Kur u kthye në Shqipëri, as që e mendonte se do të rifillonte një jetë të re këtu. Ideja e saj për të futur këtu kateringun e dietave- që në botë ishte shumë i përhapur prej kohësh- u prit plot skepticizëm. E megjithatë, u kthye në dietologen më të besuar të shqiptarëve.
Blerina Bombaj Troci ka zgjedhur të jetojë në një prej fshatrave të Tiranës, në një shtëpi me një oborr plot gjelbërim, ku luajnë dy fëmijët e saj të vegjël. Sepse, ndonëse zyrat dhe restoranti i saj ndodhen në Bllok, ajo nuk çmon asgjë më shumë sesa natyrën.
Tashmë pas dhjetë vitesh në drejtim të “Blerina Diet”, mundet fare mirë t’u shesë klientëve të saj ato lëngjet “magjike” për dobësim apo dietat “humb 10 kile për një javë”. Por nuk e bën sepse siç shpjegon, e di fort mirë se e vetmja mënyrë për t’u dobësuar shëndetshëm është në mënyrë natyrale dhe organike.
“Po të mos tregoja ndershmëri dhe besnikëri në punë, po të mos tregohesha krejtësisht korrekte me shkencën dhe po të abuzoja me klientelën që më beson verbërisht vetëm për të shitur diçka, nuk do të isha këtu. Sot abuzohet shumë në këtë fushë, por unë nuk do të abuzoja kurrë dhe ata e kanë kuptuar tashmë. Nuk mund ta bëj diçka që nuk e besoj dhe nuk qëndron.”
Blerina Bombaj është ndër të vetmet dietologe klinike në Shqipëri. Pra, puna e saj nuk është thjesht të dobësojë apo të sygjerojë mënyra të shëndetshme ushqyerjeje; përmes dietës mund të trajtojë probleme të rënda shëndetësore, deri tek patologjitë.
Profesioni i saj lidhet drejtpërdrejtë me shëndetin; ashtu si mjekët, e quan një mision të cilit i ka përkushtuar jetën. Çdo të diel e shohim të japë këshilla tek “E Diela Shqiptare”, e bindur për ato që di, sepse nuk thotë asgjë që nuk e beson.
“Profesioni që unë kam, është si ai mjekut: është mision. Gjithçka ndërton çdo ditë sillet rreth realizimit të këtij misioni. Unë e besoj këtë që bëj dhe dua “t’i infektoj” njerëzit me këtë besim, duke u përcjellë gjithçka di dhe them se e kam arritur vetëm nëpërmjet patosit që kam në çdo gjë që bëj. Mendoj se kjo ka qenë pika ime e fortë për të ndikuar tek familjet shqiptare. Në momentin që unë flas për ushqyerjen, kur jap këshilla, nuk është e vështirë që të kuptohet se me sa shumë dëshirë dhe besim e bëj. Kjo është mënyra më e fuqishme për të ndikuar, duke e besuar thellësisht.”
Megjithatë, nuk është e bindur nëse do të ishte këtu, po të mos ishte për njerëzit që ka rrotull. “Një familje e madhe”: kështu i konsideron njerëzit që punojnë çdo ditë me të dhe e mbështesin, duke parë të gjithë në të njëjtin drejtim. Në këtë intervistë për Anabel.al, Blerina Bombaj rrëfen se iu desh të linte shumë në Greqi, por në Shqipëri gjeti shumë më shumë.
Si ishin fillimet e “Blerina Diet”?
E nisëm pa ndonjë investim të madh; restorantin e kishim, dhe si fillim shpërndarjen e ushqimit e bënin kamarierët; gatimin e bënte mami im; nisi gjithçka shumë thjesht, në mënyrë shumë “primitive”. Ishte dhe vazhdon të jetë një biznes familjar. Akoma i mbaj mend klientët e mi të parë: tre njerëz me të cilët ne kishim raport miqësor, dhe “marketingu” që bënim atëherë ishte vetëm hapja e fjalës nga klientela.”
