
“Kodi i Da Vinçit” një best-seller ndërkombëtar, është një prej shumë kontributeve në shqip nga përkthyesi i njohur, i vlerësuar me titullin “Nderi I Kombit” nga Presidenti I Republikës.
Kasoruho është autor i disa librave si “Një ankth gjysëmshekullor” (1997), “Çmimi i një ëndrre” botuar në Itali (2000), “Midis qiellit dhe burgut” dhe romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”
Si përkthyes, Kasoruho solli disa nga veprat letrare më të mira moderne dhe klasike, duke shqipëruar mjeshtërisht shkrimtarë si Isabel Allende, Emily Bronte, Harold Robbins, Dan Brown, Edith Wharton, Nathaniel Hawthorne etj.
---
Amik Kasoruho: Librat më të bukur që kam përkthyer
Jemi pothuaj një vit pas botimit të librit “Lartësitë e stuhishme”, që e solli për lexuesin shqiptar përkthyesi Amik Kasoruho në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dudaj”. Dhe flasim për një roman të ri të këtij përkthyesi. Ai që nuk dinte të dashuronte - roman i Harold Robbins dhe sërish Kasoruho. Duke menduar kohën e mbushur me ngjarje, demonstratë në janar, debat për zgjedhje, angazhim qytetar dhe i gjerë i përkthyesit me Iniciativa për Tiranën, ndoshta lexuesi mendoi se përkthyesi, ashtu sikurse është shprehur, e kishte mbyllur “kontratën” me veten për të përkthyer. Por tundimit të madh të letërsisë së bukur nuk i reziston dot, aq më tepër përkthyesi që numëron në arkivin e librave të tij të përkthyer mbi gjashtëdhjetë. Nuk janë pak për një vend kaq të vogël, por mendoj se ende ka vend në librari për përkthime të nivelit të lartë dhe përkthyes të rrallë, si edhe Amik Kasoruho vjen këtë herë. Natyrisht për autorë të suksesshëm si Robinsi. Në vitet ’70 në Amerikë kishte seks, rock and roll dhe Harold Robbins…
Kishit thënë se me romanin “Lartësitë e stuhishme” do mbyllnit udhëtimin e gjatë në tunelin e përkthimit. Ç’dritë ju shkreptiu që u gjendët sërish në një tjetër përkthim?
Mund t’ju them se është ndjesi e njëjtë me atë pijedashësin e thekur që thotë: kjo është gota e fundit, të cilën po e pi që të festoj heqjen dorë nga pija. Lartësitë e stuhishme i Emili Brontesë ishte një roman që i mungonte lexuesit dhe është një ndër librat më të bukur që kam përkthyer. Ende e kam në mendje atë mënyrë rrëfimi, atë dashuri pothuaj diabolike dhe të dhimbshme, atë ambient anglez tipik dhe Grejnxhin ku është vendosur e tërë ngjarja. Pas atij libri, kur mësova se libri është pëlqyer dhe lexuar së tepërmi, mendova se ky lexues i dashur dhe i mençur ka nevojë edhe për libra të tjerë të mirë. Robbinsin e përkthej për herë të pestë, pasi e nisa me Mos dashuro kurrë një të huaj,pastaj: Një gur për Deni Fisher, Park Avenju ’79, Mos më lër kurrë dhe së fundmi- Ai që nuk dinte të dashuronte.
Mos vuan edhe përkthyesi nga ajo marrëdhënia me një shkrimtar të caktuar, që ndoshta ngërthehet me të e krijon një harmoni të padukshme, por për të tjerët, tejet e lexueshme?
Ju thashë, Robbins më ka tërhequr me mënyrën amerikane të rrëfimit, thjesht, me dialogë, pastaj, Robbins është mjeshtër në ndërtimin dhe shtjellimin e fabulës. Është si një inxhinier i mirë që çdo tulle i gjen vendin e duhur, por edhe bukur, shumë bukur.
A kishte vështirësi për ju ky përkthim?
Përkthimi më futi në dilemë për shkak të titullit. Në anglisht, origjinal titulli ishte “The Carpertbaggers”, në shqip, e vetmja fjalë që i afrohej, ishte Muhaxhirët. Pastaj iu referova përkthimit në italisht, titulli m’u duk shumë i përshtatshëm për përmbajtjen dhe mbasi u këshillova me botuesen, vendosa ta titulloja Ai që nuk dinte të dashuronte.
Pse i duhet një Robbins tjetër shqiptarëve?
Në radhë të parë, mendoj se një libër i mirë u duhet të gjithëve. Pastaj, kujtoj se libri në fjalë është një pasqyrë shumëdimensionale e një Amerike në periudhën që nga fillimi i shekullit XX e deri pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe gjigantin e industrisë amerikane – kinemanë. E më tej, kam parë në këtë roman shumë ngjashmëri me dëshirën e shqiptarëve për të krijuar profile ekonomike, sociale, gjithmonë në kërkim të një ëndrre të largët.
Ku qëndron ndryshimi mes Ai që nuk dinte të dashuronte me romanin e parë të përkthyer nga Robbinsi: Mos dashuro kurrë një të huaj?
Ndryshimi është në fabulat që trajtohen, në kohën kur zhvillohen ngjarjet, në konceptin që shfaq, mbron apo kundërshton autori nëpërmjet personazheve, por ai filli i ngjashëm që mendoj se i bën librat e dashur, për mua është përpjekja e Robbinsit për të mbushur shpirtin njerëzor me ndjesi të forta dhe të vërteta, të rralla dhe njerëzore, të cilat janë thelbi i çdo marrëdhënie midis njerëzish. Te Mos dashuro… kemi një grup shokësh dhe fillin e jetës së tyre në vite, përplasjet, kundërshtitë, dashuritë dhe ndarjen, kurse në Ai që nuk dinte… shohim figurën e një personazhi të rëndësishëm, Xhonas Kordit, dhe gjithë historinë e suksesit të tij në sfondin e një Amerike që rritej e zhvillohej. Rreth tij vërtiten ëndrra, zhgënjime, kontrata, suksese, lavdi, dhimbje, dëshpërim, kurajë. Të gjitha janë njerëzore.
A gjen Xhonas Kord në shoqërinë shqiptare sot?
Shoqëria shqiptare ka nxjerrë figura të rëndësishme, sidomos në fushën e ekonomisë, të medias, të politikës. Njerëz si Xhonas Kord ka shumë mes nesh, pasi ndjenjat dhe përjetimet nuk kanë kombësi, as ngjyrë, ato përjetohen njëlloj në çdo kohë dhe në çdo vend.
Po Rina, Xheni, apo Miriam?
Ku ka ambicie, ku ka dashuri; ku ka ëndrra, ka edhe një emër gruaje, apo jo? Këto personazhe, Robbinsi i ka trajtuar me mjeshtëri dhe me art të lakmueshëm.
A ju ka mësuar Xhonas Kordi si të fitoni më shumë para?
Mirë do të ishte, por jam vonë për të mësuar dhe shumë vonë për ndërruar rrjedhën e punëve. Kam përkthyer gjithmonë dhe një kohë kur nuk m’i botonin, nuk mendoja paratë. Tani është e vështirë të vendos kushte. Por është problem i madh, besoj, që përkthyesit paguhen shumë pak. Ndoshta është temë për një bisedë më të gjerë, pasi ka përkthyes të shkëlqyer që duhen trajtuar me më shumë kujdes nga shtëpitë botuese.
Libri është afër 700 faqe. Si duruat kaq gjatë duke e punuar?
Nuk e ndjeva lodhjen, sepse libri të tërheq shumë. Kjo është meritë e autorit.
Libri është përkthyer nga anglishtja. Pse nuk kërkoni libra të autorëve italianë, meqë keni thënë se nga italishtja përktheni me më shumë lehtësi në shqip?
Unë nga italishtja kam sjellë në shqip Pirandellon dhe dy libra të Camillerit. Më vjen keq që dramat e Pirandellos nuk i ka pranuar asnjë shtëpi botuese për t’i publikuar, duke u nisur nga mendimi se “drama nuk e tërheq lexuesin”. Për mendimin tim, janë të mrekullueshme. Pasi përktheva Pirandellon, që për mua është ndër mjeshtërit e rrallë të novelës dhe sidomos të dramës, e kam pasur të vështirë të kaloja në autorë të tjerë italianë.
Nuk është i fundit libër që përktheni, tashmë nuk ju besojmë më. Kush e ka radhën më tej?
Sapo dorëzova romanin Damka e Turpit e Nathaniel Haëthorne në shtëpinë botuese ‘Pegi’. Ju siguroj se filmi “Njolla e turpit” (nxjerrë nga ky roman) është shumë i dobët, i krahasuar me librin. Është ndër romanet e pakët, shkruar me mjeshtëri të një soji të rrallë. Dhe po punoj për romanin “Mosha e pafajme” e Edith Ëharton. Kur përkthej libra që janë realizuar si filma, më duket se konkurroj me regjisorët. Këtë herë me romaninMosha e pafajme që po përkthej, me regjisorin Martin Scorsese.
Si mendoni, cilët libra duhet të shmangin botuesit seriozë?
Besoj se shumë shtëpi botuese kërkojnë treg me libra të bujshëm, të lehtë, por që nuk lënë gjurmë në kulturë, në letërsi. Nuk them të mos i botojnë, por të lakmojnë edhe letërsinë e vërtetë. Dhe të vlerësojnë redaktimin e librit. Pastaj ka ardhur koha të botojnë kolana të autorëve të ndryshëm. Do dëshiroja të shikoja të botuar në kolanë gjithë Pirandello-n, gjithë Zëeig-un, gjithë Balzac-un etj. etj.
Ju keni pasë përkthyer një roman shumë të bukur: – Ah bir, o bir - i Hoëard Spring-ut, edhe ky botuar nga ‘Dudaj’. Por nuk i është këshilluar mjaftueshëm lexuesit për ta lexuar. Mendoni se ka humbur një rast lexuesi për të marrë letërsi të mirë me Spring-un?
Asnjëherë nuk është vonë që një lexues të marrë në dorë një libër të mirë. Romani që ju përmendët vërtet është ndër më të bukurit që kam përkthyer. Po pse, a nuk mund të bëhet një ribotim? I duhet sugjeruar botueses.
Nëse për një çast ktheni kokën pas në të gjithë librat që i keni sjellë lexuesit në shqip, cilin nuk do kishit përkthyer?
Pasi mendohem, kujtoj se nuk më ka lënë mbresë romani “Diabolus”, pasi kam përkthyer Kodi i Da Vinçit dhe Engjëj e djaj, i treti nuk e përligjte pritshmërinë e lexuesit, e natyrisht, timen ca më pak.
Takimi i parë i Kasoruhos me Harold Robbins në Shqipërinë komuniste.
“Mos dashuro kurrë një të huaj” është një përkthim të cilin përkthyesi e do shumë, jo vetëm se romani është një nga më tërheqësit dhe njerëzorët që i ka takuar të lexojë dhe ka një dinamizëm që të duket sikur je duke e parë në film. Por ishte libri i parë që përkthente nga anglishtja. Në Durrës jetonte një familje mike e familjes së Kasoruhos, ajo e Luigj Komaskut, që e njihte shumë mirë anglishten. Kishin në shtëpi një bibliotekë shumë të pasur dhe ai, kohë mbas kohe shkonte aty dhe merrte libra për të lexuar. “Një ditë prej ditësh, rrëfen ai, me japin një libër (pikërisht “Mos dashuro kurrë një të huaj”) që u kishte rënë në dorë në një mënyrë të veçantë dhe të çuditshme. Një fëmijë, që banonte pranë tyre, sheh në një kashun plehrash, një libër anglisht. Me gjasë do ta kishte lënë aty ndonjë turist… Fëmija e dinte se çifti Komasku e zotëronin anglishten (sot ai fëmijë duhet të jetë më shumë se 50 vjeç dhe mbase as që i kujtohet kjo ndodhi) dhe ua çon atyre në shtëpi. Unë vendosa ta përktheja edhe pse nuk kisha asnjë shpresë se mund të ma botonin. Vuajta gjatë përkthimit edhe sepse një pjesë e dialogëve zhvilloheshin në “slang”, në të folmen tipike të mjediseve të varfra dhe të degraduara të Nju-Jorkut. Por pata fat. Në Kavajë aso kohe jetonte një mik i babait tim, që më vonë, në burg, u bë dhe imi, Skënder Cilka, i cili ka pasë studiuar në Nju-Jork dhe e njihte mirë edhe të folmen slang. Atë e kam bezdisur kushedi sa herë për t’i kërkuar shpjegime dhe ai me një durim që rrallë herë e kam ndeshur te të tjerë, më jepte shpjegimet e duhura. Me një makinë shkrimi rrangallë, që ma kishin falur shokët, e shtypa në tri kopje. Një nga ato kopje ia çova Robertit (Shvarcit). Ishte koha kur ai kishte përkthyer për qejf të tij “Harkun e Triumfit” që qarkullonte dorë me dorë i daktilografuar, në Tiranë. Të njëjtin fat pati edhe Robbinsi im. Libri nuk u botua. Dorëshkrimi pat mbetur në Shqipëri, kur unë ika për në Itali dhe nuk di si e qysh, mbërriti në dorë të çupës sime të hallës dhe ajo ma nisi mbas disa vjetësh. Në vitin 1999, në mos qofsha gabim, më telefonon nga Tirana Arben Basha, që asi kohe bënte edhe punën e botuesit. E kishte pasë lexuar këtë libër si dorëshkrim, kur ai qarkullonte dorë më dorë (aq është e vërtetë sa e vetmja kopje që i shpëtoi humbjes, mua më ra në dorë mbas 3-4 vjetësh nga një shok që ma rekomandoi për ta lexuar(!). Pra, e kishte lexuar dhe kërkoi t’ia çoja për ta botuar. U botua. U ribotua. Për mua, si të thashë, ka mbetur ndër librat më të mirë që kam përkthyer…” Dhe tani vjen sërish Robbinsi, sërish Kasoruho përkrah tij dhe romani “Ai që nuk dinte të dashuronte”…Nëse jeni kuriozë të dini se sa vlen ky roman, një gjë është e sigurt, libri e mëson njeriun si të çajë në jetë, si të bëhet njeri, si të përballet me shoqërinë dhe pengesat për të arritur atë që dëshiron. Libri rrëfen se ç’është ambicia dhe vlera e parasë, ç’është një bir për babanë dhe babai për djalin, ç’është një burrë për gruan që dashuron. Por të gjitha këto do ishin rrëfime sentimentale e melodramatike nëse nuk do shfaqej një periudhë historike kur kinemaja dhe filmi bënë epokë në Amerikë, kur njeriu ëndërron, kërkon dhe realizon… A mëson njeriu të dashurojë? Këtë lexuesi e kupton faqe mbas faqeje dhe pa lexuar edhe paragrafin e fundit, nuk mendon dot më shumë se çdo lexues, në çdo vend të botës qoftë. E rëndësishme është që libri përcjell mesazhe të fuqishme për jetën, për miqësinë, për familjen dhe për respektin ndaj ndjenjës.
NGA MIRANDA HAXHIA/ GAZETA “MAPO”/ JANAR 2012