
Dy avionë ushtarakë rusë shkelin hapësirën ajrore të Lituanisë

Dy avionë ushtarakë rusë hynë të enjten në hapësirën ajrore të Lituanisë për rreth 18 sekonda, njoftoi ushtria lituaneze.
Avionët, të identifikuar si një Su-30 luftarak dhe një Il-78 cisternë për furnizim me karburant në ajër, dyshohet se ndodheshin në një mision stërvitor për furnizim gjatë fluturimit kur kaluan kufirin nga enklava ruse e Kaliningradit.
Në reagim, avionët spanjollë Eurofighter Typhoon të misionit të Policisë Ajrore të NATO-s në Balltik u ngritën menjëherë dhe patrulluan zonën.
Në një postim në platformën X, presidenti i Lituanisë, Gitanas Naus?da, e cilësoi incidentin si “një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe të integritetit territorial”.
Arrestohen tre persona në Britani për dyshime spiunazhi në favor të Rusisë

Autoritetet britanike kanë arrestuar tre burra nën dyshimin se kanë spiunuar për Rusinë, njoftoi të enjten Policia Metropolitane e Londrës.
Të dyshuarit, të moshës midis 44 dhe 48 vjeç, u arrestuan në banesat e tyre në perëndim dhe qendër të Londrës.
Sipas policisë, ata akuzohen se kanë shkelur Aktin e Sigurisë Kombëtare të vitit 2023 duke “ndihmuar një shërbim të huaj inteligjence”.
Policia shtoi se besohet se vendi për të cilin kanë punuar është Rusia.
Zelensky u bën thirrje vendeve europiane të shtojnë presionin ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje partnerëve europianë të shtojnë presionin ndaj Rusisë të enjten, me qëllim që ta detyrojnë Moskën të ulet në bisedime paqeje me Kievin.
Duke folur në një samit të Bashkimit Europian në Bruksel, në të njëjtën ditë kur BE miratoi një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës, Volodymyr Zelensky tha se Rusia vazhdon të refuzojë idenë e një armëpushimi apo të negociatave të drejtpërdrejta.
“Sa më shumë presion ndaj Rusisë, aq më shpejt do të ulen për të folur, dhe mendoj se ky është plani,” tha Zelensky.
Ai shtoi se Ukraina do të bashkërendojë veprimet edhe me vendet partnere jashtë BE-së, si Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar, “që edhe ato të zbatojnë këto masa të forta të BE-së në sistemet e tyre.”
Trump dhe Xi Jinping do të takohen në Korenë e Jugut më 30 tetor

Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në Korenë e Jugut më 30 tetor, në kuadër të një samiti aziatik, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.
Takimi midis Xi dhe Trump është përgatitur prej disa javësh, por ishte vënë në pikëpyetje për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Kjo do të jetë përballja e parë ballë për ballë midis të dy liderëve që prej rikthimit të Trump në detyrë.
Trump ka paralajmëruar se do të vendosë një tarifë shtesë prej 100% mbi mallrat kineze që nga nëntori, nëse Kina nuk tërhiqet nga kufizimet e saj të rrepta mbi eksportet e metaleve të rralla.