
Ka filma aksion që kanë nevojë për superheronj, ekskluzivitete gjigante apo yje ikonë të viteve ’80 për të pretenduar titullin e më të mirit. Mad Max: Fury Road nuk ka nevojë për asnjërën prej tyre. Mjafton një ndjekje gati dyorëshe në shkretëtirë, Tom Hardy, Charlize Theron dhe një sasi marramendëse kuaj-fuqi.
Filmi i vitit 2015, me regji të George Miller, është renditur në vendin e parë nga StudioBinder në listën e 50 filmave më të mirë aksion të të gjitha kohërave. Një zgjedhje jo pak e guximshme, duke pasur parasysh konkurrencën: Die Hard, Raiders of the Lost Ark, The Empire Strikes Back, Terminator 2: Judgment Day, The Dark Knight, The Matrix, Aliens dhe Heat janë vetëm disa prej klasikëve që mbetën pas.
Pse fitoi “Mad Max: Fury Road”?

Historia zhvillohet në një botë post-apokaliptike ku uji është i rrallë dhe pushteti kontrollohet nga ata që zotërojnë burimet. Tom Hardy interpreton Max Rockatansky, një endacak që përfshihet në misionin e Imperator Furiosa, personazhit të luajtur nga Charlize Theron, e cila po përpiqet të arratiset nga tirani Immortan Joe bashkë me një grup grash që ai i mban të burgosura.
Sapo Max dhe Furiosa kryqëzojnë rrugët, filmi shndërrohet në një ndjekje spektakolare nëpër shkretëtirë. Përplasje, shpërthime, makina, motoçikleta dhe skena aksioni të jashtëzakonshme e mbajnë ritmin pothuajse gjatë gjithë kohës.
Një prej elementeve që e veçon filmin është përdorimi i kufizuar i CGI-t dhe mbështetja te efektet praktike. Automjetet lëvizin realisht, përplasen dhe përmbysen, ndërsa shumë prej skenave janë realizuar fizikisht, duke i dhënë aksionit një ndjesi më të fuqishme dhe autentike.
Tom Hardy nuk është domosdoshmërisht ylli kryesor

Edhe pse emri i Hardy-t është në qendër të filmit, Furiosa e Charlize Theron është po aq e rëndësishme për historinë. Personazhi i saj u shndërrua në një prej heroinave më të paharrueshme të filmave aksion të viteve 2010 dhe është pikërisht misioni i saj ai që shtyn përpara pjesën më të madhe të ngjarjeve.
Max, në fakt, bëhet një aleat i papritur në përpjekjen e Furiosa-s për të shpëtuar veten dhe gratë e tjera. Kjo e largon filmin nga modeli klasik ku protagonisti mashkull është gjithmonë qendra absolute e historisë.
Më shumë se një dekadë pas premierës, Mad Max: Fury Road vazhdon të konsiderohet një prej atyre filmave të rrallë që funksionojnë si spektakël dhe si demonstrim i mjeshtërisë kinematografike.
Është i zhurmshëm, i shpejtë, i çuditshëm, vizualisht mahnitës dhe jashtëzakonisht ritmik. Në thelb, i gjithë filmi është një ndjekje gjigante me makina në shkretëtirë. Dhe pikërisht kjo ide, e realizuar me kaq shumë kreativitet, mund të jetë arsyeja pse Mad Max: Fury Road vazhdon të qëndrojë mbi shumë prej klasikëve më të mëdhenj të zhanrit.
Megjithatë, për ne, ylli i filmit mbetet një dhe i vetmi ;)