Im vëlla asokohe kishte hapur në Shqipëri “Livingroom-in” që në atë kohë ishte shumë në modë. E kishte zgjeruar edhe me një restorant, dhe ne na lindi ideja që kateringun e dietës, që në Athinë ishte shumë i përhapur, ta provonim edhe këtu. Recetave për dietat që përpunoja unë ua vinte vulën mami, e cila gatuante shumë mirë.
Tavolina plot në Shqipëri shihet si shenjë mirëqenieje. Nga ana tjetër, ka ende shumë njerëz që besojnë se nëse do të dobësohesh, duhet të hash pak. Ishte e vështirë t’u tregoje se mund të dobësohesh duke ngrënë?
Më kujtohet se në fillim kur e shpreha si ide më thonin: “Jo, askush nuk do të të paguajë lekë për të mos ngrënë.” Ishte mesi i viteve ‘2000, kur shqiptarët akoma po shijonin bollëkun pas një periudhe mangësirash. Por njerëzit filluan të shikonin rezultate, të dobësoheshin duke ngrënë 5 herë në ditë ushqime që përpiqeshim t’i bënim sa më të shijshme brenda mundësive që të lejon një ushqim me pak kalori. Njerëzit filluan shpejt ta përqafonin idenë e kateringut të dietës.
Ishe e kënaqur me jetesën në Greqi, apo jo? Çfarë ndodhi që vendose të ktheheshe?
Menjëherë pas përfundimit të studimeve në Athinë kam punuar një vit, edhe atje si e pavarur. Kisha zyrën time brenda një klinike kardiologjike. Ishte padyshim një vendim i vështirë, sepse nuk e kisha menduar kurrë, jetoja në Greqi me idenë se nuk do të kthehesha më sepse ndihesha shumë mirë; kisha krijuar përditshmërinë time dhe kisha ëndrra për të ecur përpara në profesion, duke studiuar edhe në shkolla të tjera.
Nuk u shkëputa menjëherë, mendoja se do të vazhdoja të punoja edhe në Athinë, por sigurisht e kuptova që nuk ishte diçka që mund të bëhej nga larg. Në një moment të caktuar, kur biznesi këtu filloi të shkonte mirë, m’u desh të merrja një vendim.
Shumë shpejt pas kësaj erdhi familja, dhe kjo më ndryshoi krejtësisht drejtimin, as që e mendoja më çfarë kisha lënë atje. Nisa një rrugëtim për të cilin falenderoj Zotin çdo ditë, sepse ndihem shumë e plotësuar.
Ke pasur gjithnjë synime të qarta. Je ndier e kuptuar nga njerëzit që punojnë me ty, familja, bashkëshorti..?
Fati im më i madh është se kam njerëz që më mbështesin tejmase. Kam një bashkëshort që më përkrah shumë, më mbështet me synimin që unë t’i realizoj dëshirat e mia, është një njeri që i vlerëson shumë “ambiciet” e mia, që më ndihmojnë të bëj përpara. Kam një nënë që po të mos ishte për të, nuk do të kisha arritur kurrë deri këtu. Në fillim ajo gatuante, më pas kaloi në drejtimin e kuzhinës por edhe financave. Po të mos ishte dora e saj “ekonomiqare”, unë do kisha humbur shumë sepse nuk jam menaxhuese e mirë e parasë. Nuk i bëj gjërat për para; nuk mendoj: “do ta bëj këtë për të fituar kaq”, por them: “do ta bëj sepse mund ta bëj”, dhe më pas vjen edhe shpërblimi për atë që bën. Edhe vjehrra ime më mbështet si në biznes, ashtu edhe për familjen.
Një fat shumë i madh për mua kanë qenë edhe njerëzit që filluan të punonin me ne që në fillimet. Përmend këtu asistenten time apo shefin e kuzhinës… Jemi një familje. Punojmë bashkë prej vitesh dhe të gjithë mbështesim njëri-tjetrin duke mbështetur punën, e ndjejmë si diçka të përbashkët, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që kemi arritur.
