
23 gushti shënon ditëlindjen e kantautorit dhe producentit të famshëm Flori Mumajesi dhe nuk kanë qenë të paktë personazhet e famshëm të shoëbiz-it shqiptar që e kanë uruar atë në rrjetet sociale. Por jo më kot, pasi në karrierën e tij muzikore, ai ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës e po ashtu, edhe me emra që nga të panjohur, u shndërruan në yje falë bashkëpunimit me të.
Por, krahas këngëtarëve si Elvana Gjata, Klajdi Haruni, Besa Kokëdhima etj. të cilët janë pjesë e shtëpisë diskografike “Three Dots” që drejtohet nga Mumajesi, ai ka pasur bashkëpunime me një sërë këngëtarësh të tjerë. Të paktë mund të jenë ata që e dinë se Flori Mumajesi ka shkruar këngë për Ardit Gjebrean, Manjola Nallbanin apo Eranda Libohovën, të cilët ishin yje të skenës që kur Flori ishte fëmijë dhe i ndiqte nga ekrani.
Në një nga intervistat e saj të fundit, Era Istrefi ka rrëfyer se është bërë e famshme brenda 24 orësh me hitin e saj “Mani për money” (lexo këtu), këngë kjo e shkruar pikërisht nga Flori Mumajesi, që u shndërrua në një katapultë për karrierën e Era Istrefit.
Orinda Huta, Argjentina Ramosaj e Vesa Luma gjithashtu u afirmuan në tregun muzikor shqiptar në rangun e këngëtarëve të rëndësishëm, falë bashkëpunimit me Mumajesin i cili shkroi për ta këngë që u shndërruan në hite si: “Të Dua” për Orinda Hutën, “Si Shiu” për Ramosajn, “Luaj”, “Jemi dhe s’jemi” dhe “Amanet” për Vesa Lumën etj.
Kënga “Mesazh”, hiti i grupit West Side Family gjithashtu është shkruar nga Mumajesi.
Flori Mumajesi është i pari kompozitor shqiptar që ia ka dalë me sukses të përfshijë në këngët pop edhe rrymën tallava, kur për herë të parë krijoi këngën “Origjinale”, të kënduar nga Aurela Gaçe, Dr.Flori dhe Marseli. Kjo këngë theu tabutë përsa i përket rrymës tallava në muzikën shqiptare, duke u ndjekur nga një sërë bashkëpunimesh të tjera me këngëtarë të kësaj rryme.
Ndonëse kishte një sërë këngësh rep që njiheshin më së shumti nga grupi i tij i fansave, Stresi u afirmua në mënyrë të mirëfilltë në industrinë muzikore pas publikimit të këngës “Love Story” e cila mban vulën e Flori Mumajesit. Në vitin 2015, ai madje u bë për herë të parë pjesë e një festivali si “Kënga Magjike”.
Kënga “Fluturimi 3470”, bashkëpunimi i tij i bujshëm me Soni Malajn, u bë kënga e parë shqiptare që u ble nga nga dy këngëtarë bullgarë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.