
Mund t’ju ketë rastisur të shihni Instagramin e saj dhe të jeni përhumbur në fotot që ngjajnë si të ishin shkrepje të flokëve të modeleve të Victoria's Secret. Flokët duken sikur janë ngjyrosur nga dielli i Karaibeve dhe ondet e çrregullta, por të mëndafshta; janë kaq natyrale në perfeksionin e tyre, saqë duket sikur vajza nuk është përpjekur fare për t’i rregulluar. Në të vërtetë, klientet e saj janë vajza të thjeshta, të prekura nga magjia e Jetmirës, që ka arritur deri këtu falë një pune të palodhur shumëvjeçare dhe njohurisë së thellë për nevojat e flokut.
Jetmira dallohet për ngjyrimet "ombre" ose "balayage", si dhe për transformimet: nga flokët e ngjyrosur keq dhe të dëmtuar në flokë të mëndafshtë e të bukur. Ajo ka studiuar dhe punuar në Itali. Para 6 vitesh, kohë kur vendosi të vijë në Shqipëri, stili i saj ishte risi. U dallua menjëherë pasi solli një frymë natyrale, me flokë që derdhen lirshë mbi supe, aty ku ishim mësuar të shihnim vetëm stilime “të ngrira” me llak, që nuk lëviznin e nuk mund t’i prekje. Për këtë arsye, shumë vajza shqiptare, përfshirë këtu edhe personazhe të ekranit si: Lori Hoxha, Arbana Osmani, Anjeza Maja, Mira Kazhani dhe Rezarta Skifteri i kanë besuar asaj imazhin e tyre.
Për të siguruar një takim me Jetmirën duhet të rezervosh të paktën një javë para, prandaj për të marrë këtë intervistë nga ajo, m'u desh të vizitoja sallonin, aty ku ajo punon gjithë ditën. Sapo hyn mbushesh me energjitë e vendit, që është gjithmonë plot me vajza e gra të cilat trajtohen nga Jetmira dhe stafi i saj.
Kur lindi pasioni yt për këtë punë?
Dëshirën për t'u kujdesur për veten e kam patur që në vogëli. Rastësisht kuptova që ky profesion ishte pasion i brendshëm, që u rrit me kalimin e kohës dhe u bë pjesë e imja.
Kur vendose të hapësh biznesin në Shqipëri dhe çfarë pe ndryshe këtu?
Pas shumë vitesh në Itali, ku fitova eksperiencë pune dhe mbarova shkollën, rastësisht vendosa të kthehesha ne Shqipëri. Doja ta provoja, instikti më thoshte që gjithçka do të shkonte mirë, kisha shumë siguri që do ecja përpara. Por ajo që unë kisha mësuar atje, këtu as që ekzistonte. Shijet dhe teknikat ishin shume ndryshe.
A e kishe menduar ndonjëherë që do të arrije suksesin që ke tani?
Përgjithësisht jam njeri që kam shumë besim te vetja, i di aftësitë e mia dhe ndaj vendosa të merrja një inciativë aq të madhe, të kthehesha dhe të filloja gjithçka nga fillimi, por durimi dhe pasioni për punën, më ndihmuan që të jem kjo që jam sot. Ndihem njeri me fat.
Po puna me gratë, si të duket?
Të punosh me femra është deri diku e vështirë, sidomos për të kuptuar çfarë duan. Komplekset janë te pashmangshme në karakterin tonë, por dua të them se ato femra që vijnë në sallonin tim dhe po të jenë të vështira, zbuten pasi shohin punën që unë bëj dhe ndryshojnë menjëherë pamje dhe karakter. Hera e dytë është shumë më e lehtë, jam mësuar t'i kuptoj dhe për këtë ndihem akoma më me fat.
Meqë jemi në sallonin tënd, çfarë do të na këshilloje për kujdesin e flokëve në përditshmëri? Cilat produkte rekomandon?
Kujdesi për flokët është i larmishëm; produktet duhet të jenë sa më hidratuese dhe të kenë përmbajte të lehtë. Të mos kenë paraben, sulfat, silikon etj. Maskat duhen të bëhen të paktën 2 herë në javë, vajrat që përdoren para dhe pas krehjes, janë të domosdoshëm. Është shumë e rëndësishme të tregohet kujdes ndaj diellit dhe pishinave me klor, pasi këta faktorë e thajnë shumë flokun. Gjithashtu, përveç kujdesit duhet marrë parasysh edhe ushqimi dhe problemet hormonale.
Oribe Signature Collection është perfekte për përdorim të përditshëm.
Alterna The Science of Ten përmban 10 përbërës që ofrojnë hidratim të thellë për çdo lloj floku.
Po vajzat që mund t’i kenë flokët "të lodhur" nga boja ose dekolorimi, çfarë duhet të bëjnë?
Dihet që në sallonin tim punohet me bjondet, balayage, tiger, baby lights, e këto flokë të trajtuar janë përgjithësisht më të thatë. Për ta mirëmbajtur në tërësi, unë këshilloj produktet Oribe me një larmishmëri produktesh, duke filluar nga ato për flokë të hollë dhe deri te flokë shumë të ashpër dhe të trashë. Oribe mbahet dhe për produktet që përdoren para krehjes dhe për finishet pas stilimit.
Oribe Gold Lust Restore and Repair rigjallëron flokët e dëmtuar.
Një këshillë për të rinjtë që kanë dëshirë të ndjekin profesionin tënd?
Këshilla që unë jap është që mos të abuzojnë në kolore të ndryshme, të ruajnë natyralitetin. Mendoj që floku është gjysma e bukurisë.
