
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë paditur për shpifje në SHBA influenceren e djathtë amerikane Candace Owens, pasi kjo e fundit ka deklaruar se Brigitte është në fakt një burrë.
Padia e dorëzuar në Delaware përfshin plot 218 faqe dhe përshkruan akuzat e Owens si “të pabaza, shpifëse dhe të çmendura”, ku më e bujshmja është pretendimi se Brigitte është lindur mashkull me emrin Jean-Michel Trogneux.
Por kjo nuk është e gjitha. Sipas dosjes, Owens ka shpërndarë edhe teori konspirative të tipit “Emmanuel Macron është produkt i një eksperimenti të CIA-s për kontroll mendjeje”, si dhe se çifti Macron kanë lidhje gjaku së bashku.
Avokati i çiftit, Thomas Clare, është shprehur për Financial Times:
“Parimi këtu është e vërteta. Macron-ët besojnë se është e rëndësishme të mbrojnë veten. Owens ka pasur disa mundësi për të tërhequr ato që ka thënë, por në vend të kësaj vetëm i ka bërë meme.”

Çifti presidencial është gati të udhëtojë vetë në Delaware për të dalë në gjyq dhe kërkuar dëmshpërblim.
Në një deklaratë të përbashkët, ata thanë:
“Pasi zonja Owens vazhdoi të përsëriste këto gënjeshtra pavarësisht kërkesave të përsëritura nga avokatët tanë për t’i tërhequr, përfundimisht arritëm në përfundimin se gjykata ishte e vetmja rrugë e mbetur.”
Nga ana tjetër, Owens nuk ka bërë asnjë hap prapa. Përmes zëdhënësit të saj, ajo ka paralajmëruar se do të përgjigjet në podcast-in e saj:
“Candace Owens nuk do të mbyllë gojën. Ky është një sulm nga një qeveri e huaj ndaj të drejtës për fjalën e lirë të një gazetareje të pavarur amerikane. Ajo ka kërkuar vazhdimisht një intervistë me Brigitte Macron, por kjo e fundit po përpiqet të heshtë një gazetare me gjyq.”
Burimi: Financial Times