
Të paktën dhjetë zjarrfikës dhe punonjës shpëtimi humbin jetën në një zjarr pyjor në Turqi
Të paktën dhjetë zjarrfikës dhe punonjës shpëtimi humbën jetën dhe 14 të tjerë u plagosën të mërkurën teksa përpiqeshin të ndalonin përhapjen e një zjarri të madh pyjor në provincën Eski?ehir, në Turqinë veriperëndimore.
Sipas autoriteteve, pesë nga viktimat ishin punonjës të Drejtorisë së Pyjeve dhe pesë të tjerë anëtarë të organizatës së kërkim-shpëtimit AKUT.
Ky incident e çon në 13 numrin e përgjithshëm të viktimave nga zjarret në Turqi këtë vit, teksa vendi po përballet me kushte ekstreme të nxehtësisë, erëra të fuqishme dhe thatësirë.
Presidenti Macron dhe bashkëshortja padisin Candace Owens për shpifje
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, kanë ngritur një padi për shpifje në SHBA kundër Candace Owens, duke e akuzuar atë për përhapje të qëllimshme të thashethemeve të rreme se zonja e parë është burrë.
Padia u dorëzua në Gjykatën e Lartë të shtetit Delaware. Në të, çifti Macron e akuzon Owens për një "fushatë poshtërimi global" dhe "bullizmi të pandërprerë" me qëllim përfitimin personal dhe promovimin e podcast-it të saj.
Ata theksojnë se një nga pretendimet e rreme të përsëritura nga Oëens është se Brigitte Macron ka lindur me emrin Jean-Michel Trogneux, emri i vëllait të saj.
Shtëpia e Bardhë mohon lidhjet e Trump me dokumentet e lidhura me Epstein
Shtëpia e Bardhë ka mohuar raportet se emri i ish-presidentit Donald Trump figuron në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së që lidhen me Jeffrey Epstein.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i cilësoi pretendimet si "asgjë më shumë se vazhdim i historive të rreme të shpikura nga demokratët dhe media liberale".
Këto komente vijnë pasi një gjyqtar amerikan refuzoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të bërë publike dokumentet gjyqësore të një rasti në Florida që përfshinte Epstein.
Administrata Trump është përballur me presion në rritje për të bërë publike më shumë informacione mbi Epstein, i cili kishte lidhje me figura të njohura. Gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar, Trump kishte premtuar se do t’i deklasifikonte këto dosje.
Mbi 100 organizata paralajmërojnë për urinë masive në Gaza
Më shumë se 100 organizata ndërkombëtare humanitare dhe për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar për një katastrofë urie në Gaza dhe i kanë bërë thirrje qeverive të veprojnë urgjentisht.
Ndër nënshkruesit e deklaratës janë organizata si Mjekët pa Kufij (MSF), Save the Children dhe Oxfam. Ata thonë se kolegët e tyre në terren dhe banorët që ndihmojnë janë duke "vdekur ngadalë nga uria".
Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në territorin e Gazës, ka refuzuar akuzat, duke e cilësuar deklaratën si "propagandë në shërbim të Hamasit".
Kjo deklaratë vjen në të njëjtën kohë kur Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, njoftoi se dhjetë palestinezë të tjerë kanë vdekur nga kequshqyerja gjatë 24 orëve të fundit.