
Mes shkatërrimit dhe dhimbjes që kanë lënë pas dy tërmetet e fuqishme në Venezuelë, një histori po prek njerëzit në mbarë botën. Një foshnjë vetëm 18 ditëshe u nxor e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, plot 32 orë pasi lëkundjet sizmike goditën vendin.
Pamjet e siguruara nga Agence France-Presse tregojnë ekipet e shpëtimit duke punuar gjatë natës, nën dritën e prozhektorëve, mbi një grumbull të madh rrënojash në qytetin La Guaira, zona më e goditur nga katastrofa. Në momentin kur foshnja u nxor nga rrënojat, të pranishmit shpërthyen në duartrokitje.
Në video shihet se si shpëtuesit ia kalojnë me kujdes foshnjën njëri-tjetrit, të mbështjellë me një batanije, përpara se ta pastrojnë dhe t’i japin ndihmën e parë. Sipas personit që publikoi pamjet në rrjetet sociale, foshnja kishte qëndruar e bllokuar për 32 orë dhe, për mrekulli, nuk kishte pësuar dëmtime serioze. Nëna e saj u shpëtua rreth një orë më vonë.
Rescuers pulled a mother and her newborn baby to safety after they survived more than 24 hours trapped beneath the debris following the powerful earthquake in Venezuela. pic.twitter.com/id5FD7d5Jz
— Massimo (@Rainmaker1973) June 27, 2026
Ndërkohë, bilanci i tragjedisë vazhdon të rëndohet. Të paktën 920 persona kanë humbur jetën, mijëra të tjerë janë plagosur dhe më shumë se 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur pas dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën veriun e Venezuelës të mërkurën.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë përqendruar kryesisht në La Guaira, ku ndodhet epiqendra e katastrofës. Autoritetet kanë bërë të ditur se hyrja në zonë do të lejohet vetëm me autorizim të posaçëm, pasi trafiku dhe prania e madhe e njerëzve po vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës.
Megjithatë, shumë banorë nuk kanë pritur ndërhyrjen e autoriteteve. Ata kanë nisur vetë kërkimet për familjarët dhe miqtë e tyre, duke u ankuar se ndihma shtetërore nuk ka qenë e mjaftueshme në zonat më të goditura.
"Çdo person i shpëtuar është një mrekulli", deklaroi presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez.
Pamjet nga terreni janë rrëqethëse. Banorët qëndrojnë pranë ndërtesave të shembura, duke pritur me ankth lajme për të afërmit e tyre. Në La Guaira, Nazareth Jimenez shpërtheu në lot ndërsa fqinjët përpiqeshin të çanin pllakat e betonit me mjete të improvizuara për të arritur njerëzit e bllokuar.
"Zot i madh, si do t'i nxjerrim që andej?", u shpreh ajo mes lotësh. "Ka ende njerëz gjallë atje brenda", shtoi, duke bërë thirrje për më shumë makineri të rënda dhe ndihmë ndërkombëtare.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesë e Kombeve të Bashkuara, deri në 6.76 milionë njerëz mund të jenë prekur nga kjo katastrofë natyrore. Vetëm në Karakas vlerësohet se rreth dy milionë banorë janë ndikuar nga pasojat e tërmeteve.
OKB thekson se këto shifra bazohen në analizat demografike dhe dëmet e deritanishme, duke paralajmëruar se situata humanitare mund të jetë edhe më e rëndë ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Në mes të kësaj tragjedie, shpëtimi i foshnjës 18-ditëshe është kthyer në simbolin e shpresës për mijëra familje që ende presin një mrekulli.