
Adi Krasta ka qenë i ftuar në emisionin e së mërkurës në Ora News, 'Tonight Ilva Tare'dhe pas një periudhe mungese në ekran ka folur ndër të tjera edhe për punën e tij në televizionin , tashmë të mbyllur, Agon Channel.
Prezantuesi i njohur ka thënë se emisioni që ai drejtonte në Agon ka qenë emision i ndjekur dhe se ai vetë ka qenë tejet i kënaqur nga shikueshmëria.
Ai ka mbrojtur pronarin e 'Agon Channel', Francesco Becchetti ndërsa është shprehur se kolegët kanë qenë xhelozë për të. "Për mua dhe kolegët pati një xhelozi të ndërkryer për rrogat tona, por televizionet nuk janë as kisha, as xhami. Aty pasurohesh, siç janë pasuruar pronarë, gazetarë e administratorë me shtëpi e fshatra turistik', tha Krasta.
I pyetur lidhur me deklaratën e bujshme mbi rrogën e tij në Agon Channel, të cilën Krasta dikur e cilësoi si 'ofertë paturpësisht e parefuzueshme', ai rrëfeu se tashmë ishte penduar për atë deklaratë. "Ata që më njohin nga afër e dinë që unë nuk jam njeri i dhënë pas parasë'.
Jashtë intervistës nuk është lënë edhe lajmi i bujshëm i qershorit të 2014-ës, kur mediat do të vlonin për një sherr ‘me pirunjë e pjata’ mes Krastës dhe kryeministrit Rama. (LEXO KËTU)
Lidhur me këtë incident, gazetari ka pohuar se e ka ndjekur me vëmendje të gjithë pasqyrimin që i është bërë asaj ngjarjeje dhe titujt në shtyp, por mohoi të rrëfente më tej se si qëndronte e vërteta sipas tij. "18 të ftuarit mund të japin versionin e tyre, por unë do të tregoj se çfarë ka ndodhur në një kohë të dytë sepse jam ende duke e procesuar. Por nuk ka asgjë në atë darkë që të më bëj mua të lënduar apo me mllef. Këtë darkë e kam arkivuar për ta kthyer. Do e them në një shfaqje timen atë se çfarë ka ndodhur.'
I pyetur nga drejtuesja e emisionit, Ilva Tare nëse në atë darkë janë përdorur fjalë fyese, Krasta u përgjigj shkrurt: 'Dua të hesht për atë darkë."
Përsa i përket projekteve të së ardhmes, Krasta pohoi se do të dëshironte dhe është duke menduar seriozisht për një show të tijin, ndonëse nuk dha detaje se kur apo ku do të mund ta shohim të realizuar një projekt të tillë.