Fashion News

Fustane që të mrekullojnë në pasarelën e Valdrin Sahitit

28 Mars 2016

Fustane që të mrekullojnë në pasarelën e Valdrin

Një koleksion spektakolar mund të quhej ai që dizajneri i njohur nga Kosova, Valdrin Sahiti prezantoi mbrëmjen e 24 Marsit në sallën e hotel “Emerald” në Prishtinë. Dizajneri i njohur kryesisht për fustanet e tij të mbrëmjes dhe i preferuari i këngëtareve më të mira të estradës shqiptare si Elvana Gjata, Era Istrefi, Nora Istrefi, Tuna, Leonora Jakupi, Albërie Hadërgjonaj etj. goditi në këtë koleksion me një rikthim në vitet 20-të, ku mbizotëronin cohërëat e shkëlqyeshme dhe transparente, thekët dhe dandellat.

Sahiti e kishte ndarë koleksionin e tij në 5 ngjyra, duke nisur me ngjyrën e klasit dhe elegancës, Bordo’, ku fustanet e ngushta komplimentonin format femërore dhe nxirrnin në pah pjesët më të bukura si këmbët, gjoksin apo krahët.

Violet, ishte një risi në koleksionet e Valdrinit dhe stilisti këtu kishte shkrirë artin e tij në kombinimet e thekëve të shndritshëm dhe të qëndisurave, gjithmonë duke ruajtur elegancën dhe feminitetin. Herë pas here ai kishte guxuar së tepërmi me materialet e tejdukshme me qëndisje sipër, por që në jetën e përditshme, ato përshtaten lehtësisht me një këmishë “nude” pas trupit, duke ruajtur detajet e prerjes dhe të dizajnit.

Koleksioni Rouge ishte gjithashtu mahnitës. Një pjesë e fustaneve vijonin nën konceptin e viteve 20-të, ku krahas thekëve të shndritshëm, Sahiti kishte përfshirë edhe puplat, të cilat, të vendosura në mënyrën e duhur, i jepnin madhështi veshjes pa i hequr finesën e përgjithshme.

Një nga momentet më mbresëlenëse ishte parakalimi i fustaneve të argjendta ose nude më ndërthurje argjendi. Propozimet e Sahitit varionin nga fustanet risqué transparentë deri tek fustanet e thjeshta në formën e një këmisheje nate për më minimalistët në shije, por që sërish duan të bëjnë përshtypje.

Nën ritmet e këngës më të re nga Babastars “BS”, sfilata u mbyll me koleksionin Noir , një koleksion që i vinte për shtat çdo lloj gruaje; që nga vajza “rock” deri tek gruaja elegante mesdhetare.

Valdrin Sahiti është i njohur jo vetëm për koleksionet e tij që gjithmonë godasin në skena të mëdha, në tapet të kuq apo në evente familjare, por edhe për përzgjedhjen që ai bën tek modelet që prezantojnë këto koleksione.

Duke shmangur stereotipin e modeleve anoreksike, Valdrini përpiqet që t’ja përshtasë veshjet e tij në pasarelë trupave më normalë, madje në njërin prej koleksioneve, ai zgjodhi modele dhe figura të njohura televizive që sapo ishin bërë nëna.

Nëpërmjet kësaj përzgjedhjeje, dizajneri synon të japë një mesazh për të gjithë ato vajza e gra që mendojnë se fustanet e tejdukshme apo të gjata janë vetëm “fat” I një kategorie femrash të holla. Me kaq shumë zgjedhje sa Valdrini prezantoi në këtë sfilatë, çdo lloj femre pavarësisht përmasave të saj, mund të shkëlqejë.

 

Kush është Valdrin Sahiti?

29-vjeçari Valdrin Sahiti është një prej dizajnerëve më produktivë në të gjithë trevat shqiptare. Edhe pse të dhënat e tij të para në shkollë ishin në lëndën e matematikës, që në moshën 16-vjeçare ai shprehu interes ndaj dizajnit. Pasioni i tij fillestar dhe më i madhi ka qënë për fustanet e mbrëmjes, për të cilat ai u investua shumë jo vetëm në gjetjen e cohërave cilësore, por edhe në “psikologjisjen” e klientit që vinte për t’I porositur një fustan, duke iu përshtatur karakterit të tij, stilit të jetës dhe formave trupore. “Unë tentoj të nxjerr në pah pjesët më të bukura të trupit dhe të fsheh sa më shumë ato pjesë më pak të bukura. Unë nuk jam kreator modest dhe nuk më pëlqen thjeshtësia. Mendoj që ajo që është e thjeshtë në material duhet të jetë ekstravagante në model dhe anasjelltas” është shprehur   Sahiti në një intervistë për portalin femra.net

Klientët e kënaqur nga puna e tij nisën të flasin dhe gradualisht atelieja e tij u kthye në zgjedhjen e parë për qindra gra e vajza të cilat kërkonin nga Valdrini jo vetëm fustane madhështorë për mbrëmje mature e dasma, por deri në fustane nusërie, të cilat tashmë Valdrini i ka pjesë të punës së tij dhe çdo vit dizenjon me dhjetëra fustane custom-made për klientet e tij që do të martohen.

Jo vetëm njerëzit e thjeshtë, që përbëjnë pjesën më të madhe të punës së tij të përditshme, por edhe shumë vajza të famshme “falen” tek Valdrini përpara eventeve të rëndësishme. Elvana Gjata, Era Istrefi, Nora Istrefi, Leonora Jakupi, Lori Hoxha, Tuna, Marina Vjollca, Armina Mevlani, Elhaida Dani, Jehona Sopi e shumë prej vajzave më të klikuara momentalisht, kanë zgjedhur shpesh fustane nga dizajneri prishtinas, të cilat kanë kaluar jo pa u vënë re në dalje e tyre publike, madje disa prej këtyre veshjeve kanë përbërë edhe lajm si fustani i verdhë i Elhaidës në tapetin e kuq të Eurovizionit, fustani i bardhë i Norës tek “Kënga Magjike”, fustani blu nga koleksioni i sapo-prezantuar i Elvanës në një set fotografik në Neë York etj.

Valdrin Sahiti tashmë në Shqipëri!

Të gjitha vajzat dhe gratë mesa duket duan një fustan nga Valdrini dhe arma e tij e fortë është edhe porosia “custom-made” ku klientja kërkon një fustan enkas për të.

Vitet e fundit, janë shtuar kërkesat nga Shqipëria dhe shumë marrin rrugën për të shkuar enkas në Prishtinë për atelinë e dizajnerit.

Duke parë këtë dyndje të kërkesave, Sahiti ka vendosur që të hapë një filial në kryeqytet, i cili është pothuajse gati dhe shumë shpejt do t’ju vijë në një shërbim unik në kryeqytet, të gjithë klientëve që janë të interesuar për krijimet e tij kryesisht në veshje mbrëmjeje apo fustane nusërie.

Copyright @Anabel.al / Ndalohet ri-botimi pa lejen e Anabel.al