
Ushtria izraelite konfirmon identitetin e dy pengjeve të tjera të vrara

Ushtria izraelite konfirmoi të enjten identitetin e trupave të dy pengjeve të tjera të kthyer nga Hamasi, pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me militantët palestinezë.
Më vonë gjatë mbrëmjes, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se trupat i përkisnin Sahar Baruch dhe Amiram Cooper, të cilët ishin rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, sulm që ndezi konfliktin aktual.
Sipas ushtrisë izraelite, trupat e dy pengjeve iu dorëzuan Kryqit të Kuq në Gaza, përpara se të transportoheshin në Izrael nga trupat izraelite dhe të identifikoheshin në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore.
Mbreti Charles i heq princit Andrew të gjitha titujt dhe e dëbon nga rezidenca mbretërore

Buckingham Palace njoftoi të enjten se Mbreti Charles i ka hequr vëllait të tij, Princit Andrew, të gjitha titujt dhe e ka dëbuar nga rezidenca e tij mbretërore.
Në deklaratë thuhet se Andrew do të njihet tani vetëm si Andrew Mountbatten-Windsor, pa titull princëror.
Ky vendim vjen pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me kriminelin e dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Arrestohen pesë persona të tjerë për grabitjen e bizhuterive të kurorës në Luvër

Pesë persona të tjerë u arrestuan gjatë natës lidhur me grabitjen e bizhuterive të kurorës në Muzeun e Luvrit, duke e çuar në shtatë numrin e përgjithshëm të të ndaluarve, ka bërë të ditur prokuroria e Parisit.
Duke folur për radion RTL, prokurorja Laure Beccuau konfirmoi se një nga të dyshuarit, i identifikuar përmes ADN-së, besohet të ketë qenë pjesë e grupit prej katër vetash që kreu grabitjen në mes të ditës më 19 tetor.
Ajo nuk dha detaje për identitetin e të tjerëve, por shtoi se ata “mund të ndihmojnë në sqarimin e mënyrës se si ndodhi ngjarja.”
Sulmet masive ruse me dronë e raketa vrasin tre persona në Ukrainë

Tre persona, përfshirë një vajzë 7-vjeçare, u vranë gjatë natës nga sulme të mëdha ruse me dronë dhe raketa, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e dënoi ashpër fushatën e vazhdueshme të Moskës kundër infrastrukturës energjetike të vendit, duke e quajtur atë “terrorizëm sistematik energjetik” në prag të dimrit.
Sulmet më të fundit plagosën gjithashtu 17 persona në rajonin jugor të Zaporizhias, mes tyre fëmijë të moshave nga dy deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç.