
Pas më shumë se një viti e gjysmë përplasjesh ligjore dhe vëmendjeje të jashtëzakonshme mediatike, Luigi Mangione u deklarua fajtor për vrasjen e CEO-s së UnitedHealthcare, Brian Thompson. 28-vjeçari u shfaq të premten në një gjykatë federale në New York, mes spekulimeve se mund të ndryshonte qëndrimin e tij nga “i pafajshëm” në “fajtor”.
Mangione mbërriti në sallën e gjyqit me uniformën ngjyrë bezhë të burgut dhe një bluzë të bardhë poshtë saj. Këmbët i kishte të lidhura me pranga, ndërsa duart i mbante pas shpine. Në sallën e mbushur plot ndodheshin gazetarë, mbështetës të Mangione-s dhe familjarë të Brian Thompson.
“Jam gati të deklarohem fajtor”

Seanca nisi me një zhvillim të papritur. Avokatja e Mangione-s, Karen Friedman Agnifilo, i tha gjykatëses Margaret Garnett se klienti i saj ishte gati të deklarohej fajtor.
Më pas, gjykatësja i bëri një seri pyetjesh për t'u siguruar se ai e kuptonte vendimin dhe pasojat e tij. Mangione u përgjigj shkurt dhe qartë, duke konfirmuar se e kuptonte se mund të dënohej edhe me burgim të përjetshëm.
Momenti më i rëndësishëm erdhi kur ai nisi të lexonte deklaratën e tij në gjykatë. Në fillim foli me nxitim dhe me zë disi të paqartë, por më pas vazhdoi më i qetë. Në deklaratën e tij, Mangione përshkroi mënyrën se si kishte planifikuar sulmin dhe pranoi se kishte qëlluar Brian Thompson në Manhattan më 4 dhjetor 2024.
Si e përshkroi krimin

Sipas deklaratës së tij në gjykatë, Mangione tha se kishte vuajtur prej vitesh nga dhimbje të forta si pasojë e një problemi me shpinën dhe se kishte pasur përvoja negative me sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Ai tregoi se kishte mësuar për një konferencë vjetore të UnitedHealthcare në Manhattan dhe kishte kërkuar informacione për eventin në internet. Madje, sipas dëshmisë së tij, kishte kontaktuar kompaninë duke u paraqitur si investitor për të mësuar më shumë rreth aktivitetit.
Mangione tha gjithashtu se kishte përdorur një printer 3D për të prodhuar një armë. Më pas, duke iu referuar mëngjesit të 4 dhjetorit 2024, ai pranoi në gjykatë:
“E qëllova zotin Thompson në Manhattan dhe ai vdiq.”
Çfarë ndodh tani?
Familjarët e Brian Thompson e cilësuan këtë moment si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë.
Mangione pritet të dënohet më 18 dhjetor. Për secilën prej dy akuzave për përndjekje, dënimi maksimal mund të jetë burgimi i përjetshëm, ndërsa prokurorët kanë rekomanduar një dënim prej 24 deri në 30 vitesh burg. Vendimin përfundimtar do ta marrë gjykatësja.
Megjithatë, çështja nuk përfundon këtu. Mangione përballet gjithashtu me akuza të veçanta në nivel shtetëror për vrasjen dhe gjyqi në New York mbetet i planifikuar për muajin shtator.




