Kinema & TV

5 filma të vjetër shqiptarë që janë jashtëzakonisht feministë

21 Korrik 2017

5 filma të vjetër shqiptarë që janë

5 filma të vjetër shqiptarë që janë
"Taulanti kërkon një motër"
“Taulanti kërkon në motër” njihet si pjesë e kinematografisë për fëmijë por, kush e ka parë kur ishte i vogël nuk e harron dot se Zana (Yllka Mujo), mamaja e Taulantit (Donald Kokona), donte të abortonte fëmijën. Filmi me regji të Xhanfize Kekos dhe skenar të Nexhati Tafës sjell pa censurë imazhin e një gruaje që, edhe pse ka familje dhe fëmijë, zgjedh të fokusohet tek karriera. Në fund sigurisht, para këmbënguljes së Taulantit dhe të gjithëve që i vijnë kundër, bindet të mos abortojë. Megjithatë, prania e një personazhi të tillë është e guximshme për një film të vitit 1984. Aborti dhe legalizimi i tij janë aktualisht ndër çështjet më të rëndësishme të feministeve nëpër botë, që kërkojnë që gruaja të mos gjykohet nëse e bën një zgjedhje të tillë.
5 filma të vjetër shqiptarë që janë
"Zonja nga qyteti"
Njëri apo tjetri Melkën do ta merrte patjetër, por si përfundim ishte Melka (Rajmonda Bulku) ajo që e mori Bujarin (Piro Kita). Pavarësisht përpjekieve të Teto Ollgës (Violeta Manushi) për t’i gjetur vajzës “një burrë nga qyteti”, fakti që ajo e zgjedh vetë tregon qartë se pavarësisht dëshirave të të tjerëve, “Melka mori atë që deshi”. Përveç saj, është edhe personazhi i Shpresës (Yllka Mujo), shoqes së Melkës, që paraqitet si një vajzë e qeshur dhe e lirshme, që e shijon jetën me argëtim dhe flirte. Filmi i vitit 1976 u realizua me regjinë e Piro Milkanit dhe skenar të Ruzhdi Pulahës.

5 filma të vjetër shqiptarë që janë

5 filma të vjetër shqiptarë që janë
"Përrallë nga e kaluara"
“Ka ligj, po ka edhe Maliq”. Por mbi të gjitha, ka Marigo. Është fort e çuditshme si ky film, bazuar në komedinë “14 vjeç dhëndër” të Andon Zako Çajupit, arrin të ndërthurë jetën e izoluar, plot thashetheme dhe paragjykime të një fshati ku një 14-vjeçar mund të martohet me një 28-vjeçare me realitetet individuale të secilit personazh, që kanë liri të pafundme. Vetë linja kryesore e ngjarjeve të “Përrallë nga e kaluara” është absurde sa s’ka ku të rrijë. Por zgjedhja e zgjuar e të vënit të një gruaje 28-vjeçare krahas një djaloshi 14-vjeçar thekson akoma më shumë fuqinë e personazhit të Marigosë (Elvira Diamati) dhe mendjekthjelltësinë e një djali të brezit të ri, i shkëputur nga mendësia e mbyllur e fshatit (Admir Sorra si Gjino). “Do ta pi turpin me bukë”, skena e jastekut dhe shumë të tjera me një satirë gati-gati të zezë e bëjnë filmin me regji dhe skenar të Dhimitër Anagnostit jo vetëm një ndër filmat më mbresëlënës, por një pasqyrë të qartë të gruas që mund ta gjejë lirinë edhe në mes të ndrydhjes.

5 filma të vjetër shqiptarë që janë

5 filma të vjetër shqiptarë që janë
"Edhe ashtu, edhe kështu"
Ky film i vitit 1989 me regji dhe skenar të Bujar Kapexhiut është pothuajse psikedelik. Personazhet, skenat gati-gati haluçinante dhe muzika në sfond (realizuar nga Ardit Gjebrea) të bëjnë konfuz nëse ajo që po ndodh është e vërtetë apo pjellë e një imagjiate të çmendur. Në qendër është Alma (Sesilia Plasari), një studente e inxhinierisë, dhe babai i saj Apostoli (Mirush Kabashi) që përpiqet të kontrollojë të bijën por bie pre e një kurthi të çmendur të Agimit (Agim Bajko), që maskohet si artist apo si gazetar, duke e ngatërruar keqas teksa përpiqet të kuptojë cili është i dashuri i së bijës. Por në fakt Alma është e dashuruar me një këngëtar, Andi Begën (Federik Ndoci), të cilin Apostoli s’do ta pranonte kurrë. Sigurisht që në fund e pranon, sepse nuk ka ç’të bëjë. Alma është e lirshme, e qeshur dhe e shkujdesur, ndërsa ka nisur një karrierë që ende sot konsiderohet e përshtatshme për burra, atë të inxhinieres së akustikës.

5 filma të vjetër shqiptarë që janë

5 filma të vjetër shqiptarë që janë
"Kapedani"
Në ka një film më emblematik për gjykimin ndaj grave në karrierë, është “Kapedani”. Qasja ndaj grave në këndvështrimin e një burri fanatik që vjen nga fshati në qytet sepse s’e duron dot të urdhërohet nga një kryetare grua, është mënyra më klasike për ta trajtuar këtë çështje, duke e dhënë mesazhin e vet fare qartë. Kur vjen në qytet, Xha Sulo (Albert Verrija) çoroditet kur shikon gra shofere, gra mjeke, gra drejtuese dhe më keq akoma, balerina si gruaja e të birit, që veshin tutu dhe u duken të brendshmet kur kërcejnë. “Një burrë me goxha mustaqe, të merret me pulat?”, thotë Xha Sulo. Prandaj “mustaqet”- simbol i maskilizmit dhe prapambetjes- duhet të priten.

5 filma të vjetër shqiptarë që janë

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Genta Hodo
Gazetare