Nora Gega Klosi, bashkëshortja e ministrit Blendi Klosi, festoi mbrëmjen e djeshme 35-vjetorin e saj në një nga klubet e kryeqytetit. Midis të ftuarve të shumtë ishin disa nga emrat më të rëndësishëm të ekranit dhe politikës, si dhe nga disa nga kolegët e saj në televizionin Klan.
Në videot dhe imazhet e publikuara nga Drini Zeqo, Orinda Huta, Turjan Hyska, Anjeza Maja, Olta Gixhari, Ermal Mamaqi e shumë të tjerë, vihet re atmosfera fantastike e krijuar. Vajza e ditëlindjes dhe të ftuarit mbajnë veshur të gjithë bluza të bardha ku shkruhet: “Kiss me, I’m 35” ose shprehje të tjera të ngjashme.
Nora ka preferuar të luajë muzikën pop të viteve ’90, por nuk kanë munguar as këngëtarët performues si Klajdi Haruni dhe Bruno. Në një moment të festës, shihet dhe çifti Klosi që kërcen “zogu më i mirë prej krejtve” duke nxehur kështu atmosferën.
Nora është drejtoreshë e prodhimit në televizionin Klan dhe njëkohësisht bashkëshortja e ministrit prej 10 vitesh. Ata kanë gjithashtu dy fëmijë, djalin e madh Aronin dhe vajzën, Amlën.