Justin Baldoni ka folur për herë të parë pasi ai dhe Blake Lively arritën një marrëveshje, duke i dhënë fund betejës së gjatë ligjore mes tyre.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, aktori u shfaq krah bashkëshortes së tij, Emily Baldoni, e cila tha se të dy ndiejnë një "mirënjohje të jashtëzakonshme" për të gjithë ata që i mbështetën që kur Blake Lively ngriti akuzat ndaj aktorit dhe regjisorit të filmit "Mbaron me ne" në dhjetor të vitit 2024.

"Mirënjohja na ka shpëtuar," u shpreh Justin.
Megjithatë, Emily theksoi se kjo mirënjohje nuk e zbeh padrejtësinë dhe dhimbjen që familja e tyre ka përjetuar gjatë viteve të fundit.
Ajo rrëfeu se kanë kaluar një periudhë të vështirë, duke u përpjekur të kuptojnë se si mund të ndodhte një situatë e tillë, sidomos kur, sipas saj, gjithçka u paraqit si një luftë në mbrojtje të grave. Emily shtoi se e gjithë familja është përballur me trauma të mëdha.

Justin shpjegoi edhe pse zgjodhën të mos flisnin më herët.
"Gjatë këtyre viteve janë thënë shumë gjëra të dhimbshme," tha ai, ndërsa Emily shtoi: "Dhe të pavërteta."
"Kjo krijoi shumë zhurmë dhe ne nuk donim të shtonim më shumë. Vendosëm ta lëmë drejtësinë të bënte punën e saj," vazhdoi aktori.
Emily shtoi se e vërteta dhe faktet folën vetë. Justin tha se tani familja e tyre është në proces shërimi pas një eksperience që e cilësoi traumatike dhe falënderoi publikisht të gjithë ata që i mbështetën në një kohë kur ata nuk mund të flisnin.

"Fjala 'faleminderit' nuk mjafton," tha ai.
Justin Baldoni dhe Blake Lively arritën marrëveshjen më 4 maj, vetëm dy javë para se çështja të shkonte në gjyq. Marrëveshja erdhi një muaj pasi gjykata rrëzoi 10 nga 13 pretendimet e Blake Lively, mes tyre edhe akuzën për ngacmim seksual ndaj Baldonit.
Në deklaratën e përbashkët pas marrëveshjes, të dy theksuan se filmi "Mbaron me ne" mbetet një projekt për të cilin janë krenarë dhe se qëllimi i tij ishte të rriste ndërgjegjësimin për dhunën në familje dhe të mbështeste të mbijetuarit.


Ata pranuan se procesi nuk ishte i lehtë dhe se shqetësimet e ngritura nga Blake Lively meritonin të dëgjoheshin. Gjithashtu, theksuan angazhimin për ambiente pune të sigurta dhe shpresën që kjo marrëveshje t'u japë mundësi të gjithëve të ecin përpara në paqe, edhe në hapësirën publike.
Sipas raportimeve, as Blake Lively dhe as Justin Baldoni nuk morën dëmshpërblim financiar nga marrëveshja, ndërsa ekipet e tyre ligjore përfituan rreth 60 milionë dollarë në total nga proceset gjyqësore.


Vetëm pak orë pas arritjes së marrëveshjes, Blake Lively u shfaq në mbrëmjen gala të vitit 2026, ndërsa një ditë më vonë bashkëshorti i saj, Ryan Reynolds, publikoi një fotografi të buzëqeshur të tyre së bashku.

Edhe Justin Baldoni u pa pak ditë më vonë në Nashville, duke ecur dorë për dore me bashkëshorten e tij.





