
Franca do ta njohë zyrtarisht Palestinën si shtet
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se Franca do ta njohë Palestinën si një shtet sovran, duke shpresuar se kjo lëvizje do të ndihmojë në sjelljen e paqes në rajon.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Macron bëri të ditur se vendimi do të zyrtarizohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
“Në përputhje me angazhimin historik të Francës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës,” shkroi Macron.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndihmë humanitare për popullin palestinez, ndërsa kërkoi edhe çarmatosjen e Hamasit.
OKB: Më shumë se 1,000 palestinezë të vrarë ndërsa kërkonin ushqim në Gaza
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut njoftoi të martën se më shumë se 1,000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga maji, shumica pranë pikave të ndarjes së ndihmave, teksa përpiqeshin të siguronin ushqim në Gaza.
Nga gjithsej 1,054 viktima të raportuara që nga fundi i majit, 766 janë vrarë pranë vendeve të menaxhuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), një organizatë amerikane.
GHF, e regjistruar në SHBA, me mbështetjen e Izraelit, u krijua në shkurt për të shpërndarë ndihma nga katër qendra në Gaza, duke zëvendësuar sistemin e mëparshëm të shpërndarjes së OKB-së.
Irani i hapur për bisedime bërthamore me SHBA-në, por kërkon garanci
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, deklaroi të enjten se Irani është i gatshëm të hyjë në bisedime me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor, por vetëm nëse Uashingtoni ndërmerr hapa të rëndësishëm për të rindërtuar besimin.
Të premten, zyrtarët iranianë pritet të takohen në Stamboll me përfaqësuesit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë (E3), si dhe me përfaqësuesin e lartë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian.
Ky do të jetë takimi i parë pas konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit në qershor, gjatë të cilit avionë bombardues amerikanë B-52 sulmuan objekte bërthamore iraniane.
SHBA tërheq ekipin negociator nga Katari: "Hamas nuk po tregon vullnet për paqe"
I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve ëitkoff, deklaroi të enjten se SHBA po tërheq ekipin e saj negociator nga Katari dhe po ndërpret përkohësisht bisedimet për armëpushim në Gaza.
"Ndërsa ndërmjetësit kanë bërë përpjekje të mëdha, Hamas nuk po tregon as koordinim e as vullnet të mirë për të arritur një armëpushim," tha Witkoff në një deklaratë.
"Do të shqyrtojmë tani opsione të tjera për të kthyer pengjet në shtëpi dhe për të krijuar një situatë më të qëndrueshme për popullin e Gazës."
Nuk ishte e qartë se cilat ishin "opsionet e tjera" që SHBA po konsideron.