
Vetëm titulli është i mjaftueshëm për të bërë që zemra t’ju rrahë më shpejtë. Një studim i ri sugjeron se shpejtësia e rrahjeve mund të përdoret si një test për të parë jetëgjatësinë.
Mjekët janë në dijeni prej kohësh se njerëzit me rrahje të pakta të zemrës janë më të shëndetshëm se ata që i kanë rrahjet e shpejta.
Ata që i kanë rrahjet e zemrës 80 për minutë kanë 45% më shumë mundësi për të vdekur në 20 vitet e ardhshme sesa ata që i kanë rrahjet e zemrës 45 në minutë. Shumica e njerëzve i kanë rrahjet e zemrës 60 deri në 100 për minutë ndërsa atletët profesionistë i kanë mesatarisht 40 për minutë.
Kërkuesit kanë zbuluar se ka 9% më shumë rrezik që dikush të vdes nga ndonjë sëmundje për çdo 10 rrahje më shumë në minutë. Ndërsa shancet për një infarkt rriten me 8%.
“Lidhja e rrahjeve të zemrës me rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare është e pavarur nga faktorët e tjerë të sëmundjeve kardiovaskulare, kjo sugjeron se rrahjet e zemrës janë një parashikues i vdekshmërisë së popullsisë në përgjithësi,” thotë Dr Dongfeng Zhang, nga Kolegji i Mjekësisë në Qingdao University, në Kinë.
Për këtë çështje janë bërë mbi 46 studime që kanë përfshirë rreth 1.2 milion njerëz dhe janë monitoruar për mesatarisht 21 vite. Gjatë kësaj kohe kanë rezultuar 78, 349 vdekje duke përfshirë 25, 800 nga problemet e zemrës. Kur rrahjet e zemrës shkonin mbi 90 në minutë, dyfishoheshin dhe shancet për një vdekje më të hershme. Këto matje janë bërë kur trupi ishte në një gjendje të mirë dhe të relaksuar.
Christopher Allen, i “British Heart Foundation” thotë: “Ndërkohë që ne e dimë që rrahjet e ngadalta të zemrës mund të tregojnë për një fizik të shëndetshëm, nevojiten më shumë kërkime për të parë saktësisht ndikimin që kanë ato dhe për të matur me saktësinë.”
Dr Kate Holmes nga “Stroke Association” shtoi se faktori më i madh i rrezikut është presioni i lartë i gjakut. Është e nevojshme që të bëhen rregullisht kontrolle të presionit të gjakut.
“Duke mbajtur një dietë të balancuar apo duke lënë duhanin janë hapa të thjeshtë por që kanë impakt të madh në shëndetin tuaj,” thotë Holmes.
Burimi: The Telegraph; Përshtati: Klarida Bregaj