
Të shtëna gjatë eventit: Trump evakuohet nga darka në Uashington

Donald Trump, bashkë me zëvendëspresidentin JD Vance dhe Melania Trump, u evakuuan me urgjencë nga një event zyrtar në Uashington, pasi u raportuan të shtëna pranë sallës ku po zhvillohej darka e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Ngjarja ndodhi në hotelin Hilton, ku një person i armatosur dyshohet se hyri në ambientet e brendshme duke i shpëtuar sistemit të sigurisë. Sipas raportimeve, ai u drejtua me shpejtësi drejt zonës së eventit.
Në video të publikuara në rrjet, të ftuarit shihen duke u fshehur nën tavolina në momentin e të shtënave. Autori i dyshuar është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia.
Autoritetet besojnë se ai veproi i vetëm, por ende nuk kanë dhënë detaje mbi motivin apo objektivin e sulmit. Hetimet vijojnë, ndërsa masat e sigurisë janë forcuar ndjeshëm.
Trump anulon bisedimet me Iranin për përfundimi e luftës

Donald Trump ka deklaruar se ka urdhëruar ekipin e tij të mos udhëtojë drejt Pakistanit për të vijuar bisedimet me zyrtarë iranianë për përfundimin e luftës. Në një intervistë për Fox News, ai tha se ndaloi udhëtimin në momentin e fundit, duke e konsideruar të panevojshëm.
“Nuk do bëni fluturime 18-orëshe për të folur për asgjë”, u shpreh ai.
Sipas Trump, SHBA ka “të gjitha kartat në dorë” dhe pret që pala tjetër të marrë iniciativën. Ai shtoi se anulimi i takimit nuk do të thotë domosdoshmërisht rikthim i konfliktit. Në një deklaratë për Axios, theksoi se nuk është marrë ende një vendim për hapat e ardhshëm. Situata mbetet e paqartë, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të jenë të larta.
Sulme kibernetike ndaj zyrtarëve: Dyshimet bien mbi Rusinë

Autoritetet gjermane dhe shërbime të tjera të sigurisë kanë lëshuar një paralajmërim të ri për sulme që synojnë zyrtarë të lartë dhe ligjvënës përmes aplikacionit Signal. Sipas burimeve qeveritare, fushata dyshohet të jetë e orkestruar nga një aktor kibernetik i kontrolluar nga shteti.
Qeveria gjermane beson se pas këtyre sulmeve qëndron Rusia. Viktimat marrin mesazhe që duken si njoftime zyrtare nga Signal-, ku u kërkohet të japin PIN-in ose të klikojnë një link. Nëse bien pre, hakerët mund të kenë akses në mesazhe, grupe dhe skedarë personalë.
Rasti është konsideruar serioz për shkak të nivelit të lartë të objektivave. Autoritetet po u bëjnë thirrje zyrtarëve të tregohen të kujdesshëm. Hetimet për burimin e sulmit vijojnë.
Palestinezët votojnë pas dy dekadash në një klimë tensioni

Zgjedhjet lokale të mbajtura në Bregun Perëndimor dhe në Gaza shënojnë një moment të rrallë për palestinezët, pas gati 20 vitesh pa votime në këtë territor. Procesi po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike dhe sigurie.
Kjo është hera e parë që nga viti 2006, kur Hamas fitoi zgjedhjet në Gaza, që qytetarët votojnë sërish. Prej asaj kohe, zgjedhjet janë shtyrë vazhdimisht. Shumica e listave aktuale lidhen me lëvizjen Fatah të presidentit Mahmoud Abbas ose me kandidatë të pavarur.
Votimi shihet si një hap i rëndësishëm, por sfidat mbeten të mëdha. Rezultatet priten me interes në një rajon të paqëndrueshëm.