Showbiz dhe TV

Djegia e makinës së Flori Mumajesit: Reagon për herë të parë Endri Prifti

21 Dhjetor 2016

Djegia e makinës së Flori Mumajesit: Reagon për herë të

Djegia e makinës së kantautorit Flori Mumajesi dy ditë më parë në një garazh, ngriti dyshime të shumta për autorësinë e krimit, teksa policia deklaroi se po hetohen edhe konfliktet e artistit me vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti, si dhe me Stinen. Mumajesi dhe vëllezërit Prifti patën një përplasje në studion e "E Diela Shqiptare", pas festivalit "Kënga Magjike 2016", ku vëllezërit e kritikuan Mumajesin për muzikën që ai bën.

Pas shpalljes si i dyshuar për ngjarjen, reagoi më në fund edhe Endri Prifti, i cili nëpërmjet një statusi në Instagram, u shpreh për herë të parë për ndodhinë. Duke u shpjeguar ndjekësve se ndodhej në Las Vegas për disa koncerte, Prifti shkruan: “Për t’u çuditur, nuk mendoja se do arrinin të mendonin deri këtu.”

Këngëtari vijon të shpjegojë më tej se për ta muzika është një mënyrë për të marrë dhe dhënë dashuri e respekt dhe shton:

“Ne mund të debatojmë për muzikën dhe shijet tona, për më tepër kur ato i bëjmë të hapura dhe publike. Shprehim mendimin tonë të sinqertë për festivalet, rreth muzikës, por nuk kemi menduar ndonjëherë të bëjmë gjëra kaq të shpifura, siç po flitet andej për djegien e një makine. Ne i urojme shëndet edhe 10 makina të tjera të ketë çdokush në atë vend, ne e përgëzojmë dhe i urojmë Zoti ia shtoftë çdokujt të mirat. Këta jemi ne, kjo është e vërteta jonë, kjo është krenaria jonë dhe faqebardhësia jonë transparente.”