
Shtatori po afron dhe, siç është bërë zakon në çdo nisje të sezonit të ri televiziv, disa moderatorë ndërrojnë televizion, disa programe ndërrojnë fytyra dhe, sigurisht, nisin thashethemet dhe teoritë e radhës. Këtë vit, merkatoja televizive duket goxha e ngarkuar.
Emrat e përmendur dhe lëvizjet e mundshme janë të shumta, ndaj ne kemi bërë një përmbledhje të asaj që dihet deri tani dhe, aty ku kemi mundur, kemi pyetur edhe burimet tona.

“Për’puthen” do të ndryshojë
Një nga formatet që pritet të hyjë në sezon me fytyrë të re është “Për’puthen”. Burime për Anabel konfirmojnë se Megi Pojani nuk do të jetë moderatorja këtë sezon. Të njëjtat burime thonë se vendin e saj do ta marrë Heidi Baci, ndërsa Ronaldo Sharka pritet të marrë autorësinë e programit. Për rolin e opinionistëve qarkullojnë dy emra: Arjan Konomi dhe Erjola Doçi.
Megjithatë, Megi nuk do të mungojë gjatë. Burimet e Anabel thonë se ajo pritet të rikthehet në Top Channel në janar, me një projekt të ri për të cilin, për momentin, nuk ka ende informacione të tjera.

Agron Llakaj do të kthehet aty ku gjithçka nisi
Një tjetër rikthim që ka bërë zhurmë është ai i Agron Llakajt. Pas eksperiencës në Vizion Plus, aktori dhe moderatori raportohet se do të rikthehet në Top Channel dhe konkretisht në “Portokalli”, programin me të cilin është identifikuar për vite me radhë.
Në rrjet është përfolur se pjesë e programit do të jetë edhe Xhemi Shehu, madje me një angazhim më të madh në skeçet humoristike. Por burime për Anabel i mohojnë këto zëra. Sipas tyre, Xhemi nuk do të jetë pjesë e “Portokalli” këtë sezon dhe as e “Fiks Fare”.

Edhe “Fiks Fare” mund të mos jetë më ai që njihnim
Një nga ndryshimet më të mëdha raportohet në “Fiks Fare”. Pas rreth 25 vitesh në krye të emisionit investigativ, Filip Çakulli pritet të largohet nga formati. Në raportimet për sezonin e ri është përmendur gjithashtu largimi i Jul Dedës, ndërsa, siç thamë më sipër, burimet tona konfirmojnë se Xhemi Shehu nuk do të jetë pjesë e programit. Dhe kështu mbetet hapur pyetja më interesante: Kush do ta drejtojë “Fiks Fare” tani?

Po Bora Zemani?
Kjo është një nga ato pyetje që vazhdon të ketë disa përgjigje dhe asnjë konfirmim përfundimtar. Emri i Bora Zemanit u lidh fillimisht me një largim të mundshëm nga Top Channel dhe madje edhe me “Ferma VIP”. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim për kalimin e saj në një televizion tjetër.
Burime për Anabel thonë se “Dancing with the Stars” pritet të zhvillohet së shpejti në Vizion Plus dhe një nga emrat që përflitet për moderimin është pikërisht Bora. Por, të paktën deri tani, Bora Zemani nuk ka firmosur asnjë kontratë me Vizion Plus. Pra, për momentin, çështja mbetet e hapur.

“Goca dhe Gra” me një gocë të re
Edhe te “Goca dhe Gra” priten ndryshime. Selin Bollati, fituesja e edicionit të fundit të “Big Brother VIP Albania”, raportohet se do t’i bashkohet panelit të programit në Top Channel. Ndërkohë, Sherina Spahiu ka lënë të kuptohet se eksperienca e saj në format ka përfunduar.

Ndryshime edhe në “Në Shtëpinë Tonë”
Ndryshime priten edhe te “Në Shtëpinë Tonë”, ku Julka Gramo nuk do të vazhdojë moderimin. Burime për Anabel thonë se ka gjasa që programit t’i bashkohet Arjola Shehu.

Arjola është parë shpesh së fundmi në studiot e Top Channel, së bashku me Alban Musën dhe Arjon Muçën, çka ka ngritur dyshimet se të tre mund të jenë pjesë e një formati të ri mëngjesi.

