kanë qenë përgjithësisht të kujdesshëm për të komentuar drejtpërdrejt mbi këtë çështje.
Sulmohet me dron tubacioni i naftës në Arabinë Saudite, rritet frika për çmimet

Një zjarr i shkaktuar pas një sulmi me dron ka detyruar mbylljen e një prej tubacioneve më të rëndësishme të naftës në Arabinë Saudite. Autoritetet thanë se sulmi u nis nga territori i Irakut dhe shkaktoi dëme materiale, ndërsa disa persona mbetën të plagosur. Tubacioni East-West lidh zonën e Abqaiq me portin e Yanbu në Detin e Kuq dhe shërben si një rrugë alternative për transportin e naftës, duke shmangur ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët sauditë thanë se tubacioni u mbyll si masë paraprake pas sulmit. Qeveria irakiane pranoi se sulmi ishte nisur nga territori i saj dhe njoftoi shkarkimin e komandantit të provincës Maysan në jug të vendit. Incidenti vjen në një moment kur tregjet e energjisë janë veçanërisht të ndjeshme, duke shtuar shqetësimet se çmimet e naftës dhe karburanteve mund të rriten më tej.