
Ukraina propozon një fazë të re bisedimesh me Rusinë
Ukraina ka propozuar një fazë të re bisedimesh me Rusinë. Volodymyr Zelensky u shpreh se ritmi i negociatave duhet të përshpejtohet për të arritur paqen mes dy vendeve. Ai deklaroi se Kievi i ka bërë një propozim Moskës që të ketë një takim të ri për bisedimet rreth paqes. Takimi, nëse aprovon Rusia, mund të kryhet javën që vjen.
Në fakt, bisedimet mes dy shteteve ndaluan në qershor të këtij viti. Delegatët ukrainas dhe rusë u takuan në Stamboll dhe arritën një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve dhe për rikthimin në atdhe të ushtarëve të ndjerë në luftë, por nuk dakordësuan për armëpushim.
Erdogan akuzon Izraelin si shtet terrorist
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Izraelin për dhunën në popullsinë druze në Siri, duke nënvizuar se Turqia nuk do të lejojë që Siria të copëzohet.
Erdogan tha ndër të tjera se Izraeli është një shtet terrorist që nuk njeh ligjin, s’ka parime, sillet me arrogancë, shkel rregullat, llastohet dhe është i etur për gjak.
Reagimi i Erdogan vjen pas tensioneve të nxehta në jug të Rusisë, ku fiset arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze. Tensionet nisën më 13 korrik. Pavarësisht se është arritur një armëpushim, sërish situata përshkallëzoi dhe Izraeli ndërhyri, duke qëlluar ndaj objekteve strategjike në zona si Daraa, si dhe në Damask, ku u godit edhe Ministria siriane e Mbrojtjes.
Siri/ Krizë humanitare në jug të vendit
Rajoni jugor i Sirisë, Suwayda, po përjeton një krizë të thellë humanitare, pas 1 jave përleshjesh të përgjakshme mes grupeve druze dhe fiseve arabe beduine.
Pas përleshjeve të shumta, janë dëmtuar linjat e energjisë elektrike. Rrjedhimisht, edhe pompat e ujit nuk funksionojnë më dhe populli nuk po furnizohet me ujë të pijshëm.
Gjithashtu, edhe furrat e bukës, farmacitë dhe tregjet janë ndërprerë, për shkak të luftimeve të shumta. Raportohet se edhe qendrat spitalore janë mbyllur, për shkak të mungesës së ujit dhe energjisë, ndaj të plagosurit nuk mund të marrin shërbime.
Irak/ 60 viktima nga një zjarr në qendrën tregtare
Rreth 60 persona kanë gjetur vdekjen, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu një qendër tregtare në Kut. Qendra kishte vetëm 1 javë që kishte hapur. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërkohë që njerëzit janë të shokuar nga katastrofa.
Sipas Ministrisë së Brendshme në Irak, mes viktimave ka edhe 14 trupa të djegur, të cilët ende nuk janë identifikuar. Shumica e njerëzve ndërruan jetë nëpër tualetet e qendrës tregtare, në përpjekje për t’u fshehur nga flakët.