Luana + Top Channel, raundi 2?
Dhe pastaj është Luana Vjollca. Prej muajsh përflitet një rikthim i mundshëm i saj në Top Channel, televizion ku realizoi disa prej projekteve më të suksesshme të karrierës. Madje është hedhur edhe ideja e një rikthimi të “Shiko Kush Luan”, ndoshta në një version të ri. Daljet e fundit televizive dhe afrimi i Luanës me figura të Top Media vetëm sa i kanë shtuar zërat. Por burimet e Anabel thonë se Luana nuk është parë në studiot e Top Channel, çka i bën këto raportime, të paktën për momentin, të pabazuara.
Pra: A kemi një rikthim zyrtar? Jo. A mund të ndryshojë kjo? Sigurisht. Por tani për tani, Luana + Top Channel mbetet vetëm në kategorinë e thashethemeve.

Luiz Ejlli rikthehet në Top Channel, këtë herë si moderator
Fituesi i “Big Brother VIP Albania 2” do të jetë në drejtimin e “Live me Luizin”, një format i ri që do të ndërthurë muzikën live, intervistat, të ftuarit, lojërat, humorin dhe performancat. Top Channel publikoi promon e parë të emisionit, ku Luizi shfaqet përballë një televizori që merr flakë, një mënyrë ndoshta për të paralajmëruar energjinë që pritet të ketë programi.

Po rikthehet Arbana Osmani në Top Channel?
Për këtë pyetje, burimet e Anabel brenda Top Channel kanë një përgjigje shumë të shkurtër: Jo. Ndërkohë, burime nga Vizion Plus thonë se Arbana Osmani pritet të vazhdojë me “Ferma VIP”.

“Big Brother VIP Albania” me Ledion Liçon?
Këtu përgjigjja është: Po. Burime për Anabel konfirmojnë se “Big Brother VIP Albania 6” pritet të nisë në tetor ose, maksimumi, në fillim të nëntorit, me Ledion Liçon sërish në drejtim.

Edhe Alketa Vejsiu hyri në ekuacion
Pas paraqitjes së Alketa Vejsiut në Top Channel si opinioniste e ftuar në “Big Brother VIP”, nisën menjëherë zërat për një afrim më të madh mes moderatores dhe televizionit. Është raportuar se asaj mund t’i jetë propozuar një projekt në Top Channel. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim se Alketa largohet nga TV Klan apo se ka firmosur për një program të ri në Top Channel.

Edhe Andale po hyn në një fazë të re
Ndryshime ka edhe te platforma multimediale Andale, ku disa prej personazheve nuk do të jenë më pjesë e projekteve të reja. Megli, Klea, Blerta dhe Bernardi janë larguar. Largimet kanë ngritur pikëpyetje për vijimësinë e disa formateve, sidomos “G.O.A.T.S” dhe “Pa Manual”. Në të njëjtën kohë, Andale ka hapur audicione për personazhe të rinj, çka tregon se platforma po përgatitet për një rifreskim të kastit dhe të formateve në sezonin e ri.

Lëvizjet në Vizion Plus
Edhe në Vizion Plus priten ndryshime. Sipas burimeve tona, Fjodora Fjora do të rikthehet në ekranin e televizionit, ndërsa Pranvera Borakaj do të largohet. Ndërkohë, siç përmendëm më sipër, Vizion Plus mund të jetë edhe televizioni që sjell sezonin e ri të “Dancing with the Stars”.
Po RTSH-ja?
RTSH raportohet se po përgatit një riformatim më të gjerë për sezonin e ri dhe lista e emrave që po diskutohen është e gjatë. Mes tyre janë përmendur Eva Murati, Arvin Kita, Klotilda Harka, Matilda Terpollari, Bojken Lako, Gjergj Kaçinari dhe Alba Çobaj. Për prime time flitet për një prani më të madhe të spektakleve muzikore dhe artistike, ndërsa emrat e Alfred Kaçinarit dhe Shpëtim Saraçit janë lidhur me projekte muzikore live.
Dhe, si gjithmonë në merkato televizive, jo çdo emër që përflitet përfundon domosdoshmërisht aty ku pritet. Por një gjë është e qartë: shtatori do të vijë me shumë ndryshime.