
Sydney: 10 persona, viktima të një sulmi në një festë hebraike

10 persona kanë ndërruar jetë nga të shtënat masive me armë zjarri ndërsa ishin duke festuar Hanukkah, festën hebraike në Bondi, Sydney. Sipas autoriteteve, sulmi mund të ishte planifikuar prej muajsh. Një prej sulmuesve u qëllua dhe u vra, ndërsa tjetri u plagos, duke u neutralizuar dhe tanimë ndodhet në paraburgim, në pritje të dënimit.
Anthony Albanese, kryeministri i Australisë i përshkroi sulmet si “tronditëse dhe thellësisht shqetësuese”, duke shtuar se autoritetet gjenden në terren për të shpëtuar jetët e qytetarëve.
Nëpër rrjetet sociale qarkullojnë video nga momenti, ku shfaqen njerëz të cilët ikin me vrap, ndërsas në sfond dëgjohen të shtëna. Sipas autoriteteve, në linjën e urgjencës, mbërriti një telefonatë rreth orës 6:45 të mëngjesit, ku u raportua për sulmin e kobshëm.
Trump thotë se do të ketë sulme në Venezuelë

Presidenti Donald Trump bëri një paralajmërim të fortë, duke u shprehur se do të ketë sulme tokësore kundrejt trafikantëve të drogës në territorin e Venezuelës. “Sulmet tokësore do të fillojnë të ndodhin. Ne eliminuam 96% të drogës që po hynte nga deti. Tani po fillojmë nga toka, toka është shumë më e lehtë. Kjo do të fillojë të ndodhë”, u shpreh presidenti amerikan në një konferencë me gazetarët.
Ai saktësoi se sulmet kanë si synim vetëm trafikantët e drogës dhe jo banorët e vendit. Mesa duket, presidenti ka arritur në një përfundim, pasi shpeshherë e ka përmendur që mund të kryhen të tilla operacione kundër trafikimit të drogës.
Therja e bagëtive të sëmura: Fermerët nisin protestat në Francë

Fermerët në Francë janë ngritur në protestë, duke bllokuar rrugë të ndryshme, në një demonstratë kundër vendimit të qeverisë për të therur bagëtitë e sëmura në fermat ku janë zbuluar raste të sëmundjeve të lëkurës me gunga.
Kjo është një sëmundje ngjitëse, e cila është zbuluar në 74 ferma në Francë gjatë ditëve të fundit. Annie Genevard, ministrja e Bujqësisë në Francë, është shprehur se përpos vrasjes së bagëtive, nuk ka një tjetër alternativë dhe nëse nuk reagohet shpejt, mund të ngordhin 1.5 milionë bagëti në gjithë rajonin.
FIFA arrin rekorde! 5 milionë kërkesa për bileta

Federata Ndërkombëtare e Futbollit bëri me dije se në 24 orët e para nga fillimi i fazës së tretë të shitjes së biletave për Kupën e Botës të vitit 2026, ka marrë deri në 5 milionë kërkesa për bileta. Kupa e Botës do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë dhe do të mirëpresë miliona vizitorë dhe dashamirës së futbollit.
Pavarësisht se çmimet e biletave u kritikuan hapur nga grupet e tifozëve, për shkak të çmimeve të kripura, sërish pati një nivel të jashtëzakonshëm interesi për blerjen e biletave. Sipas të dhënave të publikuara nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB), çmimet e biletave për ndeshjet e fazës së grupeve variojnë nga 180 deri në 700 dollarë. Për finalen, nisin nga 4,185 dollarë, deri në 8,680 dollarë!