Franca është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që miraton një ligj për ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Projektligji u miratua të martën nga Parlamenti francez dhe synon të mbrojë shëndetin mendor të të miturve.
Ligji u miratua fillimisht në Senat me 243 vota pro dhe vetëm 2 kundër, ndërsa më pas mori dritën jeshile edhe në Asamblenë Kombëtare. Reforma është mbështetur fort nga presidenti Emmanuel Macron, i cili kërkoi që ajo të hynte në fuqi përpara nisjes së vitit të ri shkollor.
Sipas ministres së Medias Digjitale, Anne Le Havre, të gjithë përdoruesit në Francë do të duhet të verifikojnë moshën e tyre brenda katër muajve. Nëse një përdorues rezulton nën 15 vjeç, llogaria e tij në platformat sociale do të mbyllet.
Masat do të zbatohen në dy faza: nga 1 shtatori 2026 për llogaritë e reja, ndërsa për llogaritë ekzistuese ndalimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, pas përfundimit të procesit të verifikimit të moshës.
Projektligji parashikon gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme, duke zgjeruar kufizimet që tashmë zbatohen në shkollat fillore dhe 9-vjeçare. Megjithatë, secila shkollë do të ketë të drejtën të parashikojë përjashtime në rregulloret e saj të brendshme.
Ligji nuk vendos sanksione për fëmijët apo prindërit e tyre. Përgjegjësia për verifikimin e moshës do t’u takojë platformave digjitale. Komisioni Evropian ka prezantuar tashmë një aplikacion panevropian për verifikimin e moshës, ndërsa edhe kompani private kanë zhvilluar zgjidhje të ngjashme.
Megjithatë, ligji ka ngjallur debat. Deputeti socialist Arthur Delaporte kritikoi paqartësitë mbi mënyrën se si do të realizohet verifikimi i moshës dhe paralajmëroi se grupi i tij mund ta dërgojë ligjin në Këshillin Kushtetues. Ndërkohë, partia France Insubordinate e cilësoi reformën si një hap që rrezikon t’i japë fund anonimitetit në internet.
Nga ana tjetër, mbështetësit e ligjit theksojnë se ai bazohet edhe në rekomandimet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Shëndetësore (Anses), e cila ka paralajmëruar për ndikimin negativ që rrjetet sociale mund të kenë në shëndetin mendor të adoleshentëve.
Ligji parashikon edhe disa përjashtime, si enciklopeditë online dhe platformat me përmbajtje edukative. Sa i përket YouTube dhe WhatsApp, verifikimi i moshës do të zbatohet vetëm për funksionet që ngjajnë me rrjetet sociale, si komentet apo ndarja e kanaleve. Shikimi i videove dhe komunikimi privat përmes mesazheve nuk do të preken nga kufizimet.




