
Groenlanda dhe NATO zotohen të rrisin sigurinë në Arktik pas kërcënimeve të Trump për aneksim

NATO dhe qeveria e Groenlandës thanë të hënën se kanë ndërmend të punojnë për forcimin e mbrojtjes së territorit autonom danez, duke shpresuar të bindin presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të mos e aneksojë ishullin.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i ka varur shpresat e tij në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të, NATO-n.
“Siguria dhe mbrojtja jonë i përkasin NATO-s. Kjo është një linjë themelore dhe e vendosur”, tha Nielsen në një postim në rrjetet sociale.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha gjithashtu se aleanca po punonte për “hapat e ardhshëm” për të forcuar sigurinë në Arktik.
Irani thërret ambasadorët për të kërkuar tërheqjen e mbështetjes për protestat, ndërsa numri i të vdekurve rritet

Irani thirri në Teheran diplomatët që përfaqësojnë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar për të kundërshtuar atë që e përshkroi si mbështetje nga këto vende për protestat që kanë tronditur republikën islamike, tha Ministria e Jashtme e tij.
Diplomatëve iu tregua një video e dëmeve të shkaktuara nga "protestuesit" dhe u tha se qeveritë e tyre duhet të "tërheqin deklaratat zyrtare në mbështetje të protestuesve".
Dënimi nga qeveritë perëndimore vjen pasi Organizata për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHR) me seli në Norvegji, tha se të paktën 648 protestues janë vrarë nga forcat iraniane të sigurisë, por grupi ka paralajmëruar se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Hapet në gjykatën e OKB-së çështja nëse Myanmari kreu gjenocid kundër Rohingya-ve

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë kanë nisur seancat për çështjen nëse Myanmari ka kryer gjenocid ndaj pakicës Rohingya, pas padisë së ngritur nga Gambia (vend i Afrikës Perëndimore) në vitin 2019.
Gambia argumenton se operacioni ushtarak i vitit 2017 përfshinte vrasje, përdhunime dhe djegie masive, duke detyruar mbi 700 mijë Rohingya të largohen në Bangladesh, ndërsa Myanmari i mohon akuzat.
Tani, rreth 1.2 milion anëtarë të pakicës së persekutuar po vuajnë në kampe kaotike dhe të mbipopulluara, ku grupe të armatosura rekrutojnë fëmijë dhe vajza që në moshën 12 vjeç detyrohen të prostituohen.
Policia spanjolle sekuestroi 10 ton kokainë të fshehur në një anije në brigjet e Ishujve Kanarie

Policia spanjolle ka kryer sekuestrimin më të madh të kokainës në det, pasi gjeti gati 10 ton drogë të fshehur midis një ngarkese me kripë në një anije tregtare pranë ishujve Kanarie.
Detektivët dhe prokurorët e antidrogës prej kohësh po hetonin një grup kriminal shumëkombësh që dyshohet se po eksportonte "sasi të mëdha" kokaine nga Amerika e Jugut në Europë, derisa identifikuan një anije të dyshuar që ishte nisur nga Brazili.
Operacioni, i quajtur “Batica e Bardhë”, u krye në bashkëpunim me policinë federale braziliane, Administratën Amerikane Kundër Drogës, Agjencinë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me autoritetet franceze dhe portugeze.