
Ka disa trende që vijnë e ikin dhe ka disa të tjerë që rikthehen në momentin e duhur. Këtë verë, është radha e printit bandana (ose printit të shamisë), i cili po shfaqet kudo, nga fustanet e lehta deri te fundet, bluzat dhe setet verore.

I frymëzuar nga shamitë klasike, ky print sjell menjëherë një atmosferë pushimesh dhe një stil që duket i kuruar pa u munduar shumë. Dizajnerët e kanë rikthyer në versione më moderne, me nuanca pastel, tone tokësore dhe kombinime elegante që shkojnë përtej ngjyrave tradicionale të kuqe dhe blu.

Pika më e fortë e këtij trendi është se kombinohet lehtësisht me gjithçka.

Një bluzë me print bandana duket perfekte me pantallona të shkurtra xhins dhe sandale të sheshta, ndërsa një fustan midi me të njëjtin motiv mund të vishet pa problem nga paraditja deri në darkë, mjafton të ndryshosh këpucët dhe aksesorët.

Nëse je nga ato që nuk kanë frikë të eksperimentojnë, mund të provosh edhe kombinimin e disa motiveve bandana në të njëjtin look. Rezultati është modern, i freskët dhe shumë "It girl".

Me pak fjalë, nëse po mendon t'i shtosh garderobës një trend që të kujton verën, detin dhe stilin pa sforcim, printi bandana është zgjedhja që do të shohësh gjithandej këtë sezon.




