Aktorja e njohur nga seriali Stranger Things, Millie Bobby Brown, dhe bashkëshorti i saj Jake Bongiovi kanë njoftuar se janë bërë prindër për herë të parë, pasi kanë birësuar një vajzë.
Brown, 21 vjeç, dhe Bongiovi, 23 vjeç, ndanë lajmin përmes një postimi në rrjete sociale, duke u shprehur se janë “jashtëzakonisht të lumtur” për këtë kapitull të ri në jetën e tyre.
Krahas një skice të një peme të publikuar në Instagram të enjten, ata shkruan:
“Këtë verë mirëpritëm vajzën tonë të ëmbël përmes birësimit.
Jemi jashtëzakonisht të emocionuar që po nisim këtë kapitull të bukur të prindërimit në paqe dhe privatësi.”
Postimi, i shoqëruar nga kënga Ob-La-Di, Ob-La-Da e Beatles, përfundonte me fjalët:
“Dhe tani, jemi tre.”
Brown, e njohur më së shumti për rolin e saj si Eleven në serialin e suksesshëm të Netflix-it, dhe Bongiovi, model dhe djali i muzikantit Jon Bon Jovi, u martuan në tetor të vitit të kaluar, pas fejesës në vitin 2023.
Në një postim të asaj kohe, krahas fotografive nga dasma, Bongiovi shkruante:
“Përgjithmonë, bashkëshorti yt.”
Brown ka folur më parë për dëshirën e saj për të krijuar një familje të madhe, dhe ka përmendur edhe mundësinë e birësimit. Në mars, gjatë një interviste në podcast-in SmartLess, ajo u shpreh:
“Jake e di sa e rëndësishme është për mua të kem fëmijë.”
Aktorja, e cila së fundmi ka luajtur përkrah Chris Pratt në filmin fantastiko-shkencor The Electric State, shtoi:
“Sigurisht që dua të përqendrohem në karrierën time si aktore dhe producente, por gjithashtu e konsideroj shumë të rëndësishme që të filloj një familje, për mua personalisht.”