Do të thuash se nuk të duhet të bësh “shefen” që gjërat të shkojnë siç do?
Nuk kemi marrëdhënien drejtues-punonjës, nuk punojnë për mua, por për atë që kanë marrë përsipër vetë të bëjnë, jemi të gjithë bashkëpunëtorë. Ata që punojnë tek ne i quaj “bashkëpunëtorë”, sepse kemi një vizion të përbashkët. E kemi ngritur bashkë.
Kjo është filozofia ime në punë: ata që vijnë të punojnë me ne e kam të domosdoshme t’i shoh si partner, jo si vartës të cilëve t’u jap urdhra. Gjithçka mundohem të bëj është t’u krijoj mundësinë që ata të japin më të mirën e tyre, ta shpalosin gjithë potencialin. I lë të lirë, por edhe kemi gjetur një gjuhë të përbashkët. Besoj se kam arritur t’ua përcjell atë çfarë kërkoj dhe jemi përshtatur shkëlqyeshëm.
Si grua drejtuese, mendon se do t’ia kishe dalë pa gjithë këta njerëz që të rrethojnë?
Vështirë. Por unë mendoj që mënyra sesi u afrohem njerëzve është njëfarë fuqie për të arritur rezultat nga bashkëpunimi. Aq më tepër kur je grua, që shihesh si delikate. Nga ana tjetër, duke qenë nënë një grua ka shumë mirësi brenda vetes, dhe ndonjëherë kjo të jep avantazhe ndaj një drejtuesi burrë. Kemi më shumë ndjeshmëri në marrëdhënien me bashkëpunëtorët, i qetësojmë gjakrat; në këtë kuptim një grua në drejtim është më e privilegjuar. Megjithatë ka gjëra ku ke nevojë për mbështetjen e një burri, ka marrëdhënie më të vështira në komunikim, sepse përditshmëria na përball me lloj-lloj standartesh komunikimi, jo të gjithë mund t’i menaxhojmë. Me tim shoq jam njohur një vit pasi e kisha krijuar biznesin. Mbaj mend se pasi u lidhëm bashkë mendoja me vete: “Më në fund erdhi një burrë në këtë punë!”, që të vinte dorën e tij për disa marrëdhënie jo të thjeshta.
Si grua drejtuese e një biznesi dietash, të duhet të jesh edhe imazh. Të shohim gjithmonë në formë. Është një mënyrë marketingu kjo?
Padiskutim që imazhi shet, dhe unë kujdesem shumë për të. Mund të dish shumë, të kesh studiuar shumë dhe të kesh qenë ekselente në shkollë, por kjo nuk mjafton. Nëse nuk ke mënyrën e duhur për ta përcjellë tek tjetri, të kesh aftësi menaxheriale, marketingu, nuk do ta kesh të gjatë. Pamja ime padyshim hyn tek marketingu; po të isha mbipeshë, askush nuk do të vinte ta besonte veten tek unë. Kam qenë gjithmonë elegante edhe për shkak të trashëgimisë genetike, por edhe kujdesem. Kjo i shërben punës, por duhet të jenë të kombinuara të dyja.
Së fundmi, ne të rinjtë që duam të ngremë diçka do të të kërkonim një këshillë. Çfarë do të na thoje si motrës a vëllait tënd?
Këshilla ime e parë është që të jetë i aftë të vlerësojë dhuntitë që ka, pra të kuptojë cilat janë pikat e veta të forta. Së dyti, të kuptojë dhe të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë; kjo është më e rëndësishmja për dikë; ta dashurojë atë që bën. Nëse nuk e do një punë, mos e bëj fare. Dedikoju vetëm asaj për të cilën ke pasion.
Por, nëse gjithçka e bën me moral, asgjë nuk mund të shkojë dëm. Këto të treja kanë qenë pikat kyçe për të fituar besimin e njerëzve. Por morali është ndoshta, më i rëndësishmi. Nëse do që njerëzit të besojnë tek ti, nuk mund ta shfrytëzosh besimin e tyre.
